De Biasi për “The Sun”: Jam gati për Anglinë!

Gianni De Biasi nuk e fsheh dëshirën për të drejtuar një skuadër prestigjoze pas aventurës me Shqipërinë. Në një intervistë dhënë për tabloidin “The Sun”, timonieri i stolit kuqezi konfirmon dëshirën për t’u ulur në stolin e një ekipi me peshë si Anglia pas largimit të Roy Hodgson. Një dëshirë të tillë ai e shprehu menjëherë pas largimit të Hodgson për mediat italiane dhe vazhdon të këmbëngulë se kjo do të ishte një mundësi e artë për karrierën e tij. Edhe pse federata angleze aktualisht është në bisedime me trajnerin Sam Allardyce, De Biasi këmbëngul se ai është i interesuar të ulet në stolin e “Tre Luanëve” ku premton se mund të ndryshojë rrënjësisht mendësinë e ekipit që sipas tij i ka të gjitha mundësitë për të arritur në nivelet më të larta.
“Jam i nderuar që emri im lidhet me Anglinë pasi është një kombatëre që ka në përbërje lojtarë me talent të cilët duhen menaxhuar në mënyrën e duhur. Puna si trajner i Anglisë do të ishte një mundësi unikale për mua dhe një ofertë të tillë nuk do ta refuzoja. Jam i bindur për këtë dhe mendoj se së bashku do të arrinim rezultate fantastike”, thekson 60-vjeçari i pankinës kuqezi. Gjithsesi, sipas “The Sun”, bisedimet me Allardyce janë në fazë të avancuar dhe vetëm në rast dështimi, federata do të konsideronte mundësi të reja.

Exit mobile version