Covid-19/ BE nuk lejon hyrjen edhe pas datës 1 korrik, Nishani: Evropa ja ktheu reagimin me atë që meriton rilindsi mashtrues!

Nga Bujar NISHANI

Bashkimi Evropian ka vendosur të mos e lejojë hyrjen e qytetarëve nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut edhe pas datës 1 korrik 2020 në BE.

Arsyetimi i këtij vendimi, për shkak të raportimeve që bën qeveria ndaj COVID-19.

Por qartazi ky është një mesazh ndaj qytetarëve shqiptarë që në fakt janë ata që vuajnë pasojat.

Të nderuar miq!

Jo shumë kohë më parë kam denoncuar dhe paralajmëruar rrezikun serioz që i kanoset qytetarëve tanë për të humbur të drejtën e lëvizjes së lirë pa viza në Evropë.

Një e drejtë e fituar pas një izolimi shtazarak prej rregjimit komunist dhe pas një pune e përpjekjesh të jashtëzakonëshme për të arritur kriteret dhe standartet e kërkuara.

Vende të mëdha të Bashkimit Evropian, në mënyrë të përsëritur kane paralajmëruar rikthimin e rregjimit të vizave për Shqipërinë.

Krimi i organizuar, korrupsioni skandaloz, shkatërrimi i institucioneve të shtetit, vjedhja e zgjedhjeve, kthimi në një sistem politik pa pluralizmin dhe orientimi shpesh drejt interesave politike lindore, të gjitha këto prej qeverisjes së ri-lindsve po kërcënojnë të ri-kthejnë izolimin e shqiptarëve.

Natyrisht COVID-19 nuk ka të bëjë me këto shqetësime në rritje.

Por rasti i reagimit evropian ndaj Shqipërisë për mos hapjen e kufijve të saj edhe pas 1 korrikut është një përgjigje e qartë ndaj lojës së “pisët” të krye-rilindsit me këtë fatkeqësi natyrore në kurriz të shqiptarëve.

Fshehja e situatës së vërtetë, refuzimi për testime masive, komedia tragjike qeveritare me shkaqet e humbjes së jetës të shumë shqiptarëve, këto në pikun dhe fazën më agresive të virusit, na u kthye papritur në situatë me përhapje më masive, me numër më të lartë të infektuarish, me raste vdekje më të shpeshta, tani kur në të gjithë Evropën parametrat e COVID janë të gjithë në nivele minimale, kur arsyetimi shkencor e profesional mjekësor konfirmon dobësimin e virusit.

Loja “e pisët” politike e rilindsit, i tmerruar nga reagimet masive qytetare kundër hajnisë, korrupsionit, varfërisë, tradhëtisë e tejkalon dhe kodin e njerëzisë në raste fatkeqësie.

Evropa ja ktheu reagimin me atë që meriton rilindsi mashtrues!

Me të drejtë seicili prej nesh në këtë rast do të reagonte duke konsideruar se pasojat e këtij vendimi i vuajnë qytetarët e thjeshtë dhe jo mashtruesi!

Qytetarët e humbasin mundësinë të shkojnë e të vijnë tek të afërmit e tyre, nevojtarët e kanë të pamundur të shkojnë për kurime mjekësore, studentët humbasin shancin e shkollimit, bisneset pamundësojnë tregëtinë e kështu me rradhë…

Në emocion të parë, po! Ajo ashtu duket!

Por në logjikën e ftohtë mesazhi është vërtet për shqiptarët.

Esenca e këtij mesazhi vjen për kthjellimin e mëndjes dhe gjallërin e nervit të shqiptarëve.

Largoni mashtruesin! Shpëtoni nga keqbërësi!

Shqiptarët dhe vetëm shqiptarët mundet të ndreqin punët e tyre dhe të largojnë “dreqin nga djepi” që duhet të tundin!
#TëRingremëShqipërinë 🇦🇱

Exit mobile version