Fabregas i pakënaqur

Cesc Fabregas i pakënaqur. Duket se kohët e fundit polemikat nuk mbarojnë në dhomat e zhveshjes së Chelsea-t. Pas debatit tashmë të lënë pas mes Diego Costa dhe trajnerit Antonio Conte, një tjetër emër i rëndësishëm i Bluve të Londrës, ka shprehur rezerva në lidhje me minutat e pakta që i vihen në dispozicion. Cesk Fabregas dikur në kohën kur Chelsea drejtohej nga Jose Mourinho ishte një titullar i padiskutueshëm, ndërkohë që sot, kur në krye të stolit të klubit anglez ndodhet një tjetër emër, situata nuk duket dhe aq komode për spanjollin. Deri më tani mesfushori, numëron vetëm 5 takime të nisura që nga minuta e parë. Shumë pak për një futbollist, i cili pretendon se meriton më shumë dhe këtë gjë nuk e ka fshehur aspak 29-vjeçari, i cili deklaroi se ndihet i trishtuar, kur nuk luan dhe se meriton më shumë minuta.
“Futbolli është gjithçka për mua. Luaj për të fituar dhe e shijoj në maksimum çdo ndeshje. Është e vertetë që ky sezon nuk ka qenë më i miri për mua dhe ky fakt më trishton. Mendoj se meritoj më shumë minuta, por ky është një vendim që i takon trajnerit. Personalisht përpiqem që sa herë emri im thirret, të japë më të mirën time”.
Më tej, mesfushori foli dhe për ndeshjen e fundjavës kundër Brentford, takim i vlefshëm për FA Cup. Fabregas shpreson që të jetë titullar në mënyrë që të rifitojë besimin e teknikut Antonio Conte.
Ndërkohë, Pep Guardiola kërkon më shumë kohë. Trajneri i Man.City nuk po kalon një moment të mirë në radhët e Citizens. Një gjë të tillë e kanë reflektuar dhe humbjet që skuadra ka pësuar në disa takime, sidomos në sfidat ndaj Leicester dhe së fundmi Evertonit. Por, tekniku po përgatitet të bëjë një ndryshim rrënjësor tek Citizens, që do ta ndihmojë atë në të ardhmen. 46-vjeçari ia ka bërë të qartë drejtuesve të klubit anglez se, skuadra duhet rindërtuar dhe për këtë atij i duhet një periudhë kohore prej pesë vjetësh.
Gjë për të cilën palët duket se kanë rënë dakord, pasi Guardiolës do t’i ofrohet dhe rinovimi i kontratës. Aktualisht Man.City në tabelën e klasifikimit ndodhet 12 pikë larg Chelsea-t të vendit të parë dhe numëron 7 humbje nga 33 takime të luajtura deri më tani me Guardiolën në stol në të gjithë kompeticionet. Gjatë verës, trajneri katalanas iu dha mundësia të shpenzonte shuma të mëdha parash, plot 194 milonë euro, në mënyrë që Citinenz të luftonin denjësisht në të gjitha kompecionet ku ata marrin pjesë, por deri më tani rezultatet kanë qenë larg pritshmërive. Revolucioni do të nisë, duke ulur moshën mesatare të futbollistëve, si dhe duke larguar një numër të madh lojtarësh. Gjithashtu vëmendje të madhe do t’i kushtohet dhe akademisë së të rinjve, ku do të vëzhgohen me kujdes talentet e së ardhmes.

Exit mobile version