Bizneset e vdekjes/ Minierat dhe ndërtimi vranë 30 punëtorë vitin e kaluar

Të martën, dy punëtorë humbën jetën në vendin e punës. Njëri prej aksidenteve ndodhi në sektorin e minierave, ku 26 persona u aksidentuan vetëm gjatë vitit 2023.

Armond Peshku humbi jetën në minierën e Krastës, pasi një masiv gurësh është shkëputur nga tavani, po ashtu ka mbetur i plagosur dhe një minator tjetër. Po të martën një tjetër aksident me pasoje vdekjen ndodhi në një gurore në Brataj, ku humbi jetën Jurgen Veshaj.

Sipas raportit të vitit 2023 të Inspektoratit të Punës, 168 punëtorë kanë pësuar aksident në vendin e punës nga të cilët 30 kanë humbur jetën. Gjatë vitit 2023 ISHPSHSH ka regjistruar gjithsej 218 raste për aksident në punë, të cilat pas verifikimit / hetimit kanë rezultuar që: 84.8 % kanë rezultuar aksidente në punë dhe 15,2% nuk janë vlerësuar të jenë aksident në punë sipas parashikimeve ligjore. Por aktivistët e të drejtave në punë denoncojnë shpesh se ky numër është më i lartë nga sa raportohet nga ISHPSHSH.

Të dhënat e Autoriteti Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera tregojnë se sektori minerar shënon një numër të lartë të aksidenteve fatale në punë, me 40 persona që kanë humbur jetën gjatë viteve 2008 – 2022, vetëm në subjektet e licencuara. Numri i minatorëve që kanë humbur jetën në subjektet pa licencë mbetet i pa përcaktuar. Ndërtimi mbetet një ndër sektorët më problematik dhe në raportin e 2023 ISHPSHSH e ka konsideruar me risk të lartë.

“Klasifikimi i sektorit të ndërtimit si një sektor me rrezik të lartë për aksidente në punë është për shkak të zhvillimeve të mëdha në këtë sektor në Shqipëri, ka shtuar vëmendjen e institucionit për të përmirësuar qasjen e inspektimit dhe për të zgjeruar kontrollin në kantieret e ndërtimit”, thuhet në raport.

Lëvizja Bashkë aktive në çështjen e të drejtave në puna, ka reaguar për dy aksidentet që ndodhën të martën, duke vendosur theksin tek institucionet. “Si gjithmonë, institucionet e shtetit shqiptar shkojnë vetëm për t’u hedhur çarçafin e fundit viktimave të një tragjedie të vazhdueshme në punë”, thuhet në reagimin e tyre. Lëvizja Bashkë shprehet se punëtorët janë të pambrojtur nga ligji, shteti dhe punëdhënësi.

“Ata janë viktimat e pazëshme të një modeli ekonomik të bazuar te fitimi ekstrem dhe i paskrupullt. Ata janë viktimat e një administrate të korruptuar që kur kujtohet të shkojë për kontroll, nuk shikon kushtet e punës, por zarfin që nëpunësi i korruptuar merr prej biznesmenit”, thuhet në deklaratë.

Citizens Channel

Exit mobile version