Bisedë me Fituesit e Çmimeve Kombëtare të Letërsisë 2022 (Stefan Çapaliku, Mira Meksi, Olimbi Velaj, Behar Jacaj, dhe Edi Gogu)

Me datë 27 dhjetor 2023, në hotel“Plaza”, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ndau Çmimet Kombëtare të Letërsisë për vitin 2022.
Edhe këtë vit nuk u përmendën botuesit e librave që ishin në kandidim apo që fituan, thua se këto libra i kishte botuar ndonjë fabrikë birre apo këpucësh.

Laureatët e Çmimeve Kombëtare të Letërsisë Stefan Çapaliku, Mira Meksi, Olimbi Velaj, Behar Jacaj dhe Edi Ggou në gazetën “ExLibris”
Me datë 27 dhjetor 2023, në ambientet e hotel “Plazza”, në një ceremoni të thjeshtë e modeste, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ndau Çmimet Kombëtare të Letërsisë për vitin 2022.

Sikundër thanë të pranishmit, përzgjedhja u bë mes mbi tre mijë veprave të botuara gjatë vitit që shkoi, nga një juri me në krye akademik Mehmet Krajën dhe me anëtarë Saverina Pashon, Mimoza Hysajn, Shezai Rrokajn dhe Aida Tucin.

Kështu, lauretatë u shpallën: për Romani më i mirë i vitit: Stefan Çapaliku me romanin “Një engjëll veshë me frak”, botimet “Gjergj Fishta”; për Vëllimi më i mirë poetik i vitit: Olimbi Velaj për librin “Lumturia e të tjerëve”, botimet “Aleph”; për Përkthimi më i mirë i vitit: Mira Meksi për librin “Vjeshta e patriarkut”, G. G. Marquez, botimet “Onufri”; për Vëllimi më i mirë me tregime i vitit: Behar Jacaj për librin “Hoteli përbri kishës”, botimet “Albas”; për Vepra më e mirë studimore letrare e vitit: Xhevat Lloshi me librin “Udhëkryqet e Kristoforit dhe aventura e librit shqip”, botimet “Uegen” dhe për Libri për fëmijë më i mirë i vitit, Edi Gogu për librin “Tezja dhe shkopinjtë magjikë”, botimet “Albas”.
Secilit iu dërgua e njëjta intervistë të shkurtër me gjashtë pyetje dhe, përveç prof. Xhevatit që shprehu dëshirën të mos përgjigjej për arsyet e tij, të tjerët dhanë përgjigjet e mëposhtme.


Kohë më parë, kujtoj një gazetar që pyeti një shkrimtar të madh: “Çfarë është për ju një libër i ri?”. Ai ju përgjigj: “Një libër i ri është një libër i ri,” dhe iku nga këndi ku po zhvillohej intervista. Prandaj e kam me drojë t’ju pyes “Çfarë është për ju një çmim i ri?”, pasi jam i sigurt se mund të marr një përgjigje të ngjashme me mikun gazetar. Ndaj, nëse jo për këtë pyetje, ju ftoj të më tregoni pak për ndikimin, nxitjen, motivimin apo pasojën e çfarëdollojtë që një çmim i ri, aq më tepër çmimi kombëtar, ka për ju.

a photo by fahredin spahija

Stefan Çapaliku: Unë do doja të kishim shumë çmime dhe të mos ngelte njeri pa marrë çmime. Në Shqipëri të merresh me letërsi është sport i rëndë. Do më pëlqente që çdokush që merr pendën të tregojë diçka, për të cilën nuk e zë gjumi i natës, të merrte një çmim. Do doja që çmimet të shtoheshin kaq shumë, nëpër bashki, komuna, fshatra, ndërmarrje me turrne dhe pa turrne, organizata, reparte ushtarake, posta policie, tragete, stacione hekurudhore etj., saqë ashtu si paraja kur pëson inflacion, të dalin prej qarkullimi, derisa të pritet nga Banka Kombëtare një kartmonedhë e re.

Shkrimtari shqiptar është një hekakeq në kërkim të një klime miqësore për veprën e vet, klimë që kurrë nuk ka ekzistuar dhe as nuk ekziston në këtë vend. Kësisoj do na duhet t’i propozojmë dhe ripropozojmë tekstet tona, duke i ekspozuar edhe për vlerësime.

Në këtë kutptim do doja shumë që për të vertetuar, për të satën herë, se letërsia shqipe është një për shkak të gjuhës shqipe, të jepej një çmim i vetëm si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë dhe kudo tjetër ku shkruhet shqip. Le të jetë një çmim i madh, i rëndësishëm, si çmimi Atila në Hungari përshembull, që merret vetëm njëherë në jetë dhe mbasiqë e merr atë nuk konkuron kërkund më, (pra nuk porositë açuge mbas levrekut të egër). Kështu mund të kishim edhe ne çmimin “Skenderbe”, që t’i jepej një shkrimtari të rndësishëm, jo domosdoshmërisht çdo vit dhe të kishte një shumë prej të paktën 100.000 eurosh. Do kompensonim kësisoj të gjitha haraçet që historia jonë duhet t’i pagujë shkrimtarëve të vet.

