Arratiset nga komisariati i policisë Pukë një i arrestuar

Një 20-vjeçar i arrestuar është arratisur nga Komisariati i Policisë së Pukës në momentin kur po bëhej gati për t’u transferuar në dhomat e paraburgimit të Komisariatit të Shkodrës. Zyrtarisht policia njofton se ngjarja ndodhi rreth orës 11:00 kur po plotësohej dokumentacioni për transferimin e tij. Ai është Ermirjon Nikja, banues në lagjen “Don Bosko” të Tiranës.
Ai është arrestuar disa ditë më parë, më 6 shtator pasi dyshohet se është autori që grabiti me dhunë një emigrant më 24 gusht në Gomsiqe. Kur policët po kryenin procedurat, Nikja përfitoi duke dalë nga dera prej druri. Më pas ai zbriti shkallët dhe u largua në drejtim të paditur. Të njëjtat burime thanë se ambienti ku po qëndronte Nikja nuk ka asnjë kusht sigurie, ndërsa dhomat e izolimit të katit të parë kanë qëndruar të mbyllura.
Burime paraprake policore nga Komisariati i Pukës bënë të ditur se, Emirjoni ka qenë duke u nxjerrë nga dhomat e shoqërimit për t’iu drejtuar automjetit të policisë që do ta transportonte drejt dhomave të paraburgimit të Komisariatit të Policisë Shkodër. Në momentin që dy efektivët e policisë kanë qenë duke i vendosur prangat është konfrontuar fizikisht me ta dhe më pas ka arritur të dalë nga ambientet e komisariatit me shpejtësi.
Një patrullë është përpjekur ta ndjekë, por 20-vjeçari me banim në “Don Bosko” ka arritur të humbë gjurmët. Ermirjon Nikja ishte arrestuar më datën 06 shtator 2017 nga forcat e Komisariatit të Policisë nr. 3 Tiranë për llogari të Komisariatit të Policisë Pukë.
Ai dyshohet se është autori i grabitjes me dhunë të një shtetasi në Gomsiqe, ngjarje e ndodhur më 24 gusht 2017. Ditën e djeshme Nikja kishte seancën gjyqësore për vlerësim të masës së sigurisë, ku gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj tij.
Ndërkohë, për këtë ngjarje SHÇBA ka arrestuar 2 punonjës policie, që shpërdoruan detyrën dhe për pasojë u arratis nga Komisariati i Policisë një i ndaluar. Në vijim të informacionit mbi largimin nga dhomat e shoqërimit të Komisariatit të Policisë Pukë të shtetasit E.N., SHÇBA ka arrestuar në flagrancë punonjësit e policisë inspektor P.B., dhe inspektor D.P., me detyrë trupë shërbimi pranë këtij komisariati.
Arrestimi i dy punonjësve u bë pas kryerjes së veprimeve hetimore ku u konstatua se nga ana e tyre nuk janë zbatuar detyrat funksionale të përcaktuara për sigurimin e personave të shoqëruar dhe ambienteve ku ata qëndrojnë.

Exit mobile version