Fondacioni “Fëmijët Shqiptarë”, dhurata për fëmijët autikë

Fëmijët e qëndrave rajonale të Autizmit festuan 1 Qershorin së bashku me disa fëmijë të kolegjit “Turgut Ozal”. Qendra Rajonale për Autizmin në Farkë është bërë mikëpritëse e dhjetëra fëmijëve të klasave të pesta të këtij kulegji. Organzimi ka qenë i tillë ku fëmijët kanë ndjekur shfaqjet e përgatitura nga secila palë. Fëmijët me çrregullim të spektrit autik nëpërmjet recitimeve, këngëve dhe kërcimeve dhuruan emocione të forta tek fëmijët e kolegjit. Po kështu edhe këta të fundit me një performancë për t’u admiruar, si në kërcim ashtu edhe në interpretimin e mjaft vjershave dhe këngëve, sollën një atmosferë të gëzueshme për fëmijët e qëndrave dhe prindërit e tyre.
Në fund të shfaqjeve, Fondacioni “Fëmijët Shqiptarë” shpërndau dhuratat për fëmijët e Kolegjit dhe ata të qëndrave, ndërsa përfaqësuesja e Qendrës Rajonale të Autizmit Nr.1, Arjana Bekteshi, i dhuroi kolegjit në emër të Fondacionit, flamurin kombëtar të Turqisë, një punim artizanal i bërë nga duart e fëmijëve me autizëm.
Presidentja e Fondacionit “Fëmijët Shqiptarë”, Dr.Liri Berisha i përcolli festës një mesazh. “Festat janë të bukura, kur kalohen me miq dhe dashamirës, ndaj sot në ditën e fëmijëve do të doja shumë të falenderoja nxënësit dhe mësuesit e Kolegjit turk “Turgut Ozal”, që kanë zgjedhur të kalojnë orët e kësaj dite të veçantë bashkë me fëmijët tanë. Kjo qendër, ashtu sikurse edhe Qëndra Nr.2 e Autizmit në Sauk, janë bërë disa herë mikëpritëse të fëmijëve të shkollave të ndryshme. Vizitat e tyre kanë qenë jo vetëm për t’u informuar rreth autizmit, fëmijëve me këtë çregullim dhe atë se çfarë bëhet për ta, por edhe si të hyjnë në bashkëveprim me këta fëmijë, për t’u socializuar.
“Ardhja juaj sot këtu i ka dhënë një vlerë të madhe jo vetëm edukimit tuaj, por edhe formimit të fëmijëve tanë. Pra përfitimet janë të dyanshme. Kjo sepse sot për fëmijët me aftësi të kufizuara, është shumë e rëndësishme që të ndihen të gjithpërfshirë në komunitetin ku banojnë dhe ku mësojnë. Të qenit bashkë me ju, i bën këta fëmijë të jenë barabartë, të ndihen të përfshirë e jo të veçuar ashtu sikurse ndodh rëndon, të respektohen e jo të diskriminohen, të integrohen e jo të harrohen.
Ndërsa për ju, kjo festë e përbashkët, ju rrit dhe ju maturon më shumë, ju mëson si të pranoni, të përshtateni dhe të respektoni çdo bashkëmoshatar që nuk është si ju. Kjo ju edukon si të bashkëveproni me ta pa lënduar dhe rrefuzuar njeri. Ju bën më të ditur dhe më të emancipuar. Sot, ka fëmijë dhe të rinj me aftësi të kufizuara që askush nuk i fton për ditëlindje.
Ka fëmijë dhe të rinj që duan të jenë pjesë e një skuadre, por nuk pranohen, sepse është më e rëndësishme fitorja e një skuadre sesa formimi i një fëmije.
Festa të tilla të përbashkëta përjetësojnë pikërisht vlerat që sapo thashë më lart.
Juve ju bën vizionar të së ardhmes, ndërsa fëmijët tanë i bën të ndihen të gjithpërfshirë dhe të integruar. Fëmijët me nevoja të veçanta nuk janë të rallë apo të huaj. Ata duan atë që duan të gjithë të tjeret… duan të pranohen…! Angazhimi i mësuesve tuaj për të jetësuar këtë botëkuptim tek brezat e rinj është mision po aq fisnik sa profesioni i tyre”, përfundoi Presidentja e Fondacionit “Fëmijët Shqiptarë”, Liri Berisha.

Exit mobile version