Mira Meksi: Një çmim i ri letrar është thjesht një çmim i ri letrar. Asgjë më shumë apo më pak. Nga praktika e gjatë që kam me çmimet letrare, qoftë kur i kam krijuar vetë dhe i kam dhënë në bazë të subjektivizmit tim personal dhe të askujt tjetër, apo kur i kam marrë nga Ministria jonë e Kulturës për veprat e mia, kam arritur në përfundimin se: subjektivizmi ekstrem është përcaktuesi i tyre. Një subjektivizëm që është rritur nga viti në vit duke marrë formën e tarafit, nepotizmit, klanizmit apo edhe të sulmit ndaj vlerës së vërtetë. Me përjashtime të rralla, të cilat gjithsesi ekzistojnë dhe duhen marrë në konsideratë, pasi aty qëndron edhe shpresa e vakët se gjithçka mund të ndryshojë një ditë, gjykohet shkrimtari dhe jo vepra. Marrja e një çmimi letrar kombëtar është kthyer thjesht në një lavdi fluturake që konsumohet tryezave me shokët e miqtë, apo një “mburkë” naive që vendoset si medalje në gjoks dhe shfaqet në të gjitha format e saj vizuale në rrjetet shoqërore. Sinqerisht, nuk i njoh ndonjë tjetër vlerë çmimeve letrare, përveçse atë të miklimit të egos së shkrimtarit. Nuk e mohoj që për disa çaste sjell një lloj emocioni, sepse rremtësisht mendon se çmimi do të të ngjisë në një shkallë të caktuar të sistemit të vlerave në letërsi. Pastaj, me zemrën e çliruar nga emocioni, kupton se nuk ka shkallë për t’u vendosur, se ky sistem nuk ekziston, se ka vetëm një shëmbëlltyrë të tij të deformuar si mos më keq. Apo të krijohej iluzioni se çmimi gjithsesi do t’i bëjë një jehonë vlerës së librit, se do të blihet më shumë, se do të lexohet më shumë. Pastaj sërish arsyeja e ftohtë të tregon se lexuesi e njeh “lojën” e çmimeve, se nuk bie assesi në kurthin e tyre, se vërtetë e ka shumë të vështirë të orientohet në xhungën e pakapërcyeshme të botimeve, veprave të gjithëfarëlloj skribanëve që mëtojnë të quhen medomosdo shkrimtarë, sikur prej ketij ofiqi të varej jeta, dhe pavdekësia e tyre, se e ka të pamundur t’u bëjë ballë fishekzjarrëve të rrjeteve shoqërore, hipokrizisë së sheqerkave me ngjyra dhe pëlqimeve marramendëse, por nuhatja ama nuk e lë në baltë, – ja del një ditë të krijojë shtegun e tij të mundimshëm në xhungël, që e shpie pagabueshëm te vepra e mirë.

Por edhe kur çmimet letrare qëllojnë në shenjë, kur vlerësohet vepra e duhur, mos mendoni se ka ndikim, nxitje apo motivim, sepse thelbi i thelbit është sistemi i vlerave, ngrehina e tij, ku çdo gur përfaqëson një vlerë. E kur vetë ky sistem nuk ekziston, kur ngrehina vetë nuk është veçse një karakatinë qesharake, me bie sot bie nesër, ku do të zerë vend vlera e re? Askund.

Olimbi Velaj: Për mua është një çmim që e vlerësoj shumë. Nuk besoj se ka poet në botë që të mos gëzohet për respektin që i bëhet brenda gjuhës së vet, brenda kombit të vet. Poezia është esenca e gjuhës dhe kur të çmojnë në vendin tënd, domethënia është e madhe, sepse pikërisht në gjuhën amtare lexohesh 100% në çdo kuptim, ngjyrim e nuancë. Vetëm një lexues shqiptar mund ta shijojë 100% poezinë shqipe. Në këtë logjikë, besoj është e qartë pse e çmoj kaq shumë dhe pse gëzohem kaq shumë për marrjen e këtij çmimi. Poezia është në margjinat e vlerësimit, jo vetëm në nivele kombëtare, por edhe në rang botëror. Unë ndihem me fat që poezisë iu rikthye vendi i merituar në çmimet tona kombëtare. Do të doja që poezisë si zhanër të mos i mohohej kurrë një vend në çmimet kombëtare, sepse ajo është kurora e gjuhës shqipe, është zhanri më i vjetër, më i lëvruari dhe që ka arritur nivele shumë të larta. Këto janë edhe disa arsye të forta pse ky çmim ka një rëndësi të madhe.

