Cikalleshi: Jam gati për Italinë

Asgjë serioze për Sokol Cikalleshin. Rikthimi në Stamboll përballë ish-skuadrës së tij Basaksehir, ku vetëm pak minuta pasi u fut në lojë, u detyrua të lërë sërish fushën pas një përplasjeje me portierin kundërshtar. Për fat të mirë bëhet fjalë për një dëmtim që do ta mbajë jashtë fushe vetëm fundjavën e ardhshme, sulmuesi do të jetë gati për një grumbullim eventual me Italinë.
I lënë jashtë grumbullimit të fundit të kombëtares, Cikalleshi u transferua në janar te Akhisar pikërisht për të gjetur minutat e aktivizimit. Çfarë po ndodh me sulmuesin që jo shumë kohë më parë kryesonte hierarkinë e De Biasit në kombëtare? Komunikimet me De Biasin janë të vazhdueshme dhe Cikalleshi e pret një shans për të qenë sërish në kombëtare për takimin e 24 marsit me Italinë.
Sulmuesi i Akhisar Beledije, Sokol Cikalleshi, ka qetësuar të gjithë sportdashësit duke treguar se dëmtimi i pësuar në Kupën e Turqisë në ndeshjen ndaj ish-ekipit të tij, Basaksehir, nuk është serioz. Në një intervistë telefonike të dhënë për mediat, Cikalleshi ka folur për ekipin e tij të ri në Turqi dhe për kthimin në kombëtare.
Për dëmtimin
“Jam i lumtur që u ktheva përsëri në stadiumin e Basaksehirit, edhe pse këtë herë kundër tyre, por aty kam shumë miq dhe shokë. Më ndoqi fati i keq sepse në pak minuta që isha në fushë dëmtova gjurin në një përplasje gju me gju me portierin kundërshtar dhe dola sepse pata shumë dhembje.
Dje bëra një rezonancë dhe rezultoi që fatmirësisht nuk është dëmtim i rëndë. Nga ky dëmtim maksimumi do të humb ndeshjen e fundjavës me ekipin, pra shumë shpejt do të jem gati, çështje 3-4 ditësh”, tha ai.
Cikalleshi ka folur edhe për aventurën me Akhisarin në Turqi. “Mendoj se bëra zgjedhjen më të mirë që erdha te Akhisari sepse do të kem më shumë minuta. Ndihem shumë mirë, jemi si një familje. Po luaj dhe jam sulmuesi kryesor, por edhe këtu ka konkurrencë. Ndeshjet që kam bërë deri tani kanë qenë mjaft të kënaqshme, por uroj që të shënoj në ato të ardhshmet dhe të ndihmoj më shumë ekipin në arritjen e objektivave”, tha ai.
Më pas ka folur edhe për kombëtaren. “Problemi im që s’jam thirrur në kombëtare kanë qenë minutat e pakta që kam patur te Basaksehiri, por këtu minutat i kam dhe besoj se rikthimi në kombëtare është afër, që ndaj Italisë. Megjithatë këto i vendos trajneri, me të cilin kam folur shpesh, edhe pas dëmtimit. Të jesh në kombëtare është krenari dhe kënaqësi e veçantë. Uroj që të bëjmë gjëra të mira në rrugën drejt Botërorit”, u shpreh Cikalleshi.

Exit mobile version