Antistalinizëm evropian në Shqipërinë staliniste?!

Nga Nebil ÇIKA

Kjo nuk është një foto e para vitit 1990 e as në ndonjë cep të humbur të Shqipërisë, kjo foto është bërë më 23 gusht 2017, Ditën evropiane të Përkujtimit të Viktimave të Nazizmit e të Stalinizimit, në një nga zonat më të populluara të Tiranës, te mbikalimi në Unazën e Re në vazhdimin e Rrugës së Kavajës drejt Kombinatit. Është një tabelë sinjalizuese e vendosur atje nga Ministria e Transporteve apo Bashkia e Tiranës, nuk e di mirë kush e ka kompetencë, vetëm pak muaj më parë. Është pronë shtetërore dhe po ta prishësh përfundon në burg. Për ata që nuk e dinë, 21 Dhjetori që shënohet në tabelë është ditëlindja e autorit më të madh të krimeve kundër njerëzimit ndoshta në historinë botërore, diktatorit të ish–Bashkimit Sovjetik, Josif Visarionoviç Stalin. Nuk e di kush e ka marrë vendimin për vendosjen e kësaj tabele me këtë simbol të krimeve komuniste, por di me siguri që në Tiranë e Shqipëri nuk ka ndonjë objekt, rrugë apo institucion me këtë emër që ta sinjalizojë tabela në fjalë, gjë që besoj se qeveritarët, shtetarët e politikanët duhet ta dinë shumë më mirë se ne. Në këto kushte lind pyetja: Përse qeveria shqiptare apo Bashkia e Tiranës rikthejnë ditëlindjen e kriminelit më të madh të njerëzimit në një nga kryqëzimet më të rëndësishme të vendit 27 vjet pas rënies de jure të komunizmit stalinist shqiptar?! Unë nuk shoh ndonjë arsye tjetër përveç atyre ideologjike, pra nostalgji dhe rikthim i simboleve komuniste nga qeveria Rama dhe Bashkia Tiranë. Por nuk është vetëm kjo. Gjëja e parë që bëri Erion Veliaj sa mori drejtimin e Bashkisë së Tiranës ishte ngritja e një monumenti kushtuar 21 Dhjetorit, ditëlindjes së Stalinit në Sheshin “Ataturk”, pikërisht në sheshin që mbante këtë emër në kohën e diktaturës staliniste të Enver Hoxhës. Pra, siç shihet rehabilitimi i figurës së Stalinit nuk është një rastësi, por projekt i rilindjes socialiste Rama-Veliaj. Ma ha mendja që autorët e këtyre “haleve” janë të qartë për atë çka bëjnë, por duhet thënë se edhe reagimi i opozitës dhe shoqërisë për këto fenomene gjithnjë e në rritje ka qenë pothuaj inekzistent. Gjithnjë kam theksuar mungesën e ideologjisë tek PD-ja dhe fakti që Stalini promovohet publikisht nën hundën e saj është prova më e mirë për këtë.
Po sot, si për ironi, si pjesë e një ceremonie zyrtare në Muzeun Historik Kombëtar, Ditës evropiane të Përkujtimit të Viktimave të Nazizmit e të Stalinizimit të organizuar nga Muzeu dhe Autoriteti i hapjes së dosjeve të Sigurimit të Shtetit, një aktivitet që organizohet për herë të parë në Shqipëri. Korrekt dhe risi nga ana formale pasi për herë të parë pranohet standardi i BE-së në barazimin e trajtimin e krimeve naziste dhe ato komuniste, por më shumë se hipokrizi po të kemi parasysh kushtet e Shqipërisë dhe raportin e shtetit, politikës dhe shoqërisë me diktaturën komuniste dhe krimet e saj. Dua të theksoj që edhe në BE u deshën shumë vite debate e diskutime për të mbërritur në një përfundim e rezolutë që e barazon trajtimin e krimeve naziste e komuniste për shkak të kundërshtimit të së majtës evropiane. Duhet theksuar se në të kundërtën me atë që ndodh në Shqipëri ishin vendet ish-komuniste