Behar Jacaj: Siç e thashë edhe në fjalën time të rastit, ky është një nga ato çmime që, për shkak të peshës dhe rëndësisë, nuk kam guxuar as ta ëndërroj, ndaj sigurisht që ishte një surprizë, një kënaqësi dhe privilegj i jashtëzakonshëm. Pastaj si çdo  privilegj tjetër, sjellë me vetë një drojë të natyrshme, sepse, qoftë edhe vetëm për një çast, dritat bien mbi ty, mbi emrin, mbi punën tende, por kjo drojë është një haraç që jam i lumtur ta paguaj.

Edi Gogu: Ju falënderoj shumë për intervistën dhe në përgjigje të pyetjes së parë, më duhet të bëj një rrëfim ose më mirë, të shpreh me “zë të lartë” ato ndjesi që pushtuan mendjen dhe zemrën time ndërsa shtrëngoja në duar Çmimin Kombëtar të Librit më të mirë për fëmijë. Nga njëra anë e peshores, është kënaqësia e madhe e vlerësimit të punës sime dhe njëkohësisht, ashtu heshturazi në krahun tjetër të saj, zë vend një ndjenjë e madhe përgjegjshmërie për të vazhduar punën dhe për tu afruar te lexuesit e vegjël dhe te familjet e tyre, me krijime të bukura, që i nxisin dhe i motivojnë fëmijët jo vetëm për të lexuar, por edhe drejt reflektimit dhe përqafimit të vlerave dhe virtyteve më të mira njerëzore, të cilat unë dëshiroj kaq shumë që t’i përcjell te lexuesit përmes rrëfenjave dhe personazheve te mi.

Kur lëviz mes dy a më shumë zhanreve të shkrimit, bie fjala bie shkrimtar dhe përkthyes; romancier dhe tregimtar, studiues dhe krijues, dramaturg dhe poet, eseist dhe prozator, pra kur nuk e ke shkrimtarinë eksluzivisht të orientuar drejt një dhe vetëm një zhanri, si e përjetoni vlerësimin? Mendoni se ndoshta, nëpërmjet këtij çmimi, bëhet natyrshëm edhe ajo përzgjedhje e zhanrit që ju përshtatet më shumë? Pra nëse shkruani tregime dhe prozë të shkurtër, por vlerësoheni për prozën e gjatë, ky i fundit është zhanri juaj; nëse jeni edhe studiues, edhe krijues por vlerësoheni për krijimin, ky është zhanri juaj e kështu me radhë?

Stefan Çapaliku: Unë lëviz mes zhanresh të ndryshme sepse e shoh që letërsia për shkrimtarin është si një palestër e madhe me gjithfarë veglash. Unë ushtrohem. Nuk jam kalë garash. Ushtrohem për të siguruar një jetëgjatësi të shëndetshme, nuk dua të përfundoj në një shkrimtar paraplegjik.

Sa i takon faktit që çmimi mund të realizojë në mënyrë të natyrshme zhanrin që më përshtat më shumë, mendoj se është gabim. George Bernard Shaw thoshte: “I vetmi person që vepron me arsye asht rrobaqepësi im. Ai ma merr masën, sa herë që më sheh. Të tjerët shkojnë simbas matjeve të veta të mëparshme.”

Mira Meksi: Duke iu referuar asaj çka thashë më sipër, çmimi i marrë në aksh apo aksh zhanër të shkrimit (unë kam marrë çmime kombëtare për përkthimin, prozën e gjatë dhe eseistikën) nuk ka, gjykoj, asnjë ndikim në përzgjedhjen e zhanrit nga ana e autorit, çka i përgjigjet një tjetër ligjësie.

Olimbi Velaj: Jeta e ka sjellë që unë së pari të njihem si poete dhe mbi të gjitha unë ndihem poete. Që nga vitit 1993 fillova punën si reportere, ku jo rrallë kam lëvruar edhe reportazhin letrar. Kam marrë çmime si gazetare, jam vlerësuar së fundi edhe si studiuese, por ky çmim për poezinë më rikonfirmon edhe një herë (së jashtmi) se e kam më për zemër këtë “zeje”. Jam marrë e merrem kohë pas kohe edhe me përkthime poezish, por të gjitha këto qasje nga drejtime të ndryshme ndaj gjuhës, veçse më ndihmojnë që ta perfeksionoj të shkruarin e poezisë.

