Eurodeputeti Preda: Kompromis për krijimin e qeverisë teknike

Eurodeputeti Dan Cristian Preda kërkon gjetjen e një kompromisi mes opozitës dhe mazhorancës për krijimin e një qeverie teknike që do të garantojë zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Përmes një interviste mediatike, eurodeputeti Preda bëri apel për dialog, ndërsa paralajmëroi një përshkallëzim të krizës politike në vend nëse palët nuk arrijnë një kompromis mes tyre. Nga ana tjetër eurodeputeti thekson se palët duhet të gjejnë konsensusin mes tyre në interesin më të mirë të qytetarëve dhe pritshmërive të tyre.

– Parë  nga perspektiva e vendeve të Ballkanit Perëndimor, diskutimi i  27 liderëve europianë mbi Ballkanin  nuk solli asgjë të re në dokumentin e samitit europian të marsit. Sa i rëndësishëm është ky debat në këndvështrimin tuaj?
Këshilli Europian diskutoi për alternativat e ndryshme mbi të ardhmen e Bashkimit Europian mes 27 shteteve anëtare disa ditë pas paraqitjes së librit të bardhë nga presidenti i Komisionit Europian. Një Bashkim Europian me 27 shtete anëtare deri në vitin 2025 do të thotë për fat të keq se ka shumë pak shanse për një prej vendeve të Ballkanit Perëndimor për t’u anëtarësuar  në 7 vitet e ardhshme. Unë mendoj se është e dëmshme për BE-në dhe Ballkanit Perëndimor të mos ketë një zgjerim të ri deri në vitin 2025. Fakti se samiti europian diskutoi Ballkanin Perëndimor dhe mbajtja e fokusit në rajon është një gjë e mirë, me nuancat që përmenda më sipër. Unë mendoj se është i nevojshëm një vendim politik për ta bërë procesin e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor sa më shpejt të jetë e mundur. Fiksimi i një date do të shtynte përgjegjësit politikë në rajon për të punuar seriozisht dhe më intensivisht për të zbatuar reformat.

– Çfarë mësimesh nxjerr Bashkimi Europian nga kjo situatë? A nuk duhet të ishte filluar 10 vjet më parë me projekte konkrete rajonale për ndërlidhjen dhe forcimin e rajonit dhe të mos pritej 2014 me procesin e Berlinit?
Brukseli duhet të angazhohet më intensivisht, në mënyrë më solide e të vendosur dhe jo të premtojë një të ardhme rrezatuese të pasigurtë. E ardhmja rrezatuese e pasigurtë nuk funksionon për vendet tona. Unë e di për çfarë flas, sepse, vij nga një vend ish-komunist, Rumania. Ne duhet të angazhohemi më shumë, por edhe elitat e vendeve të Ballkanit duhet të jenë më solide dhe të vendosura për integrimin europian. Përndryshe do të fitojnë terren vende të tjera, që nuk kanë interes që të formojnë një bashkësi vlerash me Ballkanin siç është rasti me Bashkimin Europian, por të përfitojnë prej Ballkanit. Shoh rusët dhe turkët që duan të shfrytëzojnë burimet e vendeve të Ballkanit dhe jo të punojnë së bashku me to për përparimin e këtyre vendeve. Kjo është diferenca. Nga njëra anë, ne kemi disa projekte konkrete për Ballkanin që tregojnë se Europa është prezente, që ajo është e ardhmja e rajonit dhe përshëndes punën e bërë nga komisioneri Hahn për të përforcuar ndërlidhjen e vendeve të rajonit përmes projekteve të transportit dhe energjisë. Por nga ana tjetër, ka kriza politike të thella në të gjitha vendet e rajonit. Pra, progresi politik është sërish në pikëpyetje. Është e vështirë të gjesh sot një student të mirë në rajon. Filozofia jonë e fillimit ishte që nëse ne insistonim për politikën ekonomike dhe sociale në fillim, kjo do të ishte një bazë e mirë për të avancuar politikisht. Por për momentin është e kundërta. Ndaj, insistoj që duhet të tregohen gjeste politike shumë të vendosura në Ballkan. A doni të integroheni në Europë apo do të shkoni në krahët e Kremlinit, Erdoganit apo të tjerëve? Duhet të diskutojmë haptazi, pasi përndryshe do të humbim në të gjitha aspektet.

– Një nga vendet me probleme është edhe Shqipëria. Opozita konsideron se qeveria nuk garanton kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe kërkon një qeveri teknike. Cili është qëndrimi juaj?
Së pari, unë jam kundër bojkotit. Nuk është e pranueshme për një parti politike që të praktikojë bojkotin. E kuptoj pakënaqësinë kundër pushtetit, madje edhe ne në Rumani ishim të pakënaqur me qeverisjen dhe aktualisht ne vazhdojmë të mos jemi të kënaqur me atë që po bën qeveria. Por është diçka tjetër të tregosh pakënaqësi, të reagosh madje edhe me forcë dhe të bojkotosh. Nga ana tjetër, unë jam për një dialog racional midis dy forcave politike, pasi nëse ne inkurajojmë përplasjen dhe konfliktin, atëherë do të kemi përplasje. Pra, mund të shkojmë drejt një krize më të madhe se ajo që kemi sot. Ne kemi bërë më të mirën, duke nxitur të gjitha familjet politike europiane për të gjetur një konsensus. Duhet gjetur një kompromis. Nëse kompromisi kalon përmes një qeverie teknike, atëherë le të bëhet. Nëse ka një zgjidhje tjetër, do ta mbështesim. Por duhet gjetur një zgjidhje praktike, pasi vazhdimi i kësaj situate është një rrugë pa fund dhe rrezikojmë të përballemi me më shumë papërgjegjësi. Është fati i qytetarëve ai që është në lojë. Unë bëj apel për dialog. E di që nuk është e lehtë që të dialogosh me kundërshtarin pasi krijohet përshtypja që po të zbrapsesh do të humbësh. Por, mendoj se është gjithnjë e mundur për të bërë kompromise inteligjente dhe të arsyeshme në interesin e qytetarëve.

“ABC”

Exit mobile version