Basha: Çështjet e mbetura për zgjidhje, përmes dialogut politik

Grupi parlamentar i PD nisi dje diskutimin e draftit të amendamenteve kushtetuese për Reformën në Drejtësi. Në një prononcim për mediat pas mbledhjes së grupit, Basha kërkoi dialog politik për zgjidhjen e pikave që po diskutohen.
“Dua të falenderoj përfaqësuesit e opozitës në Komisionin Ad-Hoc për Reformën në Drejtësi dhe ekspertët e opozitës, të cilët kanë bërë një punë të jashtëzakonshme. Dua t’i falënderoj nga zemra për cilësinë e kësaj pune. Sot Grupit parlamentar të Partisë Demokratike iu bë një prezantim i plotë i draftit të amendamenteve kushtetuese për Reformën në Drejtësi me të gjitha reflektimet e ekspertëve dhe anëtarëve tanë të komisionit.
Parlamentarët tanë, parlamentarët e opozitës do të marrin gjithë javën e ardhshme, deri të mërkurën e ardhshme do të bëjnë një diskutim të zgjeruar për këtë draft të amendamenteve kushtetuese, i cili në vlerësimin tim i jep zgjidhjet më të plota dhe më racionale për të gjitha çështjet e mbetura peng si rezultat i mungesës së dialogut politik dhe po kështu të shpreh shpresën se ky dialog politik nuk do të vonojë. Bëhet fjalë për komponentin e sistemit, pasi për komponentin antikorrupsion Partia Demokratike tashmë është shprehur qartë dhe prerë pro krijimit të strukturave të posaçme antikorrupsion, SPAK-ut, BKH-së, apo siç quhet tani njësisë hetimore të posaçme dhe natyrisht edhe pro procesit të verifikimit të integritetit të figurës së gjyqtarëve e prokurorëve apo siç njihet në anglisht procesit të “Vetingut”.
Për pjesën e sistemit ku “Venecia” ka thënë qartë që palët politike duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët për t’i ofruar shqiptarëve zgjidhje të standardit europian, Partia Demokratike ka tashmë një draft të konsoliduar, që u është prezantuar parlamentarëve. Dhe javën e ardhshme pas një diskutimi në grupin parlamentar të rakorduar plotësisht, ky draft do të përbëjë edhe bazën e negociatave tona me Partinë Socialiste, me Lëvizjen Socialiste për Integrim në procesin e finalizimit të diskutimit të draftit kushtetues për Reformën në Drejtësi” u shpreh Basha.

Exit mobile version