Dokumentat amerikane për Ruçin, Wikileaks: Pjesë e krimit e drogës

Kryeministri Edi Rama dhe Gramoz Ruci, pas nje mbledhje te Asamblese se Partise Socialiste, ku eshte folur mbi reformat e ndermarra nga qeveria./r/n/r/nPM Edi Rama and Gramoz Ruci, after a meeting of the Assembly of the Socialist Party, where is spoken about reforms undertaken by the government.

A është Gramoz Ruçi një person non gratta për Shtetet e Bashkuara. Dokumentat amerikane sipas Wikileakas janë të qartë në këtë drejtim dhe duket se Ruçi nuk do ta ketë të lehtë që të konfirmohet si Kryetar Parlamenti.
Vetë Rama ka lënë një shteg kur i pyetur disa javë më parë nga gazetari në lidhje me pranueshmërinë e Ruçit u shpreh se kjo mbetet për t’u parë; “Për mua ai është i konfirmuar, por nuk i dihet se mund të vijë një telefonatë dhe të thotë se nuk duhet”, u shpreh Rama pa përcaktuar se nga mund të vinte kjo telefonatë, por duke lënë të kuptohet rolin e partnerëve të Shqipërisë në këtë aspekt.
Rama ka propozuar Gramoz Ruçin si kryetarin e ri të Kuvendit. Kryetari i Kuvendit është drejtuesi i dytë më i rëndësishëm i vendit pas Presidentit.
Gjatë katërvjeçarit të shkuar, Ruçi ishte Kryetari i Grupit parlamentar të PS-së, dhe sikurse ka treguar gjatë kësaj kohe, ai ka shumë pak respekt për Kushtetutën.
Gjithashtu, ky është edhe pozicioni më i rëndësishëm që ka pasur ndonjëherë Gramoz Ruçi. 26 vjet më parë, zoti Ruçi ka qenë Sekretar i Parë i Partisë së Punës në Tepelenë dhe ministër i Punëve të Brendshme në qeverinë e Ramiz Alisë. Zoti Ruçi ka qenë dëshmitar i shkatërrimit të plotë të arkivës së Sigurimit të Shtetit. Ai asnjëherë nuk ka kërkuar falje për përfshirjen e tij në regjimin komunist.
Sipas disa dokumenteve të ambasadës amerikane të vitit 2009, publikuar nga Wikileaks:
“Ruçi ka lidhje të hershme me narko-trafikantë dhe bandat e krimit të organizuar. Ruçit gjithashtu i është ndaluar hyrja, në mënyrë të përhershme, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që prej vitit 2005”.
Me fjalë të tjera, Gramoz Ruçi mund të mos jetë në gjendje të ushtrojë funksionin e tij si përfaqësues i Shqipërisë, pasi atij i është ndaluar hyrja në SHBA.
Emërimi i tij si Kryetar i Kuvendit, sëbashku me zhdukjen e Ministrisë së Integrimit, janë dy sinjale të qarta të dhëna nga qeveria e re e Ramës ndaj Bashkimit Evropian. Më pak përqendrim në rrugën drejt anëtarësimit në BE, dhe një përqendrim më i madh në vendosjen e një shteti të qendërzuar rreth një udhëheqësi autokrat.

Riciklimi i qeverisë

Kryeministri Rama njoftoi gjatë Asamblesë së Partisë Socialiste, përbërjen e qeverisë Rama 2, ose më saktë skuadrës së tij personale, e përbërë nga ministra të ricikluar nga Rama 1, pjesëtarë të ish-nomenklaturës komuniste dhe ish-drejtoreshat e Bashkisë Tiranë.
Bie në sy, përveç zvogëlimit dhe shkrirjes së ministrive – nga 16 + 3 ministra shtetit në Qeverinë Rama 1 në 11 + 2 ministra shteti në Qeverinë Rama 2 – për qëndrimi i pjesës më të madhe të pushtetit, gjashtë ministri, në tre ministra, të tre të ricikluar nga qeveria e mëparshme:
Arben Ahmetaj, deri më tani ministër Financash, në qeverinë e re do të ketë në duar dy prej ministrive më të rëndësishme, të bashkuara në një: atë të Ekonomisë dhe Financave, të cilave i është bashkëngjitur dhe një pjesë e ish-Ministrisë së Mirëqenies Sociale, ajo e Punës.
Damian Gjiknuri, që deri më tani drejtonte Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë, tashmë do të drejtojë dy ministri të bashkuara në një: Ministrinë e Energjisë dhe Infrastrukturës.
Blendi Klosi, që drejtoi për rreth dy vjet Ministrinë e Mirëqenies Sociale, tashmë të shpërbërë totalisht, do të drejtojë Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit.
Të tjerë ministra që kanë arritur t’i mbijetojnë “gjykimit” të Kryeministrit Rama janë ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, që vetëm pak ditë më parë u fajësua publikisht nga Rama për mungesën e investimeve të huaja, ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, ndër më të sulmuarat gjatë katër viteve të shkuara, dhe ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, ministri që çuditërisht arriti të qëndrojë e vetme teksa ajo e Zhvillimit Urban apo e Mirëqenies Sociale u shpërbënë totalisht.
Ministria e Brendshme i është ribesuar Fatmir Xhafës, ish-hetues gjatë regjimit komunist dhe ish-Sekretar i Komitetit Qendror të Rinisë i PPSH-së.
Tjetër figurë e vjetër e PS-së, Pandeli Majko i është bashkuar qeverisë Rama 2, me një ministri të re pa portofol, ajo e Diasporës.
Ndërkohë një prej ish-drejtoreshave të Bashkisë Tiranë, në kohën kur drejtohej nga Rama, Sonila Qato do të drejtojë Ministrinë e Shtetit për Mbrotjen e Sipërmarrësve. Sonila Qato gjatë mandatit të parë të Ramës ka drejtuar një prej agjencive më të rëndësishme atë të Kthimit dhe Kompensimit të Pronës.
Po ashtu, Ogerta Manastirliu, ish-drejtoreshë në bashki dhe ish-drejtoreshë e QSUT gjatë Qeverisë Rama 1, do të jetë ministre e Shëndetësisë dhe Kujdesit Social.
E vetmja prurje sadopak e re në këtë qeveri të vjetër duket se është Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjoni, që deri më tani ka mbajtur postin e zëvendësministres në të njëjtën ministri.
Deklarata e Ramës, dje gjatë Asamblesë, së “Shqipërisë i duhet një forcë e re politike” duket se përshkruan më së miri qeverinë e re: një grup politik, besnik vetëm ndaj Ramës. Mbetet për t’u parë, nëse edhe pas qeverisë së emëruar totalisht prej tij, Kryeministri Rama do të kërkojë fajtorë për dështimet e ardhshme.

Exit mobile version