anëtare të BE-së, sidomos ato baltike dhe të Evropës Qendrore e Lindore që këmbëngulën dhe realizuan e miratuan këtë rezolutë. Zgjodhën në mënyrë domethënëse 23 shtatorin ditën kur në vitin 1939 u firmos marrëveshja nazeto–sovjetike Molotov-Ribentrop që e ndante Evropën midis BS dhe Gjermanisë. Kjo ishte një marrëveshje që u respektua nga komunistët në të gjithë Evropën, si edhe ata shqiptarë, të cilët nuk u angazhuan, madje bashkëpunuan, në asnjë aksion antifashist apo antinazist deri në prishjen e marrëveshjes në vitin 1942. Është fakt që shumica e viktimave të krimeve komuniste në Shqipëri ishin edhe antifashiste, ndërkohë që shumë drejtues të lartë të kubizmit ishin fashistë apo bashkëpunëtorë të tyre.
Por le të rrimë tek problemi jonë më i madh. Tabelat, emrat e rrugëve dhe monumentet me emrat dhe ditëlindjet e autorëve të krimeve komuniste janë vetëm pjesa më e dukshme e asaj që po ndodh në raport me diktaturën në Shqipëri. Ne jemi i vetmi vend ish-komunist evropian që nuk kemi dënuar ligjërisht krimet e komunizmit dhe autorët e tyre. Për shkak të kësaj ata dhe pinjollët e tyre politikë e gjenetikë, jo vetëm dominojnë emrat e vende publike, por janë pjesë e politikës, Parlamentit, qeverisë, drejtësisë, administratës shtetërore, rretheve akademike, mediave etj. Shumica e viktimave të komunizmit të pushkatuar, vdekur në burgje apo në kampet e internimit janë ende pa një vend varri pasi nuk ka ligj që të detyrojë vrasësit apo arkivat të tregojnë se ku i kanë varrosur xhelatët ato. Vendet e tjera ish-komuniste evropiane jo vetëm që i kanë dënuar ato, por shumica e tyre kanë miratuar ligje të ashpra për ta që mohojnë krimet e komunizmit. Në Shqipëri autorët e krimeve deklarojnë publikisht dhe me mburrje në media e libra se janë autorë të krimeve dhe politika e drejtësia rri e bën sehir, një pjesë e saj edhe me admirim.
Në këtë raport me të kaluarën komuniste Shqipëria vazhdon të jetë ende një vend stalinist. Ajo që e bën edhe më të rëndë situatën është sjellja hipokrite dhe standardi i dyfishtë që përfaqësuesit e BE-së që merren me Shqipërinë. Në konferencën përkujtimore foli edhe ambasadorja e Gjermanisë në Shqipëri, e cila çuditërisht tha se Shqipëria ka bërë përparime në raport me krimet e komunizmit. Unë besoj se ambasadorja dhe kushdo i huaj tjetër që merret me Shqipërinë e di pak a shumë realitetin. Sigurisht që diplomacia ka rregullat e saj të komunikimit, por mendoj se kur bëhet fjalë për krime kundër njerëzimit siç janë këto të komunizmit diplomacia duket e pavend. Mirë të tjerat po tabelën apo monumentin me ditëlindjen e Stalinit në mes të Tiranës nuk i shohin këta diplomatë? A mund të ndodhë një gjë e tillë në Gjermani, Poloni, Hungari etj.? Nuk guxojnë as ta mendojnë.
Si përfundim theksoj se ky raport me të kaluarën kriminale komuniste është edhe diferenca më e madhe që kemi ne me popujt e kombet e qytetëruar evropiane. Mërzitemi e reagojmë kur ata na thonë se nuk jeni të denjë për të qenë pjesë e BE-së, por mesa duket kanë të drejtë. Vërtet besojmë se mund të jemi pjesë e qytetërimit euroatlantik duke adhuruar Stalinin, Enverin dhe kriminelët e tjerë komunistë dhe duke demonstruar këtë zyrtarisht e publikisht?!

Exit mobile version