Behar Jacaj: Janë të rrallë autorët që i përkasin eksluzivisht një zhanri. Unë nuk jam pjesë e këtyre të rrallëve.  Kam filluar të shkruaj vjersha që përpara pubertetit, dhe, herë pas here akoma shkruaj poezi. Publikoj shumë pak poezi dhe do të botoj akoma edhe më pak, sepse besoj që poezia është një esencë gati-gati hyjnore. Kam shkruaj dhe botuar shumë tregime. Kam mbaruar së shkruari një roman të  cilin shpresoj ta botoj në vazhdim. Në gjykimin tim, zhanri nuk lidhet edhe aq me ‘feedback-un’ që merr prej tij, por nga ide që të veton në kokë. Ka disa ide, shkëndija që janë aq të gjata sa vetëm proza e gjatë mund t’i zërë. Ka shkëndija të tjera që rrinë shumë mirë në tregim sepse aq janë, dhe po u mundove t’i zgjasësh mund të dalin të sforcuara, me shumë ujë të panevojshëm. Pastaj ka edhe frymëzime të çastit që nëse nuk rrinë dot në poezi, nuk mund të rrinë askund tjetër. Për këtë mund të citoj Sabaton që thoshte se tema zgjedh autorin, autori mund të zgjedhë vetëm stilin me të cilin do ta shtjellojë temën në fjalë! Pra, për tu kthyer tek pyetja juaj, jo çmimet, por as vetë autori nuk e detyron vetën të shkruaj në një zhanër apo mënyrë të caktuar. Mendoj se kjo lind vetvetiu, në mënyrë të natyrshme, sepse fundja, vetëm kur vjen në mënyrë të natyrshme ka më shumë gjasë të ketë vlerë.

Edi Gogu: Çdo shkrimtar e shpreh veten e tij, ndjesitë, përjetesat, frymëzimin e vet, përmes artit magjik të të shkruarit. Shumë herë e gjej veten që i rrëfen/shpreh thellësitë e shpirtit apo ndjenjat e koklavitura në mëdyshje përmes një poezie dhe në ato momente e ndjej që kjo mënyrë të shprehuri më rri mirë. Më pëlqen shumë edhe proza e gjatë, pasi më jep të gjithë lirinë e nevojshme që të shkel e të hulumtoj hapësira të reja ku koha ngrin dhe mund të ngjitem pa u ngutur shkallareve që të çojnë në katet e mistershme mbi re, apo të zbres thellë në ato humnera pa dritë, ku gjej të regëtijë një zemër e bukur prej këngësh të fikura prej mallit.

Kur flasim për zhanrin e shkrimit për fëmijë, e gjithë qenia ime pluskon në lumturi. Jam e magjepsur me botën e fëmijeve, kam shijuar çdo grimcë të fëmijërisë së fëmijëve të mi dhe kemi shëtitur së bashku shumë planete që ekzistojnë vetëm në botën e fantazisë, kemi krijuar dhe kemi njohur kaq shumë personazhe bashkë, saqë unë një këmbë e mbaj ende me shumë dëshirë në botën e mrekullueshme të fëmijëve. Fëmijët janë melodia e jetës dhe ata meritojnë që të rriten të frymëzuar për të hulumtuar vetë botën e mrekullueshme të fantazisë, ku pemët janë në ngjyrë vjolë, çatitë prej  kërpudhash dhe reshë, ku iriqët dinë të dhurojnë dashuri të butë e të mirë, ku breshkat janë guximtare siç është Tuli-Turtuli (personazhi kryesor i librit me të njëjtin titull), ku lundërzat janë rrobaqepës të zotë dhe motrat Merimangas janë endëse të shkëlqyera të veshjeve.

Motivacionet për secilin vlerësim janë të ndryshme. Ata lëvizin nga një hapësirë në tjetrën, nga një qasje te tjera, nga një çast historik te tjetri… Tek përsiasnit pas marrjes së çmimit kombëtar, e keni çuar ndonjëherë ndër mend se pikërisht motivi i këtij vlerësimi ju ka shtyrë në një moment gjatë punës për ta çuar atë gjer në fund? Pra, keni menduar se puna, vepra, përkthimi do të sjellë këtë qasje të veçantë, ndaj edhe e keni shtyrë veten të mos ndaloni, por përkundrazi?

Stefan Çapaliku: Dua të ndalem më gjatë te motivacioni me të cilin më është dhënë çmimi, që siç e theksoi kryetari ishte i vetmi që nuk qe konsensual. (Me këtë rast falënderime të posaçme shkojnë për ata anëtarë që votuan për “Engjëllin”).

Po e citoj motivacionin pa i hequr një germë: “I jepet autorit Stefan Çapaliku me romanin “Një engjëll veshë me frak”, për një shkathtësi rrëfimi dhe gjetjesh të përdorur tradicionalisht në prozën romanore, tejkalon këtë kufizim dhe veprës i jep shtrirje më të gjerë dhe personazhit referencë polivalente.”

Tani le t’i marrim me radhë elementet e këtij motivacioni në një analizë të përciptë semantiko-sintaksore:

1. Çmimi i jepet autorit për “…shkathtësi gjetjesh të përdorura tradicionalisht”, do të thotë që gjetjet e autorit mbështeten në traditë, janë trashëguar nga e kaluara, janë vazhdimësi e kulturës letrare për vite e vite të tëra. Nuk ka risi në këtë gjë. E veçanta, sipas këtij formulimi, është që autori ka përdorur me shkathtësi mekanizmat e njohur  traditës letrare.

