Çfarë ndodh te morgu? Qytetari: “Kanë që dje më thonë 5 minuta. Më kërkojnë para shtesë për…”

Numri i lartë i personave që kanë ndërruar jetë si pasojë e infektimit me koronavirus, duket se ka sjellë mbingarkesë edhe në morgun e QSUT.

Radhë, kaos madje edhe sherr, është kjo situata me të cilën përballen familjarët e viktimave në derën e morgut, ku shprehen se askush nuk u jep informacion, madje si shkak i vonesës në procedura kanë humbur edhe orarin e varrimit.

TvT shkruan se, ka kontaktuar drejtorin e morgut për të marrë shpjegime për situatën, por ky i fundit i shkarkon përgjegjësitë drejtorisë të QSUT-së.

Kjo ka qenë situata në morgun e Tiranës këtë të diel.

“Doli një polic atje dhe tha do jetë me radhë. Këtu vijnë një nga një dhe futet ai që është më i fortë”, shprehet një qytetar që priste pranë morgut.

Familjarë të personave që kanë ndërruar jetë nga Covid 19 përplasen për radhën e tërheqjes së trupave nga morgu. Madje për të evituar kaosin është dashur edhe ndërhyrja e policisë. Qytetarët shprehen për TvTse për shkak të mosinformimit nga ana e morgut iu ka kaluar dhe ora për procedurën e varrimit të të afërmve që kanë ndërruar jetë nga Covid-19.

“Kam që dje në 5 e gjysmë. Kam nipin këtu, s’e kam marrë akoma. Kam fjetur te stolat dhe sot akoma s’e kam marrë. Nuk më informon askush. Më thonë 5 minuta, 5 minuta që dje. Kam varrimin në 3 por unë s’e kap dot”, shprehet një tjetër qytetar.

Në prani të kamerave, një efektiv policie mundohet të komunikojë me punonjësit e morgut për të sqaruar radhën.

“Futu dërgo rrobat. Një person të lutem, një person”, shprehet polici që lejoi të futet qytetari, i cili ishte në radhë që dje.

Përveç qytetarëve që prisnin me orë të tëra, kishte dhe punonjës të agjencive funerale duhet të tërhiqnin trupat nga morgu në oraret e caktuara në urdhrin e punës.

“Më kërkojnë para shtesë për oraret që mbajmë. Nuk na lënë të futemi sipas radhës”, shprehet një prej punonjësve të agjencive funerale.

Teksa situata në morg është e mbingarkuar, institucionet ia kalojnë përgjegjësinë njëri-tjetrit duke mos dhënë shpjegime për kaosin e krijuar. i kontaktuar nga TvT drejtori i morgut, Bledar Xhemali, tha se është në kompetencën e Qendrës Spitalore Universitare të japë sqarime për çdo problem që lidhet me viktimat nga Covid 19. /TVT/

Exit mobile version