Arban Djaloshi pranon vrasjen e babait: Ishte i alkoolizuar dhe e rrihte nënën

Arban Djaloshi, pranon vrasjen e babait dhe justifikon krimin me faktin se i ati ishte i alkoolizuar dhe dhunonte nënën. Para hetuesve, mësohet se Djaloshi ka pranuar vrasjen, duke treguar se e kishte goditur disa herë në kokë babain me sende të forta, duke i shkaktuar dhe vdekjen. Ai ka thënë se për të fshehur autorësinë e vrasjes e kishte nxjerr babain Mirosh Djaloshin te porta e shtëpisë, për të krijuar bindjen se është dhunuar nga persona jashtë banesës. Pas arrestimit dhe marrjes në pyetje, ai ka shfajësuar nënën dhe vëllain tjetër të arrestuar, duke pranuar se krimin e ka bërë pa dijenin e tyre. Për këtë fakt, Prokuroria e Durrësit ka ngritur akuzën e “vrasjes në familje” duke e transferuar dosjen pranë Prokurorisë për Krime të Rënda, e cila ka për kompetencë hetimin dhe gjykimin e këtyre rasteve.
Sipas akuzës, mëngjesin e datës 18 mars të këtij viti në fshatin Shkallë, Komuna Manëz të Durrësit, policia është njoftuar për një viktimë pranë portës së shtëpisë. Nga këqyrja janë konstatuar plagë në kokë që si pasojë ka gjetur vdekjen. Pas hetimeve paraprake, ka rezultuar se viktima Mirosh Djaloshi nuk kishte konflikte me njeri, por me djemtë dhe bashkëshorten për shkak të konsumit të tepërt të alkoolit.
Hetuesit thonë se pas hetimeve operative janë ngritur dyshime se autorët e vrasjes janë djemtë dhe bashkëshortja e tij. Dy ditë më parë, tre pjesëtarët e familjes Djaloshi u arrestuan, ku djali i madh ka pranuar krimin, duke treguar edhe momentin e vrasjes. Në deklarimet dhënë hetuesve, Arban Djaloshi ka pranuar vrasjen, duke treguar se ishin konfliktuar brenda në banesë dhe më pas e ka qëlluar në kokë me sende të forta, çka i ka sjellë vdekjen. Ndërsa në darkë vonë e ka nxjerrë trupin e babait, duke e lënë jashtë portës hyrëse, për të larguar dyshimet se krimin e ka kryer ai brenda banesës.

Exit mobile version