2. Fjalia e nënrenditur vijuese “tejkalon këtë kufizim”, tregon një rimarrje përmbajtësore të asaj çka është thënë në pjesën kryesore të periudhës, por në të vërtetë më sipër nuk kemi një referencë semantike në fjalinë kryesore, pasi atje na është dhënë një arsye pse autori e meriton çmimin dhe motivimi i çmimit nuk mund të jetë kufizim. Pra, lidhja e papërshtatshme e fjalive me njëra-tjetrën dhe mosrespektimi i rregullave semantiko-sintaksore të shqipes në formulimin e periudhave, ka rezultuar në një paradoks.

3. “Veprës i jep shtrirje më të gjerë” – këtu kemi një krahasim, por me çfarë krahasohet? Shtrirje më të gjerë se çfarë, se kush?! Edhe këtu mungon referenca e krahasimit.

Dhe për të mos u zgjatur më tej në këtë paradoks mund t’ju them se formulimi i mësipërm  logjikisht përbëhet nga  një fjali kryesore me një folje drejtuese, e cila ndiqet nga një parafjalë që shpreh shkak, pra, kemi  strukturën sintaksore – semantike të tipit: Diçka i jepet dikujt për këtë dhe për atë arsye. Më konkretisht, duke përdorur këto motivime, logjika semantiko-sintaksore në shqipe duhej të rridhte e tillë: “Autorit i jepet çmimi për shkathtësinë e rrëfimit, për gjetjet e përdorura në prozën romanore, për tejkalimin e kufizimeve të gjetjeve tradicionale, për shtrirjen e gjerë që i jep veprës dhe për referencën polivalente që u jep personazheve”.

Mira Meksi: Absolutisht jo. Kurrë s’më ka shkuar mendja te ndonjë çmim letrar gjatë procesit të të shkruarit. Është absurde. Por për mua. Sepse tani që po e mendoj, ju keni të drejtë dhe përligjet pyetja juaj po të kemi parasysh çmime të tilla letrare si ai “Kadare”. Sepse kam dëgjuar autorë dhe aspirantautorë të deklarojnë faqe të gjithëve se shkruajnë libra për t’i paraqitur për çmimin që sapopërmenda. Pra motivi i shkrimit të tyre është çmimi letrar.

Olimbi Velaj: Po. E kam ditur që herët se puna ime me poezinë ishte origjinale, sepse i kam kapërcyer shumë herët modelet nga të cilat inspirohesha në fillimet e mia dhe rreth të njëzetave e kisha lënë pas “kopjimin”, reminishencën. Qe pikërisht kjo gjë që më bëri të dukshme që në fillimet e publikimeve te “Zëri i Rinisë” dhe “Rilindja”. Që më 1993 më vlerësuan me një çmim për poet debutues dhe më 1998, botimi i vëllimit të parë u realizua falë një konkursi kombëtar. Në një mënyrë ose në një tjetër, në fillimet e mia vlerësimet qenë në sinkroni me vlerën. Mendoj se kam qenë me fat, sepse shumë herët kam krijuar bindjen e brendshme, por si shumë poetë në vend (dhe në botë), puna për të siguruar jetesën dhe përpjekja për të mos humbur integritetin në një vend që po rrëshqiste me shpejtësi drejt kaosit, e pati një efekt edhe tek unë. Nuk u mora dot aq intensivisht me poezinë, nuk e pata kohën e qetësinë që i duhet një poeti për t’u rritur natyrshëm, po megjithatë i qëndrova besnike tekstit dhe vijova të shkruaja shumë sinqerisht, pa e menduar më vlerësimin dhe mjedisin. Pata fat edhe për faktin se relativisht herët munda të merrja pjesë në disa festivale ndërkombëtare të poezisë që qenë shumë serioze, të komunikoja me poetë botërorë bashkëkohorë, të botohesha në disa gjuhë në kuadrin e antologjive dhe revistave letrare. Në motivacionin e këtij çmimi e gjej të përmbledhur pothuajse të gjithë rrugëtimin tim drejt individualitetit poetik nga fillimet e deri tani.

Behar Jacaj: Për shkak edhe të formimit tim ndoshta, por gjatë gjithë kohës që shkruaja dhe rishkruaja këto tregime më ka ngacmuar bota e errët e personazheve. Psikika e tyre. Jam munduar të shtjelloj traumat e tyre, frikërat, mekanizmat mbrojtës që ata përdorin gjatë veprimtarisë ose mosveprimtarisë së tyre. Dhe kur lexoj se motivacioni fillon me fjalinë; “për një pasqyrim psikologjik të shtjellimit të botës së brendshme…”, me bën të ndihem mirë që ajo që jam munduar të përçoj tek lexuesi nuk ka kaluar pa vënë re.

Por kaq. Nuk mendoj se motivacioni ka forcë më tepër. Zakonisht mua më nxit të shkruaj fakti që vetëm duke e shkruar mund të shpëtoj nga ideja që më ngulitet në kokë.

