Cila ishin debatet e Presidentit Xhorxh W.Bush me Europën për Kosovën

PYETJE: Cfarë ju tha presidenti Bush kur i thatë se mund të merrni kohën e duhur për të pregatitur shpalljen e pavarësisë?
SALI BERISHA: Ata që ishin rreth presidentit Bush u gëzuan që të gjithë, sepse ata gjatë drekës më thanë se ishin shtangur se mendonin se po u thoja për dy javë. Mbrapa presidenti më tregoi se kishte patur debate, se europianët, me qëllim apo pa qëllim, përdornin rusët duke thënë që rusët dhe Vladimiri nuk pranojnë dhe pse të prishemi me ta. Plus këtu nuk ishte ndofta vetëm Vladimir por ishin ndofta dhe vendet europiane që se njohën Kosovën më vonë dhe që kishin problemet e tyre dhe gabimi më i madh i tyre ishte që i projektonin me Kosovën.
Teza jonë dhe e amerikanëve ishte “Kosova rast sui generis”. Këtu ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm i ngarkuari i presidentit Bush, Frank Uisner, i cili është një diplomat me një energji të jashtëzakonshme, me një energji të kristaltë dhe me njohje të hershme për shqiptarët.
PYETJE: Eshtë i njohur roli që kanë patur amerikanët në shpalljen e pavarësisë. Cili ka qënë roli i Republikës së Shqipërisë në fund të 2007 dhe në fillim të 2008 në pregatitjen e shpalljes së Republikës së Kosovës?
SALI BERISHA: Më shumë se në pregatitjen e shpalljes, ne jemi përpjekur të ushtrojmë ndikimin tonë në drejtim të qëndrimit të autoriteteve të Kosovës ndaj pakicave, ndaj pakicës serbe. Në atë kohë, ku përsëri gjaku nuk ishte tharë akoma, vetkuptohet që shkalla e armiqësisë, shkalla e mosbesimit ishte jashtëzakonisht e lartë. Në fakt në atë kohë ne jemi përpjekur të japim të gjithë ndihmesën tonë për një mirëkuptim më të madh me pakicat. Komuniteti ndërkombëtar për herë të parë në histori bombardoi një mik, Serbia ishte mike. Tani u dha aq shumë pas pakicës serbe sikur ajo të ishte në kushtet më të paimagjinueshme në një kohë kur ato ishin në kushte pothuaj normale, dhe mbi këtë bazë ata e bënë një çështje shumë të madhe çështjen e pakicave. Po të vësh re, Ahtisari, të cilit i detyrohemi shumë për atë projekt, por krijoi një superpakicë që është absolutisht e padobishme për shumë aspekte. Ja shih ç’bëjnë serbët tani. Në vend se të shohin të ardhmen shohin se si të destabilizojnë në veri Kosovën. Pakica kemi kudo, ka karta për pakicat, ka të drejta për pakicat, është një mozaik që i zbukuron shtetet dhe kombet prania e tyre. Mirëpo serbët kishin arritur të krijojnë një përshtypje në botë se pakica serbe është në ditën më të zezë, në terrorin më të madh, çka nuk ishte fare e vërtetë.

PYETJE: Ka qarkulluar shumë në media pamjet e 17 shkurtit të 2008 ku ju përcillnit nga ekrani televiziv fjalimin nga salla e kuvendit të Kosovës. E kujtoni si u ndjetë kur deputetët nga kuvendi i Kosovës shpallnin pavarësinë?
SALI BERISHA: Pas pavarësisë së Shqipërisë, ajo ishte dita e dytë më e rëndësishme e shqiptarëve. Natyrisht pavarësia e Shqipërisë qe një gjë e madhe se u arrit që të ketë një shtet që të shërbejë si piknisje për projekte të tjera. Per mua ajo ka qënë dita më egëzueshme e jetës time.
PYETJE: Ka ekzistuar një bindje që kur Kosova të jetë e pavarur, të ketë shtetin e saj, elitat politike në Tiranë e Prishtinë do të jenë shumë më bashkëpunuese, por e vërteta është se ka ndodhur që qeveritë nuk kanë qënë dhe aq bashkëpunuese. Përse ka ndodhur kjo? Eshtë ndonjë dakortësi e heshtur që të mos përzihen në punët e njëri tjetrit?
SALI BERISHA: Jo, jo absolutisht përkundrazi. Eshtë një mendësi, një mentalitet i vjetër i Ramës që e konsideron qëndrimin paternalist ndaj Kosovës dhe idenë që duke u pyetur për Kosovën merr peshë më të madhe, gjë e cila e ka dëmtuar shumë problemin qoftë të dialogut me Beogradin, qoftë marrëdhëniet në tërësi. Qeveria shqiptare dhe qeveria e Kosovës duhet në rradhë të parë të heqin doganat. Ne patëm bërë një punë shumë të mirë pregatitore. Studiuam modelin slloveno-austriak dhe pregatitëm gjithçka për instalimin e këtij modeli. Tani këta mblidhen, e shpallin dhe s’bëjnë asgjë. Po rikujtoj këtu së gjatë mbretërisë së Shqipërisë dhe mbretërisë së serbo-kroato-sllovene zona rreth 16 km afër kufirit nuk kishin dogana. Sikundër është e paimagjinueshme që biznesmenë në Shqipëri apo Kosovë të ngrihen kundër heqjes së doganave. Eshtë një akt i shëmtuar. Fizibiliteti është kombëtar dhe jo mbi milionat e njërit apo tjetrit sepse në mënyrë absolute edhe ai që mendon se humbet por në fakt fiton, sepse krijohet një hapsirë shumë më e madhe tregu. Këtu në Shqipëri thonë që biznesmenët e Kosovës nuk e lejuan qeverinë e Kosovës por kam parë burime të tjera që vetë qeveria shqiptare nuk lejon që të ndërtohet dogana e Kosovës në Durrës.

