Atentati në Vlorë, gjenden gjurmë në automjetin e dy atentatorëve

Ekspertët kriminalistë kanë gjetur gjurmë dhe mbetje biologjike, në automjetin që dyshohet se është përdorur nga autorët e atentatit të dyfishtë në Vlorë mbrëmjen e së mërkurës. Burime pranë Policisë së Shtetit i thanë “Televizionit Klan” se, gjurmët dhe provat e gjetura janë fije flokësh që mund të çojnë në identifikimin e autorëve, që qëlluan mbi biznesmenin Mirvjen Hyseni dhe drejtorin e OSHEE- së së Vlorës, Roland Saliu.
Me mbetjet biologjike, pritet që ekspertët të ndërtojnë edhe profilet gjenetike të autorëve, për t’i krahasuar më pas me ato të personave të dyshuar. Në Institutin e Policisë po ekzaminohet edhe kallashnikovi i gjetur në mjetin u djegur në dalje të fshatit Panaja.
Autorët kanë qenë dy persona të maskuar që më pas hapën zjarr drejt tavolinës ku ndodheshin Hyseni dhe Saliu. Lëvizjet e tyre mësohet se janë regjistruar nga kamerat e sigurisë së disa bizneseve të zonës. Ndërsa kamerat e barit të hotel “Vlorës”, ku ndodhi krimi nuk ishin funksionale.
Tre grupe hetimi po veprojnë në terren, thonë zyrtarë të lartë të Policisë së Vlorës. Janë marrë në pyetje jo vetëm dëshmitarë në vendngjarje, por edhe të njohur, familjarë të viktimave dhe persona me percedentë të mëparshme kriminale. Të njëjta burime thanë se po hetohet në disa pista, dhe nuk përjashtohet mundësia që lidhet me aktivitetin e biznesmenit kohët e fundit. Megjithatë informacionet mbahen të rezervuara për shkak se grupet e hetimit po vazhdojnë të marrin në pyetje persona që dyshohet se mund të kenë informacion rreth atentatit. Ekzekutimi ndodhi mbrëmjen e mërkurë në qendër të Vlorës. Mirvjen Hyseni ishte ulur dhe po pinte kafe në verandën e hotelit të tij, dhe më pas i është bashkuar dhe Saliu. Atentati ndodhi vetëm pak minuta më vonë. Në drejtim të tyre u qëllua me breshëri, ndërsa makina e autorëve ishte ndaluar vetëm pak metra larg tavolinës ku ndodheshin viktimat.

Exit mobile version