Brazili kërkon hetime: Tri pyetje publike për FIFA-n

Kombëtarja braziliane ka vendosur të hidhet në sulm dhe të ushtrojë presion ndaj FIFA-s. Ajo ka kërkuar në një dokument zyrtar, që t’i dërgojë imazhe dhe audio të asaj që u tha në VAR, të dielën, gjatë ndeshjes kundër Zvicrës.
Federata e Futbollit të këtij vendi nuk e kupton se si u dha goli i Zvicrës si i rregullt, rast në të cilën ka një shtytje të dukshme të Zuber ndaj Miranda. Për pasojë, është kërkuar nga presidenti Infantino dhe institucioni që ai drejton, që të shpjegojë se si u veprua në atë ndeshje.
“Selecao”, gjithashtu, ka kërkuar të shqyrtojë penalltinë e mundshme për Gabriel Jesus në minutën e 74-t të ndeshjes. CBF bën tri pyetje: a ka dikush nga VAR-i, që të sugjerojë shqyrtimin kolegjial të këtyre veprimeve? A ka kërkuar arbitri meksikan, César Ramos, të kërkojë një konsultim me anëtarët e VAR-it? Çfarë komunikimi ka pasur mes palëve?
Duhet të ishte ndeshja e Neymarit dhe e Brazilit, një prej pretendenteve më të mëdha për titullin botëror. Por, në fakt, ishte mbrëmja e shqiptarëve që luajnë me Zvicrën. Behrami, Granit Xhaka, Shaqiri dhe Xhemaili ishin titullarë dhe mes protagonistëve absolutë të barazimit 1-1 që skuadra helvete regjistroi përballë “Seleçaos” në ndeshjen e parë të Grupit E.
Eksperiencë e pashoqe, perfekt taktikisht, por mbi të gjitha shumë vrapime dhe sakrificë. Ai që spikati më tepër ishte Valon Behrami. Lojtari i lindur në Mitrovicë kishte detyrën më të vështirë, atë të dueleve me Neymar. Me grintën dhe forcën e zakonshme që e karakterizon, 33-vjeçari e bëri të dukej puna më e lehtë në botë.
Edhe pse kishte pak punë me topin, Behrami u përfshi në duele të panumërta, duke fituar 100 për qind të topave përballë yllit brazilian të Paris Saint Germain. Madje, për të ironizuar faktin që e mbajti gjatë gjithë ndeshjes nën kontroll, nuk munguan as ngacmimet si kjo fotografi.

Exit mobile version