Basha dënon dhunën ndaj protestuesve: Sjellje tipike e një regjimi!

Kreu i opozitës, Lulzim Basha reagoi për dhunën policore ndaj disa aktivistëve të shoqërisë civile, që po protestonin në sheshin “Skënderbej”. Basha tha në konferencën për shtyp se, tani është njohur me ngjarjense. Ai tha se, dhuna policore është një sjellje tipike e një regjimi, të një diktature.

“Është e njëjta gjë që ndodhi dje dhe pardje, e dënoj me ashpërsi maksimale këtë sjellje prej regjimi. Është shkelje elementare e të drejtave të njeriut ky trajtim që i bëhet njerëzve që protestojnë për liritë dhe të drejtat kushtetuese. Nuk ka gjasë të ndodhë në një vend që pretendon të hapë negociatat me BE, është ngjarje tipike për një regjim”, tha Basha.

Sipas Bashës, protesta është liri e patjetërsueshme. ”Asnjë gjendje e fatkeqësisë natyrore nuk kufizon të drejtën për të prorestuar, qytetarët marrin masa për të respektuar distancën që të mos shkelen udhëzimët që kanë të bëjnë me shëndetin, por nëse kushtet zbatohen, asnjë shtet veç diktaturës nuk ka të drejtë të kufizojë këtë liri themelore”, tha Basha.

Pyetje: Në këto momente në sheshin “Skënderbej” policia po ushtron terror ndaj disa bashkëqytetarëve të cilët po protestojnë kundër ndryshimeve në Kodin Penal. Është ushtruar dhunë ndaj disa personave, janë shoqëruar disa të tjerë. Keni një koment, pasi këta persona rrezikojnë të ndëshkohen me ndryshimet e reja në Kodin Penal?

Lulzim Basha: Dua ta dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë sjellje prej regjimi. Kjo është një shkelje e të drejtave elementare të njeriut. Ky lloj trajtimi që i bëhet në mënyrë antikushtetuese, antiligjore njerëzve që po protestojnë për të drejtat dhe liritë e tyre themelore kushtetuese, nuk ka vend, nuk ka gjasë të ndodhë në një vend që pretendon të hapë negociatat me Bashkimin Europian.

Kjo është një ngjarje tipike për një regjim, i cili edhe shtetin, edhe ekonominë e ka vendosur në funksion të një grushti njerëzish. Protesta e qytetarëve është një liri e patjetërsueshme. Asnjë gjendje e fatkeqësisë natyrore nuk mund të kufizojë të drejtën për të protestuar. Natyrisht si kudo tjetër qytetarët marrin masa për të respektuar distancën dhe për të siguruar kushtet e higjienës personale në mënyrë që të mos shkelen ato udhëzime që kanë të bëjnë me shëndetin.

Por nëse këto kushte zbatohen asnjë shtet përveç diktaturave nuk ka të drejtë të kufizojë liritë dhe të drejtat e njeriut, ku e drejta për të protestuar, e drejta për t’u mbledhur dhe për të ngritur zërin është elementare. Ndaj dua ta dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë që po raportoni se po ndodh dhe ju siguroj që menjëherë pas kësaj konference për shtyp do ta ndjekim hap pas hapi.

2 19

Exit mobile version