Edi Gogu: Motivimi im ndërsa përpiqem që ta shpreh frymëzimin përmes rrëfenjeva për fëmije, janë pikërisht lexuesit e mi të vegjël. Ata kam ndërmend ndërsa shkruaj dhe mendoj vallë do t’i pëlqejnë personazhet e reja me të cilët kam dëshirë që t’i prezantoj? Unë kam dëshirë që fëmijët të lexojnë libra çdo ditë dhe përmes tyre, ata të argëtohen dhe të mësojnë për jetën. Nëse fëmijët dhe familjet zgjedhin të lexojnë prej librave të mi, atëherë ky është motivimi im për të vijuar me libra të tjerë.

Kjo është një pyetje së cilës, pjesa dërrmuese e jofituesve e çmimeve do të përgjigjeshin “Jo!” Prandaj, dua të di edhe mendimin tuaj, bashkë me pse-në e tij. A mendoni se Çmimet Kombëtare të Letërsisë krijojnë një hirearki të sinqertë dhe të vërtetë të vlerave letrare?

Stefan Çapaliku: Deri diku “Po” dhe deri diku “Jo”

Mira Meksi: Unë jam fituese e disa çmimeve letrare dhe them me plot gojën Jo. Arsyet i rendita më sipër.

Olimbi Velaj: Për fat të keq ose të mirë, unë kam qenë reportere kulture në gazeta të rëndësishme kombëtare për shumë vjet dhe e njoh nga brenda edhe procesin letrar pas ’90, edhe mekanizmin e vlerësimit. Por ajo që dua të theksoj është se juritë përbëhen nga njerëz profesionistë dhe gjithë puna është se sa me integritet janë këta profesionistë. Juritë i japin vlerë çmimit dhe autorit. Kur nga subjektivizmi nuk shpëtojnë dot juri të mëdha deri te Nobeli, sigurisht që nuk kam iluzione për nivelin lokal. Më ka qëlluar të jem edhe vetë njëherë pjesë e një jurie për çmimet kombëtare, para pak vitesh dhe e njoh nga brenda këtë proces. Mund të pohoj me bindje të plotë se kur më shumë se gjysma e jurisë përbëhet nga profesionistë me integritet, atëherë fitojnë vlerat e letërsisë kombëtare. Në fund, paratë e taksapaguesve shqiptarë duhet të shkojnë për të bërë shoshitjen e vlerave vjetore në fushën e letërsisë dhe çdo devijim tjetër që nuk i shërben këtij qëllimi final, nuk ka si të jetë korrekt. Për jurinë aktuale, duke qenë një nga fitueset e këtij viti ndodhem në konflikt interesi dhe nuk më takon të gjykoj. U jam mirënjohëse të gjithë anëtarëve të kësaj jurie dhe po aq vlerësoj poetët që ishin në garë. Pati prej tyre që më befasuan me dashamirësinë dhe korrektesën së pari si njerëz e pastaj si kolegë e miq, sepse me shumicën prej tyre ndajmë shumë më shumë sesa njohjen së largu.

Për të vijuar me pjesën e dytë të përgjigjes: hierarkia që krijojnë çmimet është e sinqertë në përpjestim të drejtë me integritetin e jurive respektive. Ne jemi një vend i vogël, i përkasim një gjuhe që nuk çan dot me lehtësi në nivelin ndërkombëtar, jetojmë në një kohë kur mungon kujdesi për përzgjedhjen e talenteve që në bankat e shkollës dhe në një kohë kur gjithfarëlloj megalomanësh, grafomanësh e ekzibicionistësh e shohin letërsinë si një trampolinë për popullaritet. Shtëpitë botuese nuk kanë borde dhe shpesh njerëz që kanë dëshirë për famë, mund ta blejnë me para edhe publicitetin, i cili, duke u amplifikuar, krijon iluzionin e vlerës. Prandaj juritë duhet ta kenë shumë parasysh se puna e tyre nuk është vetëm seleksionimi profesional, por edhe një mision kombëtar. Njerëzit e jurisë, nëse për vete kanë pasur një karrierë të denjë, të krijuar pa avantazhe, pa hile, pa kulisa, por vetëm përmes meritokracisë hap pas hapi, nuk gjykojnë kurrë për koniukturë (nuk ia lejojnë vetes), por reflektojnë maturi dhe drejtpeshim, objektivitet dhe arsye. Dhe në një farë kuptimi ata janë “rojet” e vlerës, ose “doganierët” e saj. Kush më shumë sesa shteti shqiptar mund të kujdeset për vlerat e vërteta të letërsisë shqipe dhe për vëmendjen që duhet të marrin autorët më të mirë të saj? Janë pikërisht juritë ato që “licensojnë” autorët dhe që u japin atyre “vizën” për të kaluar përtej kufirit kombëtar. Është mirë që të shohim qoftë edhe fqinjët tanë përreth se çfarë kujdesi tregojnë për autorët e tyre. Ndërsa ideale do të ishte që të vinte një ditë e të kishim po atë ndërgjegje e modesti që kanë nordikët, të cilët janë modeli më i mirë në botë për sa i përket vlerësimit të drejtë dhe mbështetjes së ndershme të autorëve në letërsitë kombëtare.