Nuk di si qëndron e vërteta por di që ndërtimi sa më parë i një hapsire të përbashkët ekonomike, ndërtimi i hekurudhës… Kjo qeveri ska bërë asgjë. Po të paktën të bëj projektin Milot-Prizren po ky ska bërë asgjë. Ajo është hekurudha më fizibël e rajonit, ajo do ti shërbejë të gjithë rajonit sepse portet e Shqipërisë janë portet më të përshtatshme të të gjithë rajonit. Ose në energji psh. E ndërtuan rrjetin tani e bllokon Vuçiç. Eshtë e paimagjinueshme që ai të bllokojë funksionimin e një linjë tensioni, që është e tëra investim gjerman. Ose fare mirë mund të bëjnë ndërtime të përbashkëta. Shqipëria dhe Kosova mund të ndërtonin një termocentral bashkarisht diku në rrafshin e Dukagjinit, edhe për interesa të përbashkëta por dhe si një frymë bashkëpunimi. Pra për fat të keq nuk po ecin siç duhet ecur me kapërcimin e dasive shekullore që ka ndikuar jo pak në ndarjen e kombit.
PYETJE: Ka më shumë se dy vjet që diskursi publik politik në Kosovë është i dominuar nga dy tema: marrëveshja për asocacionin e komunave me shumicë serbe dhe marrëveshja për demarkacionin më Malin e Zi, kjo i vënë si një parakusht për liberalizimin e vizave për më tepër që kohët e fundit ka përpjekje nga deputetë të Kosovës për të shfuqizuar nene të caktuara të Kushtetutës për dhoma të specializuara të Gjykatës Speciale. Si i keni parë këto zhvillime?
SALI BERISHA: Lidhur me asocacionin e komunave serbe mendoj se përgjigjen e ka dhënë Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e cila urdhëron rishqyrtimin e marrëveshjes dhe përshtatjen e saj me Kushtetutën e Kosovës. Lidhur me demarkacionin e kam theksuar dhe e theksoj se jam që ky projekt të votohet. A kanë ngelur territore të Kosovës në Mal të Zi? 100% kanë ngelur. Por të gjitha kufinjtë ne i kemi në toka tona, i kemi në territore shqiptare. Unë i besoj plotësisht deklaratës së DASH të cilët kanë bërë matje dhe thonë se Mali i Zi nuk i merr një metër katror, mbi atë kufi administrativ që ata kanë marrë për bazë, Kosovës. Unë nuk besoj se DASH ka asnjë lloj interesi që Kosova të humbasë territore nga ajo ndarje.
Unë e kuptoj nostalgjinë. Njëri ka bjeshkën aty, tjetri ka vorret. Janë të vërteta të gjitha këto. Por kufirin e përcaktuar të vitit 74, Kosova mbi atë bazë është bërë shtet i pavarur. Ndaj dhe nuk duhet që të pengohet. Ndërsa lidhur me çështjen tjetër do thoja që ajo është një ide absurde, pavarësisht se e gjithë problematika që sjell ajo Gjykatë, ajo është një marrëveshje e votuar, një ligj i votuar në Parlamentin e Kosovës ‘pacta sun servanta’. Ky është ligji i burrave dhe institucioneve serioze i të gjitha kohërave.

PYETJE: Mund të rrezikojë marrëdhëniet e shtetit të Kosovës me faktorin ndërkombëtar?
SALI BERISHA: Në mënyrë absolute i rrënon, jo i rrezikon por i rrënon. Komuniteti ndërkombëtar nuk mund të pranojë një poshterim të tillë. Sepse mbi bazën e atij ligji komuniteti ndërkombëtar ka bërë investime qindra milionë euro. Dhe i ka bërë ato i autorizuar plotësisht nga vendimi sovran i kuvendit të Kosovës. Përveç kësaj, kjo krijon ndërhyrjen immediate të Këshillit të Sigurimit, fuqizimin e mekanizmave të OKB dhe është një veprim suicidal politik. Por unë përshëndes vendimin e udhëheqjes që rishqyrtoi vendimin e mëparshëm dhe u tërhoq. Eshtë shumë e drejtë që u tërhoq. A ka gjykatë që sbën gabime? Ska gjykatë që sbën gabime. Por e ka një problem komuniteti ndërkombëtar, nuk krahasojnë agresorin me viktimën. Edhe ata e dinë se kush ishte agresori dhe kush ishte viktima dhe kur erdhi puna ata qëndruan me të gjithë forcën e tyre ajrore në anën e viktimës. Por prap së prap e dinë që krime, rregullat e luftës i thyejnë të gjitha palët. Unë nuk besoj kurrë në shpifjet e trillimet e Dick Martit për transplantin dhe e kam thënë dhe e them se nëse ajo ka ndodhur, e kanë organizuar vetë serbët, ajo është vepër serbe për të akuzuar shqiptarët sepse në mënyrë absolute nuk ka asnjë nga drejtuesit dhe jo drejtuesitqë kanë menduar në atë kohë të bëjnë para duke shitur organe njerëzish. Ka diçka. Pse Millosheviçi nuk e shtroi këtë asnjëherë në Hagë? Nëse do kishte ndodhur nga pala shqiptare nuk kishte njëri më të informuar në botë se sa Millosheviç dhe ai do ta kishte tundur atë flamur atje ditë për ditë. Ndaj dhe të marrim, ta presim atë gjykatë, të tregojmë që i nënshtrohemi ligjit ndërkombëtar dhe ligjit kombëtar dhe Kosova të eci përpara./Kohavision/

Exit mobile version