Atentat biznesmenit Gjoka, 15 plumba makinës së blinduar

Makina e blindur e biznesmenit Dashamir Gjoka është qëlluar dje me breshëri kallashnikovi. Ngjarja ka ndodhur mesditën e djeshme rreth orës 14:00 në hyrje të Shijakut, ku vetë Gjoka drejtonte makinën. Burimet nga grupi hetimor bënë të ditur se, të paktën 15 plumba janë zbrazur mbi makinën e biznesmenit. Burimet thanë se, makina e Gjokës është qëlluar nga një tjetër makinë që po ecte paralel me të. Mësohet se një person ka qëlluar me kallashnikov në drejtim të automjetit me të cilin udhëtonte Gjoka dhe familja e tij, por fatmirësisht si pasojë e të shtënave nuk ka pasur të plagosur.
Automjeti me të cilin udhëtonte familja Gjoka është i blinduar dhe kjo ka qenë arsyeja se si përfunduan të palënduar personat që ndodheshin në makinë. Ngjarja ka ndodhur në hyrje të qytetit të Shijakut, konkretisht pak metra larg Bashkisë së qytetit. Sipas policisë, dyshohet që të këtë qëlluar vetëm një person, i cili ishte kamufluar afër vendit të ngjarjes. Të njëjtat butime sqarojnë se në këtë atentat është përdorur armë automatike kallashnikov.
Autori ka qëlluar të paktën 15 plumba në drejtim të makinës se blinduar. Nga të dhënat paraprake dyshohet që ngjarja të ketë motive hakmarrje, duke marrë shkas nga e kaluara kriminale e Gjokës. Sipas policisë, Dashamir Gjoka në vendin tonë njihet si biznesmen për shkak të aktiviteteve të shumta tregtare, ndërsa në Itali, njihet si kreu i një organizate kriminale që shfrytëzonte femrat për prostitucion si dhe për trafik të lëndëve narkotike.
Prej vitesh, Gjoka banor i fshatit Sallmone Shijak, aty ku dhe ka ngritur bizneset e tij, mbetet nën hetim nga Prokuroria, por edhe nga sektori i antimafias për shkak të pasurisve të patundshme të pajustifikuara. Organi i akuzës vazhdimisht ka ngritur dyshime se Gjoka ka krijuar asete pasurore me financime që rrjedhin nga aktiviteti kriminal në trafikun e drogës në Itali dhe shfrytëzim të prostitucionit. Këto dyshime janë ngritur në bazë të akteve të siguruara nga ana e autoriteteve italiane, të cilët pohojnë se i pandehuri Gjoka ka siguruar shuma të konsiderueshme nga aktiviteti kriminal vepra penale të kryera gjatë viteve 2002-2003.
Nëpërmjet këtyre të ardhurave të paligjshme, Gjoka ka investuar në prona të paluajtshme në Shqipëri, duke ndërtuar kompleksin tregtar dhe një godinë shërbimi 2-katëshe, si dhe me terrene sportive. Prokuroria e Durrësit vazhdimisht gjatë hetimit ka konstatuar se ai i ka investuar në ndërtimin e këtyre dy objekteve me qëllim fshehjen e mbulimit të të ardhurave të paligjshme të këtyre parave. Që prej shtatorit të 2015, Prokuroria për Krimet e Rënda ka kërkuar disa here sekuestron preventive të bizneseve të Gjokës si dhe të 15.300 m2 katror truall, në kuadër të hetimit pasuror që ka nisur për zbatimin e ligjit “Antimafia”.
Në muajn mars atij iu sekuestrua pasuria, por më pas Gjykata e Apelit rrëzoi vendimin e Shkallës së Parë duke i rikthyer pronat Dashamir Gjokës. Organi i akuzës kërkoi që të lihet në fuqi vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, e cila vendosi konfiskimin e disa pasurive të paluajtshme, vlera totale e të cilave vlerësohet në mbi 200 milionë lekë të reja.

Exit mobile version