Bizneset protestojnë për taksat e Zogut të Ramës

Bizneset kërkojnë që të niset dialogu me Bashkinë për çështjen e taksave vendore. Artan Bozo, kreu i Komitetit të Taksave dhe Ligjeve në AmCham ka kërkuar që biznesi të asistojë në hartimin e ligjeve.
“Kërkojmë që të nisim dialogun me Bashkinë për këto çështje:
1. Dokumentet që kërkohen për regjistrimin e një biznesi të ri
2. Dokumentet që kërkohen për të paraqitur një kërkese/ankesë
3. Tarifa e pastrimit të përcaktohet sipas llojit të aktivitetit. Për këtë teë përdoret kategorizimi i bizneseve sipas aktivitetit ekonomik që ato kryejnë sipas kategorizimit që përdorin edhe organet tatimore
4. Interpretimi në lidhje me tabelat që tregojnë llojin e shërbimit të ofruar, tabelat që shërbejnë për të treguar vendndodhjen e një subjekti
5. Çështja e NIPT sekondar. Përfaqësuesit tatimor, subjektet në likuidim e sipër, subjektet në status pasiv ose të pezulluar
6. Tarifa për infrastrukturën arsimore paguhet për çdo njësi (NIPT sekondar)
7. Konsultimi paraprak me grupet e interesit për nivelin e taksave, procedurat, problematikat.
Biznesi duhet të asistojë në hartimin e ligjeve”, tha z. Bozo.
Këtë deklaratë ai e dha në Forumin e Biznesit, të organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë, me Bashkinë e Tiranës me temën “Ndryshimet në tarifat dhe taksat vendore, impakti i tyre në biznes”.
I pranishëm në panel, nënkryetari i Bashkisë Tiranë, Arbjan Mazniku deklaroi se, biznesi e ka derën e hapur, qoftë kjo edhe në hartimin e buxhetit. “Kemi ngritur Komitetin Ekonomik ku ka përfaqësi biznesi. Që qyteti të marrë shërbime duhen paguar taksa. Në 2015 buxheti ishte vetëm 55 mln usd”, tha z. Mazniku.
Ai shtoi se start up do t’u mundësohet pagesa e detyrimeve në 3 muaj, nga 30 ditë që është afati sot.
“Në mbledhjen e ardhshme marrim vendim që të gjitha bizneset e reja t’u mundësojmë pagesat e detyrimeve në 3 muaj nga 30 ditë që është sot”, tha Mazniku.
Në forum, u bë e ditur se sa i përket tabelave, Bashkia ka përcaktuar që deri në 2 m2 të jetë me tarifë zero. Përfaqësuesit e Bashkisë deklaruan se 4 m2 është e mjaftueshme për informim, mbi këtë masë është jashtë logjike.

Exit mobile version