Behar Jacaj: Jo vetëm  çmimet kombëtare, por nuk besoj se ekziston  një çmim i caktuar që krijon një hierarki të vërtetë letrare. Sjell ndërmend që edhe çmime të mëdha, me famë mbarë botërore, vazhdimisht janë kontestuar për zgjedhjet e tyre. Pa dyshim  që çmime të caktuara tentojnë të afirmojnë shkrimtarë të caktuar, por nuk mund t’i përcakojnë ata. Aq më pak mund të  përcaktohen ata që nuk nderohen me këto çmime. Thënë kjo, mendoj se letërsia e ka shumë e vështirë, madje e ka të panevojshme që të krijojë një hierarki. Kujtojmë  që hierarkinë të mirëfilltë krijon vetëm pushteti. Artet në përgjithësi dhe letërsia në veçanti  lindën si një nevojë për t’u liruar nga hierarkia dhe shkallëzimi. Nëse ekziston një fare hierarkia në letërsi, ajo mund të ndërtohet nga lexuesit, nga jetëgjatësia dhe universaliteti i një vepra, por kurrsesi nuk mund të ndërtohet nga çmime të caktuara. Edhe kur krijohet një hierarki e vërtetë letrare, ajo është shumë fluide, e ikshme dhe mund të mos ketë pamjen e një piramide të zakonshme, por mund të shëmbëllejë me një sferë që  është vazhdimisht në lëvizje!

Edi Gogu: Dua ta filloj përgjigjen duke falënderuar në radhë të parë anëtarët e jurisë të cilët kanë lexuar shumë libra dhe mes tyre kanë bërë përzgjedhjet dhe vlerësimet. Unë ndihem e vlerësuar prej tyre dhe po aq falënderuese jam edhe për lexuesit të cilët janë gjithashtu kritikë të çmuar e me vlera.

Shumë autorë mund të mos jenë vlerësuar nga kritikët në kohë të caktuara, por lexuesit dhe koha kanë treguar që ata kanë lënë gjurmën e tyre në botën e letrave.

Proza shqipe, tregimi shqip, poezia shqipe, përkthimi në shqip, libri për fëmijë më i mirë në shqip. Si e mendoni, i përgjigjen këto simotrave të veta në gjuhë të tjera, le të themi simotrave evropiane? A e kanë krijuar folenë për të zënë vendin e tyre mes shkrimtarësisë së botës?

Stefan Çapaliku: Unë nga formimi intelektual jam strukturalist dhe nuk mendoj asnjëherë se një element i sistemit (kupto këtu “letërsia”) mund të ketë identitet jashtë sistemit. Pra vazhdoj me qenë i mendimit se letërsia jonë nuk mundet me qenë më mirë se spitalet, shkollat nuk munden me qenë më mirë se hekurudhat e kështu me radhë, pavarësisht nga ndonjë relativizim i lehtë.

Mira Meksi: Folenë jo, assesi. Ka zogj të rrallë tanët në qiellin e botës që buajnë në foletë e të tjerëve.

Olimbi Velaj: Nuk kam mjaftueshëm informacion për t’iu përgjigjur shterueshëm kësaj pyetje për zhanret e tjera, por aq sa di për poezinë, mund të them se ka disa poetë që na përfaqësojnë mirë (edhe përtej gjuhës sonë), që qëndrojnë denjësisht përkrah kujtdo poeti cilësor botëror në ditët e sotme. Nuk kam komplekse për cilësinë e poezisë shqipe dhe vitet e fundit arritjet personale të disa poetëve më gëzojnë dhe ma përforcojnë idenë se qëndrojmë mirë në poezi. Perceptimi im është se do të duhej më shumë dashamirësi brenda vendit për ata poetë që nuk janë menaxherë të mirë të vetes. Jemi një vend i vogël, një audiencë e vogël, një treg pa agjentë letrarë dhe ku botimi e shitja e librave me poezi është një dhimbje koke për botuesit e librashitësit. Por po aq jemi një vend me një nivel artistik mbresëlënës dhe që nuk duhet nënvlerësuar. Mendoj se në fazën ku jemi, na vlen shumë ndershmëria e të gjykuarit të vlerave. Personalisht nuk e ngatërroj kurrë vlerën me publicitetin. Poezia e mirë, me apo pa reklamë, i flet lexuesit, e gjen rrugën për tek ai, sikurse poezia e dobët, edhe pse mund të bërtasë, prapë nuk ngjit. Unë i jam përkushtuar mësimdhënies së letërsisë dhe një prej lëndëve që jap në fakultet është edhe Shkrimi Krijues. Puna për këtë kurs më ka bërë të lexoj shumë dhe me vëmendje autorë që shpesh mungojnë në tekstet tona shkollore, që thuajse nuk përfshihen në antologjitë e rëndësishme dhe që nuk listohen asgjëkundi, por që vlejnë shumë më shumë se autorë të tjerë, të mirënjohur. Ndiej turp për këtë përjashtim dhe përpiqem që, me aq sa mundem, brenda orëve që kursi me lejon, t’ua përcjell studentëve këto vlera që lihen në hije.

