Arsenali mban Sanchezin

Arsene Wenger këmbënguli se komplikimet financiare nuk janë aspak të rëndësishme kur diskutohet çështja e Alexis Sanchez te skuadra e Arsenalit. Trajneri francez tha se sulmuesi problematik, që ende nuk ka firmosur rinovimin, me të gjitha gjasat nuk do të shitet, edhe nëse kjo nënkupton që londinezët të humbasin miliona paund nga largimi i tij falas, verën e ardhshme.
Sulmuesi kilian ka vetëm 12 muaj të mbetur në kontratë dhe do të ishte i lirë të largohej nga “Emirates Stadium”, nëse nuk pranon kontratë të re. I pyetur mbi një përditësim në çështjen e kontratës së futbollistit latin, trajneri i Arsenalit ishte i qartë.
“Nuk kemi bërë aspak progres në këtë fushë. Për momentin, Alexis Sanchez është një futbollist që po konsumon vitin e fundit të kontratës, por duhet të bëjmë një zgjedhje mes eficencës në fushë dhe interesit financiar. Në këtë dilemë, unë favorizoj anën sportive”, tha Wenger.
Sanchez është objektiv i gjigantëve të Premier League, si Manchester City dhe Chelsea, por la të kuptohet se nuk do të lëvizë në merkaton verore. Ai shmangu gjithashtu paralelet krahasuese me sulmues të tjerë. “Nuk mendoj se ka një situatë të njëjtë dhe krahasim me Diego Costën te Chelsea. Ne e duam Sanchezin në fushë dhe jo jashtë”, tha Wenger.
Liverpuli ka dalë triumfues nga transferta gjermane ndaj Hoffenheim, e vlefshme për turin e tretë kualifikues të Champions League. “The Reds” kanë fituar me rezultatin 1-2, duke shënuar nga një gol për çdo pjesë loje, ndërsa vendasit ngushtuan diferencën në minutën e 87 me anë të Uth. Kështu ekipi i Klopp, hodhi një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit për në fazën e grupeve të Champions League.
Fitore me rëndësi arriti edhe Karabagu i Ansi Agollit, 1-0 ndaj danezëve të Copenhagen, ndërsa kapiteni i kombëtares kuqezi luajti për 90 minuta. Në ndeshjet e tjera të zhvilluara, ra në sy barazimi 0-0 i Sportingut të Lisbonës, ndaj rumunëve të Steaua Bukuresht, ndërsa qipriotët e Apoel dhe rusët e CSKA hodhën hap të rëndësishëm drejt kualifikimit. Ditën e mërkurë zbritën në fushë edhe ekipet e futbollistëve të kombëtares shqiptare si Napoli i Hysajt, Basaksehir i Cikalleshit, por edhe Olympiakos i drejtuar nga Besnik Hasi.

Exit mobile version