Banega zyrtarisht te Interi, firmos për 3 vite

Lajmi që të gjithë tifozët e Interit prisnin, tashmë ka ardhur, Ever Banega është zyrtarisht një futbollist i skuadrës zikaltër. Konfirmimi për kalimin e mesfushorit argjentinas në Milano u bë i ditur nga vetë klubi i Interit në faqen zyrtare. Ish- lojtari i Sevillas ka firmosur një kontratë 3-vjeçare dhe do të jetë pjesë e skuadrës zikaltër për 3 sezonet e ardhshme. Ever Banega është goditja më e madhe e Interit deri tani në merkato. Me transferimin e 28-vjeçarit të kombëtares albiceleste te skuadra zikaltër, potenciali i mesfushës së Interit rritet ndjeshëm, pasi Banega është një lojtar i rëndësishëm teksa në 2 vitet e fundit ka dhuruar paraqitje mbresëlënëse me fanellën e Sevillas, duke fituar në dy raste trofeun e Europa League.
Prej kohësh flitej se ishte arritur marrëveshja për transferimin e argjentinasit te Interi dhe pritej vetëm zyrtarizimi, por tashmë që edhe ai ka ardhur tifozët e Interit mund të festojnë. Ever Banegës në fund të sezonit të kaluar i përfundoi kontrata me Sevillan dhe ai u transferua te klubi zikaltër me parametër zero. Banega në karrierën e deritanishme ka zhvilluar 47 ndeshje me kombëtaren argjentinase, duke shënuar dhe 4 gola.
Leonardo Bonucci është i pashitshëm për Juventusin. Kampionët e Italisë kanë refuzuar një ofertë me vlerë 45 milionë euro të Manchester City. Mbrojtësi është një ndër lojtarët e preferuar të trajnerit Pep Guardiola, që synon ta transferojë me çdo kusht në Premier League-n angleze.
Për të bindur lojtarin, “citizens” i ofrojnë rrogë prej 7 milionë eurosh në sezon, e pavarësisht rezistencës së bardhezinjve, drejtuesit e Manchester City-t mund të rikthehen në sulm me një tjetër ofertë milionere.
Më 23 ahkurt të këtij viti, menjëherë pas sfidës së Bayern Munchen me Juventusin, Guardiola zbuloi “dashurinë futbollistike” për mbrojtësin e kaltër, duke deklaruar se “Bonucci është prej kohësh një prej lojtarëve të preferuar”.
Dhe ashtu si pritej, me emërimin në krye të Manchester City, tekniku spanjoll doli zbuluar, duke kërkuar ta tërheqë me vete në Angli. Oferta është mjaft e mirë, por Juventusi e cilëson lojtarin një element tejet të rëndësishëm dhe një prej shtyllave të ekipit.
Tashmë mbetet për t’u parë nëse “Zonja e Vjetër” do të vazhdojë të rezistojë, përballë një tjetër oferte të “citizens”, që falë potencialit të frikshëm financiar kanë treguar se në fund e marrin gjithmonë atë që duan.

Exit mobile version