Behar Jacaj: Letërsia shqipe është  një pafundësi e mbushur me rryma dhe frymë sa që është e pamundur të mos u përgjigjet frikërave, nevojave, dëshirave, ëndrrave,  dilemave ekzistenciale që ka shpirti i njeriut. Dhe për aq kohë sa e bën këtë, padyshim ajo që ngrihet në lartësinë e simotrave të saj. Çdo letërsi ka elementët e saj që spikasin, ka edhe elementë që bëjnë zhurmë, por nuk thonë asgjë. Unë i mbahen bindjes që e mira dhe e keqja, e bukura dhe e shëmtuara, mund të ndikohen, por kurrsesi nuk mund të përcaktohen nga një kombësi, racë, gjini, apo moshë e caktuar. Njëjtë edhe për letërsinë. Pa dyshim  që letërsia shqipe është letërsi  e një gjuhe të vogël, në kuptimin numërik të fjalës,  por mendoj se ajo i përngjan letërsive gjuhëve më të mëdha. Pastaj për folenë që zë letërsia jonë në arenën nderkombëtare do të na duhej të flisnim për shkaqe politike, ekonomike, social-kulturore dhe shkaqe të tjera që s’kanë të bëjnë shumë me thelbin e letërsisë.

Edi Gogu: Të gjitha kategoritë që ju përmendët janë përfaqësuar nga shkrimtarë dhe studiues shqiptarë, të cilët shprehin përmes punëve dhe krijimeve të tyre, botën dhe jetën shqiptare dhe padyshim që janë pjesë e trashëgimisë sonë kulturore.

Të gjitha intervistat, kudo, në fundin e vitit mbyllen me një urim për vitin që vjen. Duke parë gjendjen e përgjithshme të shoqërisë, si e shihni vitin e ardhshëm dhe me çfarë urimi mund ta shoqëroni atë?

Stefan Çapaliku: Uroj të gjithë lexuesit në përgjithësi dhe të mitë në veçanti. Do doja shumë që ato të shtohen. Kolegëve të mi i uroj që gjatë vitit që vjen të lexojnë sa më shumë, se leximi na rikthen frymëzimet.

Një falenderim të madh për Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit dhe jetë të gjatë “Exlibris”!

Mira Meksi: Do të na duhej një intervistë e gjatë për të shtjelluar anlizën mbi gjendjen e përgjithshme të shoqërisë. Nuk mendoj se do ketë ndonjë ndryshim thelbësor vitin e ardhshëm. Ndryshimet kërkojnë shumë kohë. Ajo që do të uroja unë, dhe që lidhet, pa dyshim, me letërsinë, është të nisë sa më parë shkatërrimi i plotë i karakatinës qesharake të këtij të ashtuquajturit sistem vlerash letrare në Shqipëri, dhe të nisë hedhja e bazës së sigurtë që do të mbajë ngrehinën e re dhe të vërtetë të sistemit të vlerave në letrat shqipe.

Olimbi Velaj: Uroj që shoqëria shqiptare të “konsumojë” sa më shumë art të vërtetë, të lexojë më shumë poezi e të shohë sa më pak reality show e telenovela dhe, mundësisht, të mos dëgjojë asnjë lajm nga politika e nga kronika e zezë. Urimi im është që ne si shoqëri të jemi më realë, larg padrejtësisë, vanintetit e brutalitetit. Uroj që viti 2024 të jetë një vit i mbarë për gjithë shqiptarët kudo!

Behar Jacaj: Do më duhej një guxim që nuk e kam, për të bërë një parashikim, por ajo që mund të bëj është të lutem dhe të uroj më të mirën.  Nga përdorimi i tepërt, është bërë thuajse bajat përfytyrimi që Borhes ka për parajsën, si një vend i mbushur me shumë libra. Unë do të lutesha që Shqipëria të bëhej një parajsë e mbushur, jo vetëm me libra, por edhe me lexues!

Urimet më të sinqerta.

Qoftë një vit i begatë për të gjithë ne!

Edi Gogu: Padyshim urimet e mia janë për një vit të mbarë për të gjithë, me shëndet të plotë, gëzime, kujtime të bukura, kurajo për të mos u dorëzuar, fuqi për t’u ringritur në këmbë nga sfidat, dëshirë për të mbjellë të mirën dhe sado të vështira që të jenë situatat, të mos humbasim  kënaqësinë e rrugëtimit që na jep një libër i mirë dhe të mos druhemi të ruajmë pafajësinë dhe çudinë e të jetuarit në botën e përrallave./ exlibris.al

Exit mobile version