Demokratët s’mund të votojnë njeriun e Sigurimit të Shtetit

Për të dytën herë në radhë Sali Berisha po i dërgon ndjekësit e tij të verbër të votojnë një koalicion që drejtohet nga njeriu i sigurimit të shtetit, I.M. E bën këtë akt ndërsa në fjalimet e tij të lodhura dhe tanimë të mbushura me dozat e një skleroze që vjen edhe thellohet përditë, kërcënon bijtë e etërve të tyre.

Kjo është fallciteti i një njeriu që raportin me komunizmin e ka pasur të njëjtë si raportin me anti-komunizmin, pra të mbushur me pandershmëri. I rritur dhe brumosur nën frymën e kundër liberalizmit të viteve 1968, ndërsa bota kërkonte liri (dhe në Shqipëri gjithashtu) e frymëzuar nga revolucioni i Pragës, Sali Berisha u anëtarësua në Partinë Komuniste atëherë. Do të shijonte në çdo moment ngrohtësinë e një dashurie të familjes së udhëheqjes aq sa do të ishte i pranishëm në ditlindjet dhe sebepet familjare edhe kur ato zhvilloheshin në Volerëkën e largët apo në Drilon.

Ky ka qenë komunizmi i Sali Berishës, njeriut që ishte shumë afër Enver Hoxhës dhe madje në kushte jo aq detyruese publike. Një njeri që ka sulmuar Fatmir Xhafën përse ishte në foto në një paradë me Enver Hoxhën ndërsa vetë i shfaqej pas për të qenë në foto me të në festat familjare. E gjitha në shërbim të pushtetit të tij në organizatat e Partisë Komuniste ku lulëzoi si Sekretar Partie.

Tani, pasi kreu stazhin e partisë dhe deklaroi se komunizmin e bashkendajne ne vuajtje dhe fajësi shqiptarët po i kërkon demokratëve dhe të persekutuarve aktin e fundit; të votojnë I.M dhe dosjet e tij të sigurimit. Shndërrimi i fundit i komunistit që pasi i poshtëroi të persekutuarit duke ua vendosur jo rrallë sekretarët dhe spiunët në krye të forcës së tij politike, sot u kërkon të votojnë bash njërin prej tyre.

Oferta e tij e fundit është padyshim dhe më djallëzorja. Të kërkosh votën për një sigurims është më e turpshme se sa ta kërkosh mbase dhe për një sekretar partie. Sigurimsi në çdo manual apo trakt disident ka qenë njeriu më i urryer madje dhe nga vetë komunistët 24 karatësh. Ato ishin njerëzit që mund të sajonin gjithçka apo që të numëronin dhe mbathjet në shtëpi, ndaj ishin të urryer dhe të papëlqyer. Çimkat e tyre ishin mjeti me të cilin ata flinin dhe jetonin, dmth ishin fillesa dhe mbaresa e djallëzisë dhe neverisë diktatoriale.

Këtë njeri, këtë simbol të komunizmit dhe një njeri me dosjen që iu zbulua ai kërkon që t’ia vendosë demokratëve në çantën e peshqesheve. Çfarë turpi!

Exit mobile version