Detaje të reja për sekuestrimin e 400 kg droge në Greqi

Një ditë, pasi policia greke sekuestroi 392 kg drogë të sjellë nga Shqipëria si dhe vuri në pranga dy shtetas shqiptarë dhe një shtetase greke, detaje te reja të operacionit janë bërë publike të hënën.
E gjithë droga po transportohej me dy makina që po ecnin njëra pas tjetrës. Në vendin e quajtur Sikulà, në rrugën nacionale Partë-Athinë, makinat nuk iu përgjigjën sinjalit të policisë për të ndaluar dhe rritën shpejtësinë.
Në afërsi të Amfilohias, policia arriti të ndalonte njërën nga makinat, që drejtohej nga një shtetas shqiptar i moshës 32 vjeç. Ndërkohë, makina tjetër u gjet pak më larg, por drejtuesi dhe pasagjerja ishin larguar. Në makinën e parë u gjetën 115 pako që përmbanin 178,1 kg kanabis, ndërsa në makinën e dytë, 213,8 kilogramë, të ambalazhuara në 37 paketa.
Sipas komunikatës së policisë ishin dy makinat me të cilat transportohej droga. Drejtuesi dhe pasagjerja e makinës së dytë, të moshës 44 dhe 42 vjeç, u gjetën dhe u arrestuan në orët e vona të mbrëmjes së të dielës. Pas hetimeve të policisë rezultoi se tre të arrestuarit ishin pjesëtarë të një rrjeti që trafikonte drogë nga Shqipëria në Greqi. Ndërsa makinat ishin vjedhur në Athinë më herët, në shtator dhe dhjetor të vitit të kaluar. Tre të arrestuarit do të paraqiten të hënën në Prokurorinë e Artës, ndërkohë që policia po vazhdon hetimet plotësuese.

Exit mobile version