Dy arsyet pse Rama u hakmorr ndaj Fatmir Xhafës

Dorëheqja e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, zbuti përplasjet në radhët maxhorancës, të cilës iu tronditën së fundmi ekuilibrat e brendshëm pas arrestimit të dy-ish deputetëve Arben Ndoka e Arben Çuko dhe publikimit të përgjimeve të Vangjush Dakon me anëtarë të klanit kriminal Avdulaj.
Nga ana tjetër, media e majtë po shpërndan tymnajën se, njëkohësisht, se me largimin e Xhafajt, edhe opozita humbi shënjestrën kryesore politike. Por, në fakt, largimi i Xhafajt nuk e ka zbutur dhe nuk mund ta zbusë aksionin opozitar, i cili deri më tani ia ka dalë shumë mirë që të zbulojë lidhjet e krimit të organizuar me segmente të rëndësishme të qeverisjes së Edi Ramës.
Fatmir Xhafaj, megjithëse vuri nën kontroll thuajse total Policinë dhe Prokurorinë, nuk arriti të mbulonte raportet që funksionarë të lartë të Partisë Socialiste kishin me persona të krimit të organizuar. Madje, në disa raste ai mendohet se është personi që ka ideuar publikimin e informacioneve kompromentuese për figura të rëndësishme të partisë së tij, të cilët dëmtonin rëndë figurën e njerëzve pranë Edi Ramës.
Informacionet e njëpasnjëshme për lidhjet e Taulant Ballës me njerëz me të shkuar dhe të tashme kriminale, si edhe përgjimet e Vangjush Dakos me Avdulajt e Shijakut dyshohet se kanë “rrjedhur” nga zyrat e Fatmir Xhafajt.
Numri dy i Partisë Socialiste u paraqit në media si një njeri që nuk merrte asnjë masë paraprake për të fshehur lidhjet e tij me eksponentë të krimit. Ai u shfaq si mik i Mond Begos, i dënuar me 20 vjet burgim në Itali për trafik narkotikësh. Për më shumë se dy ditë, Balla u mundua ta sfumonte këtë informacion.

Por, kur e kuptoi se nuk kishte zgjidhje tjetër, ai u detyrua të pranonte publikisht miqësinë familjare me Mond Begon. Informacionin për këtë lidhje, me shumë mundësi e kishin në dispozicion grupet e vëzhgimit të Policisë dhe Ministrisë së Brendshme të Xhafajt.
Gjithashtu, përgjimet e Vangjush Dakos me Avdulajt, aktualisht gjenden vetëm në dosjen hetimore të prokurorisë, e cila i ka marrë nga veprimet policore. Këto përgjimet konsiderohen “sekret hetimor” dhe ato nuk mund të jenë në duart e askujt tjetër, përveçse të prokurorëve të çështjes dhe oficerëve të Policisë që po ndjekin hetimin.
Por, siç rezultoi të Enjten e kaluar, përgjimet për Dakon përfunduan në duart e Sali Berishës dhe gazetarit Ylli Rakipi. Ekzistojnë vetëm dy mundësi për “rrjedhjen” e përgjimeve për Dakon- ose nga Prokuroria, e cila ishte nën kontrollin total të Fatmir Xhafaj, ose nga Policia, e cila de facto kontrollohej plotësisht nga Fatmir Xhafaj. Pra, të dy rastet të lidhin me një emër të vetëm-Fatmir Xhafajn.
Publikimi i përgjimeve për Dakon mendohet se është pika e fundit në gotën e mbushur të përplasjeve mes Edi Ramës dhe Fatmir Xhafajt. Në këtë konflikt, natyrisht fitorja anoi nga personi me më shumë pushtet-kryetari i Partisë Socialiste.
Megjithatë, largimi i Fatmir Xhafajt nuk i sheshoi problemet e Edi Ramës dhe qeverisë së tij për lidhjet me krimin. Fakti që Xhafaj nuk do të mbajë më portofolin e Ministrisë së Brendshme, nuk i fshin lidhjet e Vangjush Dakos me Avdulajt, nuk i zeron lidhjet e Taulant Ballës me Mond Begon e të tjerë.
Madje, për më tepër, ikja e Xhafajt mund të nxjerrë në pah edhe të tjera lidhje të zyrtarëve të lartë socialistë me botën e krimit, të cilat i mbante të fshehura, për sa kohë ishte Ministër i Brendshëm.

“Boldnews.al”

Exit mobile version