Alegri në delir!

Dy gjysmëfinale në tre vjet: Masimiliano Alegri me Juventusin e tij kanë ditur si të ndalin tentativat e katalanasve, duke neutralizuar Mesin me shokë, të cilët nuk arritën t’u shënonin bardhezinjve në 180 minuta të luajtura. Rruga drejt Kardifit vazhdon, por tekniku i “Zonjës së Vjetër” preferon të mbajë profil të ulët: “Dua t’u bëj komplimente djemve për mënyrën si kanë luajtur sot dhe gjatë gjithë këtij sezoni. Kemi bërë një ndeshje të madhe kundër një ekipi të frikshëm. Normale që Barcelona luan në këtë mënyrë, por ne kemi ditur si ta ndalim. Ky është një hap përpara, por rruga është ende shumë e gjatë”.
Alegri u shpreh i lumtur pas ndeshjes. “Kjo e sotmja dhe Real-Bajern kanë qenë dy sfida të mrekullueshme, pasi janë përballur 4 ekipet më të forta në botë. Duartrokitjet e 100 mijë spektatorëve në ‘Camp Nou’ janë një reklamë shumë e mirë për futbollin. Ku duhet të përmirësohemi? Te mbajtja e topit, sidomos në pjesën e dytë: Ata linin shumë hapësira mbrapa dhe ne ishim të zotë për t’i shfrytëzuar, edhe pse duhet thënë se lodhja dhe energjia defensive ndikuan në finalizimin e lojtarëve.
Jam shumë i lumtur për atë që djemtë po tregojnë në fushë, duke treguar se jemi rritur akoma më shumë se më 2015, kur u mundëm në finale nga Barcelona. Sot të gjithë ishin të shkëlqyer dhe kanë bërë një ndeshje të madhe. Mund të luanim një ditë të tërë dhe përsëri nuk do të pësonim gol. Nuk e prisja të ishim kaq të konsoliduar mbrapa, duke i neutralizuar të gjitha sulmet e Barçës”, vijoi italiani.
Në fund Alegri foli edhe për skemën e lojës. “Nëntë lojtarë të ndërruar që nga finalja e Berlinit? Kjo do të thotë se ndryshimet sjellin entuziazëm, por duhen bërë zgjedhjet e duhura, pasi shumë lehtë mund të shkatërrosh gjithçka. Shoqëria ka blerë lojtarë të mëdhenj dhe unë përpiqem t’i sistemoj në fushë. Nga janari kam ndryshuar skemën e lojës për të pasur një skuadër ndryshe”.
Në “Camp Nou” Barcelona shpresoi në remuntadën e radhës, por nuk shkoi më shumë se barazimi pa gola që e kualifikoi lehtësisht skuadrën italiane në raundin tjetër falë fitores 3-0 në ndeshjen e Torinos. Katalanasit tentuan të çanin murin bardhezi, por nuk ia dolën mbanë edhe pse gjatë gjithë sfidës kontrolluan pjesën më të madhe të topave, por Mesi, Neymar e Suarez nuk arritën të kalonin Giggi Buffon, duke i dhënë lamtumirën këtij kompeticioni. Triumfi juventin mund të konsiderohet edhe si një hakmarrje për atë dështim në finalen e vitit 2015 ku Barcelona arriti të fitonte duke ua rrëmbyer trofeun kampionëve të Italisë.

Exit mobile version