Aksidentet, 22 të vdekur e 272 të plagosur në korrik

Në muajin korrik 2017 numërohen 199 aksidente rrugore. Në krahasim me korrik 2016, numri i aksidenteve është rritur me 7,6%, njoftoi dje INSTAT. Numri i të aksidentuarve është 272 persona nga 281 që ishte një vit më parë. Në shtatëmujorin e 2017, numri i të aksidentuarve është ulur 4,0%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Numri i personave të vdekur gjatë muajit korrik 2017 është 22. Krahasuar me mesataren e personave të vdekur gjatë vitit 2016, ky numër është ulur me 1,9%. Në korrik, aksidentet rrugore, në 81,9% të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit.
Numri më i lartë i aksidenteve është kryer nga grup mosha 25–35 vjeç duke zënë 26,6% të numrit të aksidenteve rrugore dhe duke u rritur me 17,8%, në krahasim me një njëjtën periudhë të një viti më parë. Në shtatëmujorin e 2017, aksidentet rrugore të cilat kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit, zënë 80,2% të rasteve. Numri më i lartë i aksidenteve është kryer nga grup mosha 25–35 vjeç duke zëne 28,0% të numrit të aksidenteve rrugore dhe duke ulur me 5,5% me njëjtën periudhë të një viti më parë. Në korrik 2017, numri i të aksidentuarve për 100.000 banorë ishte afërsisht 9 persona. Krahasuar me mesataren e vitit 2016, ky numër u rrit me 17,2%.
Ministria e Transporteve në një analizë të posaçme për sigurinë rrugore në vend, pohon se rritja e numrit të mjeteve rrugore pa u paraprirë nga planifikime të mirëfillta të zonave urbane, dhe në mungesë të fasiliteteve për këmbësorët dhe çiklistët, çon në rritjen e rrezikut të tyre në përfshirjen në aksidente rrugore, dhe uljen gjithnjë e më shumë të numrit të udhëtimeve të pamotorrizuara dhe të transportit publik.
Vitin e kaluar 719 persona u përfshinë në aksidente të rënda rrugore, kur 269 prej tyre humbën jetën. Ministria e Transportit analizon se aksidentet rrugore me vdekje, në rastet më të shumta kanë ndodhur gjatë ditës, në rrugë të drejtë, të thatë dhe të asfaltuar, si dhe 59,8% në zonat urbane. Shkaqet kryesore të ndodhjes së aksidenteve rrugore janë shpejtësia mbi normat e lejuara, tërheqja e vëmendjes gjatë drejtimit të mjetit, besimi i krijuar mbas një periudhe 9-vjeçare në drejtim mjeti dhe mos zbatimi i rregullave të qarkullimit nga këmbësorët me mjete me moshë relativisht të madhe.
Ndërkohë, ditën e djeshme ka ndodhur një aksident i rëndë në aksin Burrel-Klos, ku një autoveturë është përplasur me një furgon mallrash. Si pasojë e aksidentit kanë mbetur të plagosur rëndë tre persona, të cilët janë dërguar në spital. Nga përplasja e fortë mes dy automjeteve, furgoni i mallrave është përmbysur, ndërsa autovetura ka përfunduar në kanalin anës rrugës. Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe po heton për shkaqet e aksidentit. Ende nuk dihet identiteti i të plagosurve dhe as identiteti i tyre.

Exit mobile version