Dosja Rama-Soros në zyrën e Tillerson

Gjashtë senatorë amerikanë i janë drejtuar përmes një letre sekretarit të Shtetit të SHBA-ve, Rex W. Tillerson ku i kërkojnë nisjen e një hetimi mbi përdorimin e fondeve të qeverisë amerikane nga ambasada e Shteteve të Bashkuara dhe zyra e USAID-it në Maqedoni e Shqipëri, si dhe hetimin e rolit të Fondacionit Soros dhe organizatave të lidhura me të. Duke u ndalur fillimisht tek Maqedonia, senatorët vënë theksit tek ndërhyrja aktive e ambasadës amerikane në politikën atje duke ushtruar influencë dhe përdorur mediat, si dhe shoqërinë civile gjithashtu në favor dhe mbështetje të grupimit të majtë politik. Senatorët ngrejnë pikëpyetje dhe dyshime mbi rolin e ambasadës amerikane në përdorimin apo shpërndarjen e fondeve të qeverisë amerikane. Gjatë viteve të shkuara, USAID i ka dhënë fonde Fondacionit Soros në Maqedoni dhe organizatave jo qeveritare të lidhura me të. Ky fakt e politizon rolin e ambasadës amerikane në vend. “Ne duhet të qëndrojmë larg promovimit të politikave, të cilat janë të dyshimta edhe në vendin tonë dhe kanë mundësi të dëmtojnë marrëdhënien tonë me qytetarët e vendeve përfituese”, u shprehën senatorët. Përveç Maqedonisë, gjashtë senatorët theksuan se një gjendje e tillë problematike po ndodh edhe në Shqipëri. E duke u ndalur konkretisht në Shqipëri, senatorët theksojnë se Fondacioni Soros dhe ekspertët e tij, me fonde nga USAID kanë krijuar dokumentin kontradiktor strategjik për Reformën në Drejtësi. Senatorët e cilësojnë si tejet destabilizuese një ndërhyrje të tillë, ndërsa nënvizojnë këtë ndikim si shqetësues në rritjen e korrupsionit qeveritar në Shqipëri dhe për rritjen e fuqisë së grupeve kriminale dhe të trafikut të drogës në vend. Në këto kushte senatorët i kërkojnë sekretarit të Shtetit që të përdorë autoritetin e tij për të investiguar të gjitha fondet për promovimin e demokracisë dhe qeverisjes dhe të rishqyrtojë programet, llogaritë dhe numrin e organizatave amerikane të përfshira në aktivitete të tilla.

