ALIBIA BOSHE E LUFTËS KUNDËR KORRUPSIONIT

Nga Alban Avdulla*

Së fundi (dt.07/05/2024) Kryeministri i Shqipërisë mblodhi grupin parlamentar të Partisë Socialiste për të diskutuar mbi rëndësinë luftës kundër korrupsionit. Ai propozoi një rezolutë e cila, deri tani, nuk rezulton të ketë marrë suportin e asnjë subjekti politik, institucioni, por jo vetëm. Përvec se Kryeministri është i vonuar në betejën kundër korrupsionit, mendojmë se meriton vëmendje të vecantë retorika e tij dhe shmangia e cdo përgjegjësie ndaj dënimeve apo procedimeve penale të anëtarëve të qeverisë.
Problemet me korrupsionin Kryeministri dhe përfaqësuesit e tij i kamuflojnë nën pektun e kulturës së përgjithshme të Shqiptarëve, të ndërtuar si rrjedhojë e kalimit nga një sistem në tjetrin. Pra fajësohet kultura e përgjithshme e popullit tonë, në vend të lidër-it dhe qeveritarëve që shkelin ligjin. Qeveria krenohet se i dha fund pandëshkueshmërisë së politikanëve duke transmetuar mesazhin se ishin ata që e krijuan SPAK-un; ashtu sic krenohet edhe për një gjyqësor të pavarur dhe të pa ndikuar nga influenca e qeverisë.
Pavarësisht se kjo temë është trajtuar në mënyrë të vazhdueshme në hapsirat mediatike, mendoj se nuk janë dhënë disa kundërpërgjigje të rëndësishme.

Së pari, SPAK nuk është krijuar nga Partia Socialiste dhe Qeveria në pushtet. SPAK është produkt i reformës në drejtësi, e cila edhe pse është votuar nga forcat politike që ishin në parlamentin e asaj kohe, nuk mundet të konsiderohet kurrsësi arritje e njërës palë apo tjetrës. Ky është produkt i kontributit të drejtpërdrejtë të aleatëve tanë ndërkombëtarë.

Së dyti, nëse Kryeministri apo qeveria mendon se kanë krijuar një gjyqësor të pavarur, kjo dëshmon vetëm se janë duke jetuar në një pallat mbretëror, që gjendet shumë larg realitetit dhe përditshmërisë së qytetarit të thjeshtë.
Procesi i vetingut të gjyqtarëve është ende duke vazhduar. Gjyqtarët kanë qenë dhe janë të shqetësuar, si dhe nënpresionin e politikës pasi përmes vetingut ata mund të largohen nga detyra edhe padrejtësisht. Është rritur ndjeshëm anëshmëria e gjykatave shqiptare në favor të shtetit dhe kjo mund të dëshmohet nga profesionistët e ligjit që janë në kontakt të përditshëm me gjykatat.

Nëse Qeveria krenohet me sistemin gjyqësor atëherë mund ti kujtojmë disa fakte:
• Një proces i thjeshtë gjyqësor sot mund të zgjasë deri në 3 (tre) vjet në Gjykatën e Shkallës së Parë, rreth 3-5 vjet të tjera në Gjykatën e Apelit dhe kush e di sa vite të tjera duhen për t’u shqyrtuar në Gjykatën e Lartë. Pra, qytetari humbet interesin për t’ju drejtuar gjykatës nëse do të vërtitet nëpër salla gjyqi për rreth 10 vjetë;
• Shumë qytetar më shpejt po largohen nga jeta se sa po marrin vendimin e gjykatës për pensionin që u takon me ligj.
• Një qytetar i Sarandës duhet të vij në Tiranë për një seancë gjyqësore e cila si përfundim do të shtyhet pasi kjo është harta e re e gjyqësorit. Këto janë kosto të shtuara për qytetarin.

Së treti, Kryeministri vazhdimisht është shprehur se përgjegjësia është individuale dhe cilido që kapet në korrupsion, është i vetëm dhe duhet të përballet me drejtësinë. Por a ka Kryeministri ndonjë përgjegjësi për të korruptuarit e tij (Zv. Kryeministra, Ministra, Deputet, Kryetar Bashkie, Sekretar të Përgjithshëm etj)?

