Derbi i Europës!

Gjysmëfinalet e Champions nisin me derbin ndërmjet Realit dhe Atletico Madrid, që luhet këtë të martë në “Santiago Bernabeu”. Skuadrat e kryeqytetit spanjoll do të ndeshen për herë të tretë në katër vitet e fundit në fazën me eliminim direkt. Duele nga të cilat Reali ka dalë gjithmonë fitues. Në dy përballjet e fundit në finale, skuadra e Simeone-s ka pësuar humbje: fillimisht në Lisbonë në edicionin 2013-’14 dhe më pas në Milano në sezonin 2015-’16.
Edhe këtë herë, skuadra e Zinedine Zidane do të presë “colchoneros” me synimin që të vazhdojnë ecurinë pozitive përballë Atletico-s dhe pse jo të kualifikohet në finalen e këtij edicioni në Cardiff. Edhe këtë herë, statistikat favorizojnë Realin. Të kualifikuar në gjysmëfinale për të shtatin sezon radhazi, ecuri që përbën një rekord të turneut, “Los Blancos” ashtu si edhe Juventusi, janë e vetmja skuadër që nuk e njeh humbjen në këtë edicion. Reali ka shënuar të paktën dy gola në secilën nga dhjetë ndeshjet e këtij sezoni.
Megjithatë, misioni nuk është aspak i lehtë. Skuadra e Simeones është një kundërshtar aspak komod për Realin, edhe pse është ekipi gjysmëfinalist që ka realizuar më pak gola: 13 të tillë. Atletico ka shansin të hakmerret për finalet e humbura dhe të synojë fitimin e trofeut, të cilit në disa raste i ka shkuar pranë, por asnjëherë nuk ka arritur ta fitojë.
Pasi eliminuan Bajernin e Mynihut dhe me daljen jashtë turneu edhe të Barcelonës, Reali i Madridit është transformuar në skuadrën favorite për të fituar Ligën e Kampioneve sivjet. “Galaktikët”, të cilët janë edhe kampionët në fuqi u kualifikuan për të 27 herë në gjysmëfinale në historinë e tyre si klub, nga të cilat ka arritur që të kualifikohet në 14 raste.
Ata vendosën sivjet edhe rekordin si skuadra që ka arritur më shpesh se kushdo tjetër që të mbërrijë në këtë fazë të kompeticionit, për 7 edicione radhazi. Madje, edhe fakti që ata do ta luajnë në shtëpi ndeshjen e parë është diçka pozitive, sepse shifrat europiane të Realit të Madridit në “Santiago Bernabeu” në gjysmëfinale flasin për 18 fitore, vetëm 3 humbje dhe 6 barazime.
Por, mes shumë lajmeve pozitive, fakt është edhe që Kristiano Ronaldo me shokë vuajnë shumë në këtë fazë të Ligës së Kampioneve. Statistikat thonë se në shtatë gjysmëfinalet e fundit, ata kanë arritur të kualifikohen vetëm dy herë, ndonëse se në të dyja herët që kanë arritur në finale, e kanë fituar turneun.
Suksesi i parë është kundër Bajernit të Mynihut të Pep Guardiolës, në sezonin 2013-2014, ku pas suksesit 1-0 në Madrid, ata i shkatërruan gjermanët edhe në “Allianz Arena” me shifrat 4-0, dopietë e Serxho Ramosit dhe e Kristiano Ronaldos. Ndërkohë, kualifikimi i dytë ishte ai i sezonit të kaluar, kundër Mançester Sitit, ku pas barazimit pa gola në Angli, në “Bernabeu” mjaftoi goli i Bejlit për të shkuar në finale. Ndërkohë, ata që u shkaktuan dhimbje madrilenëve në këtë pjesë të sezonit ka qenë dy herë Barcelona, Bajerni i Mynihut, Borusia e Dortmundit dhe së fundmi Juventusi.

Exit mobile version