Allegri te Chelsea

Massimiliano Allegri është në krye të listës së Chelsea-t që po kërkon pasardhësin e Antonio Kontes dhe ai tashmë ka arritur marrëveshjen për t’u transferuar në “Stamford Bridge”. Me Konten që pritet të largohet nga kampionët në fuqi të Premier League në fund të sezonit, raportet në Itali besojnë se trajneri i Juventus është i pari në radhë për të marrë drejtimin e skuadrës londineze. “Corriere dello Sport” pretendon se Allegri është kandidati kryesor për të zëvendësuar trajnerin që zëvendësoi tek Juventus më 2014.
Gazeta raporton se Juventus nuk ka ndërmend të heqë dorë prej trajnerit, i cili ka një kontratë deri më 2020. Allegri ka fituar titullin e Serie A në tre sezonet e tij të para në Torino dhe skuadra e tij aktualisht është në vend të dytë të renditjes, një pikë pas kryesuesve të Napolit.
Ai gjithashtu ka udhëhequr gjigantët italianë në dy finale të Champions League, por i ka humbur të dyja si ndaj Barcelona-s më 2015 ashtu edhe ndaj Real Madrid më 2017. Konte ka vuajtur të replikojë sezonin e kaluar te Chelsea, ku u shpall kampion pas një paraqitje fantastike të skuadrës së tij.
Max Allegri ka arritur shifrën e 200 fitoreve në Seria A, 100 prej të cilave në stolin e Juventusit, “autostradën” e tij. Pas një humbjeje me Lucenton dhe dy finaleve të Ligës së Kampionëve në tri vite, Max ka imponuar ligjet e thjeshtësisë, menaxhimit pa ankth, gjeometrisë së ndryshueshme, stomakut bosh dhe stolit të plotë. Historia e tij është thënë sot nga Matteo della Vite në faqet e “Gazzetta dello Sport”. Thelbi është se, në qoftë se dikur ishte Juventusi i Del Pieros, ose Viallit; Platini, ose Tevez; apo Pogba dhe Pirlo, të trajnuar nga fituesit Lippi, Trapatoni dhe Konte, tani kemi të bëjmë me “sundimin” e një busulle në stol. Ky është Juventusi i Allegrit, i cili synon të barazojë Carlo Carcano me 4 kampionate të fituara rresht.
Ndërkohë, Sami Khedira beson se Juventusi mund ta fitojë Championsin këtë vit. Khedira është një nga shtyllat e mesfushës së Juventusit, teksa me besueshmëri dhe urtësi u shërben taktikave të Massimiliano Allegrit. I intervistuar nga “Sky”, Khedira hedh shikimin e tij në pjesën e dytë të sezonit: “Ky edicion është i ndryshëm nga të tjerët, sepse në garën për kreun e Seria A ka kaq shumë ekipe të larta, Napoli sigurisht, por edhe Inter, Roma, Lazio, Juventus natyrisht, kështu që është edhe më e vështirë për ta fituar titullin. Ne kemi për të punuar edhe më shumë, do të përpiqemi për ta fituar atë.
Është e rëndësishme për të qëndruar të fokusuar, por unë mendoj se këtë vit do të jetë më e vështirë për ta përsëritur titullin. Liga e Kampionëve? Në fazën e grupeve mund të paraqiten disa surpriza, si çdo vit, por turneu i vërtetë fillon në raundin e dytë. Nuk ka një favorit të vetëm. Është Bayern Munich me trajnerin e ri, Manchester City apo PSG, që kanë një pjesë të madhe lojtarësh ekonomikë dhe cilësorë në dispozicion; po ashtu Real Madrid, Barcelona, Juventus. Janë shumë ekipe, që mund ta fitojnë Ligën e Kampionëve…”.

Exit mobile version