Në vende si SHBA, Britani, BE, drejtuesi i një strukture ka disa përgjegjësi konkrete ndaj vartësve të tij. Qeveria nuk është pronare e shtetit apo taksave tona, përkundrazi është votuar për mirëadministrimin e vendit, shpenzimin me eficencë të buxhetit të shtetit, etj. Përmes votës qeveria, dhe përfaqësuesit e saj marrin përsipër ato që njihen si “Duty of Care” dhe “Duty of Loyalty”, që detyrojnë funksionarët publik, drejtuesit e institucioneve dhe krerët e qeverisë që të ushtrojnë funksionet e tyre me përgjegjshmëri, besnikëri ndaj popullit, pa neglizhencë, etj. Për të arritur këtë qëllim krerët e qeverisë apo drejtuesit e cilësdo strukture implementojnë sisteme dhe standarde pune për mbikqyrjen e veprimtarisë së vartësve të tyre dhe të strukturës në përgjithësi. Këto sisteme duhet të jenë të atilla, që të mundësojnë evidentimin e veprimeve, potencialisht të kundraligjshme, t’i adresojnë ato tek strukturat vendimarrëse dhe të merren masa për parandalimin e tyre. Qartësisht, Kryeministri dhe Qeveria gabojnë kur thonë se ata nuk kanë asnjë përgjegjësi për skandalet korruptive të bëra publike dhe mbi të gjitha gabojnë qëllimisht kur deklarojnë se nuk mekanizma parandalues.

Pra, edhe nëse drejtuesi i qeverisë, i institucionit apo i një strukture konkrete nuk e ka shkelur personalisht ligjin ata përsëri kanë përgjegjësi për veprimet e vartësve të tyre nëse nuk kanë marrë masa të mjaftueshme për të parandaluar veprimtaritë e kundraligjshme të tyre. Vota e qytetarit Shqiptar e ka ngarkuar qeverinë me këtë përgjegjësi.

Le ta bëjmë edhe më konkrete këtë përgjegjësi për Kryeministrin dhe Qeverinë. Në Shtetet e Bashkaura të Amerikës ekziston koncepti i “Respondeat Superior” përmes të cilit, drejtuesi përgjigjet për dëmet që i shkaktohen një pale të tretë, me neglizhencë apo dashje, nga vartësi i tij, kur ky i fundit ka vepruar në kuadër të funksioneve të tij. Ky koncept njihet edhe nga ligji Shqiptar. Ekzistojnë minimalsiht 2 (dy) dispozita ligjore që e vërtetojnë këtë. Kodi Civil parashikon përgjegjësinë e mësuesit për dëmet që u shkaktohen të tretëve nga nxënësit e tyre. Gjithashtu Kodi Civil parashikon se Punëdhënësi është përgjegjës për dëmet që i shkaktohen të tretëve nga punonjësit e tij gjatë ushtrimit të detyrtës së tyre.

Pra, si mundet që mësuesit të jenë përgjegjës për nxënësit e tyre dhe punëdhënësit përgjegjës për veprimet e punonjësve të tyre, por Kryeministri të mos jetë përgjegjës për Ministrat, Deputetet, Kryetarët e tij të Bashkive?! Si mundet që Kryeministri nuk është përgjegjës për qindra miliona euro dëm, që anëtarët e qeverisë së tij i kanë shkaktuar shtetit dhe popullit Shqiptar? Ndoshta ligjet vlejnë për qytetarët e thjeshtë dhe jo për Qeverinë. Ndoshta të gjithë jemi të barabartë para ligjit, por ndoshta vetëm Kryeministri dhe Qeveria mund t’i shmangen përgjegjësive të tyre. Ndoshta kjo e fundit është aty vetëm për të marrë merita për shkeljet e ligjit dhe jo përgjegjësinë që i takon.

Së katërti, Qeveria thekson vazhdimisht nevojën për të luftuar korrupsionin. Ndoshta mund t’i kujtojmë se për këtë, si fillim, mund të mos lirojnë nga burgu të dënuarit për korrupsion, sic u bë me rastin e ligjit për amnistinë. Ndërkohë nëse Qeveria dëshiron të ndihmojë drejtësinë apo SPAK-un në ushtrimin e detyrave të tyre, besoj se mjafton t’u jepen resurse të mjaftueshme për t’u rritur në burime njerëzore dhe pjesën tjetër e bën vetë SPAK, sic ka dëshmuar që ka vullnet të bëjë.

Për ta përmbledhur në fjalë të thjeshta dhe të kuptueshme, një Qeveri që do të luftojë korrupsionin, “NUK BËN KORRUPSION”. Pushtetin e ka në dorë qeveria, njësoj si tenderat, lejet e ndërtimit, koncesionet, etj. Qeveria nuk ka nevojë t’i shpalli luftë fiktive korrupsionit, pasi është ajo vetë që po e bën këtë korrupsion. Askush tjetër, përvec qeverisë, nuk mund të shpërdoroj fondet publike, të ushtrojë funksione publike për interesa personale, të japë leje ndërtimi për përfitime vetjake. Qeveria e bën korrupsionin dhe qeveria mund ta ndalë atë, jo qytetari, jo opozita.

*Avokat i Sektorit të Energjisë dhe Teknologjisë

Exit mobile version