Fitore në dy të parat!

Ka një çështje Cikalleshi, por mbi të gjitha grupi. Panucci vlerëson kontigjentin që ka në dispozicion me ide të qarta, e nis me Lihtenshtejnin dhe Maqedoninë dhe kërkon fillimin e mbarë, fitore në të dyja ndeshjet. “Mendoj se kam një skuadër të mirë, do të përpiqem t’i transmetoj idetë e mia dalëngadalë. Do të punojmë në atë mënyrë që të mposhtim Lihtensteinin dhe Maqedoninë”, u shpreh Panucci.
Nisja me Lihtenshtejnin nuk mund të vlerësohet, Panucci thekson se në futbollin e sotëm diferencat janë minimale. Preferon të mos zbulojë skemat e lojës, apo numrin e sulmuesve që do të hedhë në fushë edhe pse lë të kuptohet se mund të ndryshojë nga De Biasi. “Secili ka mënyrën e tij të lojës. Unë në bazë të lojtarëve që kam, do të mundohem t’i vë veshjen më të mirë të mundshme për t’i marrë skuadrës më të mirë. Mund të luajmë me skema të ndryshme, varet nga përgatitjet”, tha ai.
Një shpjegim më i detajuar për 3 të thërriturit e rinj, Hysen Memolla, Ivan Balliu dhe Valon Ahmedi. “Më është dashur të bëj disa zgjedhje, sepse Aliji nuk po luan, ndërsa Memolla po aktivizohet rregullisht. E kam parë nga afër Balliun, është shumë i mirë në aspetin atletik, por duhet të rritet. Luan Te Metz dhe meriton të grumbullohet. Ahmedi është një lojtar që luan me të majtën, shumë i fortë në lojën një kundër një, nuk kemi shumë lojtarë të tillë, prandaj vendosa ta grumbulloj”, tha Panuci.
Pikat mbi I për një sërë çështjesh duke nisur nga ajo e shiritit të kapitenit. “Kapiten do të jetë ai që ka më shumë ndeshje me kombëtaren. Unë kam qenë një herë kapiten, pasi ishin dëmtuar gjithë të tjerët dhe më qëlloi të isha unë kapiten i Italisë”, tha ai.
Berisha dhe Strakosha po shkëlqejnë në Serinë A, por a ka ndryshim në hierarkinë e portës? Panucci driblon. Për momentin është i lumtur me vështirësinë e përzgjedhjes. “Jam me shumë fat se kam dy portierë shumë të mirë, madje tre portierë shumë të mirë. Formacionin do ta shihni të shtunën, por janë të dy portierë të nivelit të lartë”, u shpreh trajneri i Kombëtares.
Urime për Skënderbeun që mbetet në vëmendjen e trajnerit. Gashi dhe Lenjani mund të jenë në grumbullimet e tjera ashtu si dhe Xhaka. Për momentin është grumbulluar edhe ndonjë që ska luajtur, por vetëm për momentin, është fillim kampionatesh. E fundit, por ndoshta më e rëndësishmja, rikthimi i frymës që na çoi në Europian për të vazhduar progresin.
“Para se të bëhesha trajner i Shqipërisë, presidenti më tha, janë 30-40 trajnerë që duan të drejtojnë Shqipërinë. Dikur i kërkonim ne trajnerët, tani ata ne dhe kjo është meritë e lojtarëve, që bënë që Shqipëria të respektohet në Europë. Ky grup duhet ta mbrojë këtë arritje dhe të kthejmë frymën në këto katër ndeshje të mbetura në eliminatore. Kualifikimi në europian është meritë e lojtarëve Federatës dhe e ish-trajnerit De Biassi. Është shumë e rëndësishme të jemi krenarinë për ta ruajtur këtë arritje. Duhet të jemi xhelozë për ta mbrojtur, më shumë se për një femër. Gjëja më e rëndësishme është që kur të largohem të më vlerësoni si një person serioz, që e respektoi punën dhe presidentin që i dha një mundësi shumë të madhe. Edhe lojtarët duhet të jenë krenarë që veshin fanellin e kombëtares”, përfundoi ai.
I fundit që do t’i bashkohet skuadrës të martën do të jetë Migjen Basha. Në një lidhje direkte për Zona Gol, trajneri i Shqipërisë theksoi rëndësinë që kanë dy takimet e radhës për kuqezinjtë. “Janë dy ndeshje shumë të rëndësishme, sepse kur vesh fanellën e kombëtares nuk ekzistojnë miqësoret dhe ndeshjet e lehta. Ndaj Lihtensteinit që duket ndeshje e lehtë, nëse nuk hyn në fushë me mentalitetin e duhur gjithçka mund të kthehet shumë e vështirë. Pastaj kemi përballjen shumë të rëndësishme me Maqedoninë. Të dyja duhet t’i marrim me shumë seriozitet”, tha ai.

Exit mobile version