Berisha zbardh kur mbërriti virusi: Rasti zero është ai që njoftoi Ministri turk me 2 mars

Ndërsa të gjithë njohim si rastin zero 28-vjeçarin që udhëtoi nga Firence dhe infektoi të atin, ish-kryeministri Berisha thotë se rasti zero është ai që njoftoi Ministri turk me 2 mars.

“ Ka një dramacitet në çdo gjë në shpirtin e tij (Ramës). Sa i përket rastit zero duhet të falenderojmë Ministrin e Shëndetësisë të Republikës së Turqisë që na njoftoi se rasti zero kishte fluturuar nga Tirana nëpër Stamboll me 2 mars dhe ishte shtruar me koronavirus në SHBA.

Për të mos thënë se kishte një vdekje jashtëzakonisht të dyshimtë në Korçë etj. A është kjo paaftësi apo papërgjegjshmëri nuk mund ta them. Por u humbën më shumë se 2 muaj kohë pa marrë asnjë masë të vetme. E papranueshme”, tha Berisha.

Në një lidhje me skype për “360 Gradë” në Rtv Ora, Berisha denoncoi se në dy muaj përpara se virusi të shpërthente në vend nuk u bë asnjë përgatitje jo vetëm për popullatën por as për personelin mjekësor.

“ Nuk u bë përgatitja më minimale jo për popullatën por të paktën për personelin shëndetësor. Të garantoheshin maskat dhe kostumet që duheshin për ata që janë në vijën e parë të luftës kundër kësaj. Mungesë e plotë përgjegjësie.

Nëse shefi i ekzekutivit rri 2 muaj duarkryq kur kjo epidemi tronditi botën më shumë se çdo epidemi tjetër pas gripit spanjoll do të thotë se është i paaftë.E them që mos të qëndrojmë prapë në bisht të kohës se qëndrimi në bisht të kohës ka gjithmonë pasoja më të rënda”, tha Berisha.

Exit mobile version