Senatorët: Reforma në drejtësi për ti dhënë kontrollin Kryeministrit

I dashur Sekretari Tillerson,

Urime për detyrën si sekretar i Shtetit. Ne presim me padurim të punojmë me ju për shumë çështje të politikës së jashtme me të cilat do të përballet vendi ynë në vitet që vijnë.
Siç jeni pa dyshim në dijeni, Maqedonia i ka hyrë procesit të ndërtimit të koalicionit qeveritar pas zgjedhjeve të dhjetorit 2016. Fatkeqësisht, kemi marrë raporte të besueshme se, gjatë viteve të fundit, Misioni i SHBA atje ka ndërhyrë në mënyrë aktive në politikën partiake në Maqedoni, duke ndikuar edhe në krijimin e ambientit mediatik e të shoqërisë civile, shpesh duke favorizuar grupe politike me prirje nga e majta, para të tjerëve. Këto raporte i konsiderojmë dekurajues dhe nëse janë të vërtetë, shumë problematikë.
Ambasadorit amerikan në Maqedoni i janë dërguar disa letra, me të cilat kërkohen shpjegime për rolin që Misioni i SHBA në Maqedoni luan në shpërndarjen e ndihmës amerikane atje, në peizazhin politik shpeshherë të trazuar maqedonas dhe në formimin e ambientit mediatik e të shoqërisë civile në Maqedoni. Përgjigjet për këto letra nuk na e kanë lehtësuar shqetësimin.
Një pjesë e mirë e aktivitetit shqetësues në Maqedoni është vënë në lëvizje përmes fondeve të USAID-it, dhënë organizatave të tilla si Open Society Foundations të George Sorosit. Si marrës i shumë granteve e duke shërbyer si kontraktor i USAID-it në implementimin e projekteve në këtë vend të vogël me 2.1 milionë banorë, ndihma jonë e jashtme, e financuar nga paratë e taksapaguesve, shkon shumë larg, duke lejuar që Fondacioni Open Society Macedonia (FOSM) të zhvillojë një axhendë majtiste dhe të gjallërojë të majtën politike. Ndihma jonë e jashtme ekonomike duhet të përdoret në promovimin e një axhende politike vetëm nëse është në interesin ekonomik apo të sigurisë të vendit tonë, madje edhe në një rast të tillë duhet të jemi të kujdesshëm e të tregojmë respekt. Ne duhet të jemi veçanërisht të kujdesshëm në promovimin e politikave që mbeten kontradiktore edhe në vendin tonë dhe që kanë potencialin për të dëmtuar marrëdhëniet tona me qytetarët e vendeve të tjera.
Ky problem nuk kufizohet vetëm në Maqedoni, por duket se ka një model aktiviteti alarmues në rajonin e paqëndrueshëm. Liderë të respektuar nga Shqipëria kanë pasur ankesa të ngjashme për diplomatë amerikanë dhe organizata të përkrahura nga Soros që nxisin për rezultate të caktuara politike në vendin e tyre.
Fondacioni Open Society Albania (FOSA) dhe ekspertët e tij, me fonde nga USAID kanë krijuar dokumentin kontradiktor strategjik për Reformën në Drejtësi. Disa liderë besojnë se këto “reforma” kanë si qëllim t’i japin kryeministrit dhe qeverisë së qendrës së majtë kontroll të plotë mbi drejtësinë.
Efektet destabilizuese të veprimeve të tilla në një vend anëtar të NATO-s janë të qarta, ashtu si dhe kërcënimi për përshkallëzim të mëtejshëm, teksa Shqipëria është në prag të zgjedhjeve parlamentare. Kjo është veçanërisht shqetësuese në dritën e raporteve ndërkombëtare për rritjen e korrupsionit qeveritar në Shqipëri dhe për rritjen e fuqisë së grupeve kriminale dhe të trafikut të drogës në vend.
Me këto dhe situata të tjera në mendje, është shqetësuese që kjo sjellje është bërë dominuese në shumë nga ambasadat tona, misionet e USAID dhe diplomatike kudo në botë. Përherë e më tepër, liderë të huaj që vijnë në Washington na kanë shprehur shqetësimin se si fondet e taksave amerikane po përdoren në mënyrë joproduktive në vendet e tyre. Situata në Shqipëri e Maqedoni është shembull i qartë i kësaj, por kemi pasur shqetësime të ngjashme edhe nga vendet e Amerikës Latine dhe Afrikës.
Ju kërkojmë me respekt që të përdorni autoritetin tuaj për të investiguar të gjitha fondet për promovimin e demokracisë dhe qeverisjes dhe të rishqyrtojë programet, llogaritë dhe numrin e organizatave amerikane të përfshira në aktivitete të tilla. Ne duhet ta shfrytëzojmë këtë moment kritik, në fillimin e administratës së re, për të shqyrtuar se si përdoren paratë e taksave tona, në mënyrë që të ndalim aktivitete që nxisin trazira politike, mosrespektim të vendeve sovrane dhe shoqërisë civile dhe që minojnë përpjekjet tona për të ndërtuar marrëdhënie të vlefshme ndërkombëtare.
Presim të vazhdojmë punën me ju në të ardhmen dhe shpresojmë të nisim një marrëdhënie dëshire reciproke për përgjegjësi dhe transparencë në programet tona diplomatike dhe të ndihmave.

Fondet e USAID në Shqipëri, 6 milionë dollarë ish-gruas së Ramës

Nëse hetohet marrëdhënia ndërmjet USAID-it dhe Fondacionit Soros në Shqipëri do të dalë në dritë fakti se USAID ka lidhje të forta me Fondacionin Soros në projektet e zbatuara në Shqipëri. Së fundmi, USAID ka mbështetur organizatën konsulente East-West Management Institute (EWMI) me një fond prej 6 milionë dollarësh për promovimin e reformës në drejtësi. EWMI, organizatë e mbështetur nga Soros, është i vetmi përfitues i të gjithë fondit të USAID për mbështetjen e Reformës në Drejtësi në Shqipëri. Drejtoresha e Programit për Shoqërinë Civile në EWMI është Delina Fico, ish-bashkëshorte e Kryeministrit Rama dhe bashkëshortja e ish-ministrit të Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi. Zonja Fico, e cila ka qenë drejtuese dhe bashkëpunëtore e Fondacionit Soros në Shqipëri që në vitin 1991, kohët e fundit ka përfituar një fond prej 9 milionë dollarësh nga USAID-i në Maqedoni përmes bashkëpunimit të EWMI dhe Fondacionit Soros. Letra e dërguar nga gjashtë senatorët e SHBA-ve vjen në një kohë që Departamenti i Shtetit po rishikon politikat e tij në Ballkan dhe mënyrën se si fondet e tyre janë përdorur për të favorizuar lëvizje të veçanta politike gjatë katër viteve të fundit. Duket se kjo do të sjellë ndryshimin e politikave, të cilat do të riformojnë marrëdhënien ndërmjet ambasadës amerikane dhe qeverive të ardhshme në Shqipëri.

Exit mobile version