Ahmetaj qesharak, paketë shpëtimi për ekonominë duke sulmuar opozitën

Deputetja demokrate, Jorida Tabaku reagoi dje ndaj prezantimit të paketës së shpëtimit për ekonominë nga ana e ministrit të Ekonomisë, Arben Ahmetaj.  “Në vitin e fundit të një mandati që ka prodhuar rënie ekonomike, qeveria në mungesë ideje, vizioni e mbi të gjitha rezultatesh ka vendosur që të baltosë edhe kundërshtarin. I gjendur përballë një krize të thellë konsumi që vendin e ka çuar në një deflacion dhe recesion, qeveria ka vendosur që në vend të një pakete shpëtimi të merret me opozitën dhe ofertën e saj. Të bësh propagandë është më e lehtë se të punosh. Duhet gënjyer sa më shumë që shqiptarët të harrojnë premtimin e 300 mijë vendeve të reja të punës. Duhet gënjyer që të harrohet premtimi i 160 mln USD investimeve në kanalet vaditëse, madje duhet ndërtuar një gënjeshtër sa më e madhe që fermerët të harrojnë përmbytjet e dy viteve rresht, ndërsa qeveria pasuronte veten dhe rriste luksin për zyrat e saj” u shpreh Tabaku.
Ajo theksoi se të dhënat e vetë qeverisë tregojnë se bujqësia pati një peshë të konsiderueshme në rënien e PBB-së (në masën 1.94%). “Duke ulur punësimin në sektorin bujqësor, vetëm për vitin e shkuar me 3.5%, ndërsa subvencionet bujqësore shkojnë në xhepat e grosistëve që në shumicën dërrmuese të rasteve janë miqtë pranë qeverisë” tha ajo
Deputetja demokrate bëri të ditur se gjatë këtyre 3 viteve PD ka propozuar 60 amendamente për të rritur punësimin e investimet e huaja e për të gjallëruar ekonominë. Sot Shqipëria ka nivelin më të ulët të eksporteve në rajon, duke rënë me 17%, ekonominë më pak tërheqëse për investimet e huaja, ku investitorët e huaj si rezultat i taksave të larta, paparashikueshmërisë së ligjeve e korrupsionit preferojnë të investojnë në rajon.
“Duke pasur parasysh këto tregues negativë e duke pasur parasysh që bujqësia ka nevojë për një stimul të ri, oferta e re i garanton bujqësisë jo vetëm 150 milionë euro në buxhet, por edhe 100 milionë euro subvencione që do të shkojnë në dorën e secilit fermer, sepse ne besojmë që fermeri e di më mirë se sa grosisti pranë qeverisë se ku duhen shpenzuar. Programi i Partisë Demokratike i ofron fermerit 50 milionë euro investime në infrastrukturën bujqësore ndryshe nga kjo qeveri që ka investuar miliona euro në luksin e zyrave apo luksin personal të ministrave.
Nuk ka asnjë arsye pse të sulmojë programin që premton uljen e taksave, rritjen e pagës minimale dhe nxitjen e rritjes së konsumit sepse në këto 3 vite kanë dëshmuar që nuk kanë asnjë vizion dhe një projekt për të ardhmen. Fermerët dhe shqiptarët sot janë në situatën më të vështirë e nuk ka nevojë të lexojmë shifrat e qeverisë, por çdo ditë, në çdo takim, në çdo qytet shihet qartë që kanë nevojë për një alternativë që është një mundësi zhvillimi” tha deputetja demokrate.

Exit mobile version