Alegri “dorëzohet”

“Napoli është favorit për titullin, po mban një ritëm të jashtëzakonshëm. Ne kemi bërë atë që duhej të binim, ata po bëjnë gjëra të jashtëzakonshme, komplimente Napoli-t”. Këto kanë qenë fjalët e trajnerit të Juventus, Massimiliano Alegri, në prag të ndeshjes me Napoli-n. Por tekniku bardhezi nuk ka aspak ndërmend të dorëzohet. “Do të duhet të japim maksimumin në aspektin fizik. Nuk firmos për barazimin, pavarësisht se kemi në dispozicion dy rezultate nga tre. Ekipi është i bashkuar, pavarësisht zërave që qarkullojnë. Është e nevojshme të bëhet pak zhurmë në dhomat e zhveshjeve për të rritur tensionin”, tha Alegri.
Në lidhje me Higuain: “Dora i dhemb akoma, mund të jetë në dispozicion, të shohim, kemi besim. Kur them mund të jetë në dispozicion, nënkuptoj se mund të grumbullohet me ekipin. Nuk kam ndërmend ta rrezikoj për një ndeshje, na presin edhe 30 të tjera deri në fund”, ka vazhduar Alegri. “Nesër do të jetë një provë e mirë në pritje të sfidës me Olympiakos, ndeshja e parë vendimtare e sezonit, edhe pse kalimi në 1/8-at e Champions League është një detyrim për ne. Ndeshja me Napoli-n është tërheqëse dhe shumë e rëndësishme, por jo vendimtare. Ne duhet të jemi në vendin e duhur në muajin mars, për sprintin final”.
Ndërkohë, menaxheri i kombëtares së Gjermanisë, Oliver Bierhoff, është intervistuar nga “Tuttosport” për të folur për një Juventus që po bëhet gjithnjë dhe më shumë gjermane. Nga Benedikt Höwedes, duke kaluar nga Sami Khedira, deri te goditjet e ardhshme të mundshme në merkaton: “Emre Can (Liverpool) dhe Goretzka (Schalke 04)? Flasim për dy lojtarë të rëndësishëm: do të kenë shumë opsione për të ardhmen, këto janë zgjedhje personale”, ka thënë ish-sulmuesi i Milan.
“Italia? Në këtë moment, Anglia është maksimumi për një lojtar dhe pas Premier League vijnë ekipet e La Liga. Sigurisht, si Emre Can, ashtu edhe Goretzka, mund të kenë sukses në Serinë A. nëse një nga këta dy lojtarë do të zgjedhë Italinë, do ta bëjë këtë vetëm për të shkuar tek Juventus, gjithmonë nëse Inter nuk kthehet në majë. Por mendoj se shanset e Goretzka për të shkuar te bardhezinjtë janë 20%, ndërsa ato të Emre Can janë 60-80%”.

Exit mobile version