Biznesmeni italian që u raportua i zhdukur në Shqipëri prej 8 muajsh gjendet në Itali

Biznesmeni italian i kozmetikës, 45-vjeçari Davide Pecorreli, i cili u deklarua i zhdukur në Shqipëri, është gjetur në vendin fqinjë. “La Nacione” raporton se, Pecorreli është gjetur në një gomone në brigjet e Livornos, pranë një ishulli. Referuar të njëjtave burime, ai ishte me pushime në zonë.

Renato Pecorelli, i ati i 45-vjeçarit ka konfirmuar lajmin për mediat italiane. “Unë po shpresoja, edhe pse kishte kaluar një kohë e gjatë. Ish-bashkëshortja (e Davides) më tha se kishte folur me Daviden tim dhe se ai është mirë, tani mezi po pres ta shoh përsëri, kështu që ai do të më thotë çfarë ndodhi në ato anë… “Unë do ta përqafoj, por menjëherë pasi ‘t’i tërheq veshët’”, citohet i ati 86-vjeçar i Davides.

Babai i 4 fëmijëve u zhduk zyrtarisht në Pukë, ku kishte shkuar për një udhëtim pune. ADN-ja e tij u gjet brenda një makine tip “Skoda” e marrë me qira. Në mjetin e djegur, u gjetën së bashku me disa sende personale të tija dhe disa fragmente kockash që kurrë në fakt, nuk u provuan se i përkisnin 45-vjeçarit. Hetuesit ngritën dyshime se italiani mund të ishte vrarë. Pas humbjes së kontaktit me të, bashkëshortja njoftoi autoritetet.

“Tani do të jetë e nevojshme të kuptohet pse Davide humbi gjurmët për kaq gjatë dhe pse ishte në atë gomone në Detin Tirren, kur e dimë shumë mirë që Shqipëria është në anën e kundërt: hetuesit do të duhet të rindërtojnë atë që ndodhi me Pecorellin që nga fillimi i vitit dhe pse ishte në mes të detit dhe me sa duket, pa destinacion”, shkruan “La Nacione”.

Exit mobile version