Britani, për herë të parë një shumicë kundër Brexit-it

Britania e Madhe vazhdon të jetë e ndarë për vendimin e daljes nga BE. Por për herë të parë, një shumicë e pyetur e kundërshton Brexit.
Për herë të parë një shumicë britanikësh shpreh keqardhjen për vendimin për t’u larguar nga Bashkimi Evropian. Kjo rezultoi nga një sondazh e institutit demoskopik Yougov, të botuar në gazetën britanike “The Times”. Gazeta gjermane “Die Zeit” që e citon këtë sondazh, shkruante në numrin e djeshëm online se 45 për qind e personave të pyetur shprehën keqardhje për këtë vendim, 43 për qind e përshëndesin këtë vendim dhe dymbëdhjetë për qind qenë të pavendosur.
Pyetja që iu bë britanikëve ishte: “A mendoni, tani më pas, se pati të drejtë apo e pati gabim Mbretëria e Bashkuar (kur vendosi) të largohet nga BE?”. “Die Zeit” vëren njëkohësisht se rezultati i sondazhit tregon edhe më tej se britanikët janë edhe më tej të dyzuar në vlerësimin e Brexitit. 89 për qind e atyre që votuan pro qëndrimit të Britanisë së Madhe në Bashkimin Evropian i përmbahen vendimit të tyre të atëhershëm, kurse te mbështetësit e Brexitit kjo shifër është 85 për qind.
39 për qind e të pyeturve janë të mendimit se gjendja ekonomike e Britanisë së Madhe do të keqësohet jashtë Bashkimit Evropian. Dhe 36 për qind janë të bindur se vendi i tyre do të ketë ndikim më të vogël në botë, përballë 19 për qind që mendojnë se ndikimi britanik do të rritet.

Exit mobile version