Zyrtare nga INSTAT, në dy vite pandemi shënohen 14.6 mijë humbje jete shtesë në vend; Bilanci rishikohet me rritje, ishte tragjik për 2021

Në dy vite pandemi, pasojat në humbjen e jetëve në vend janë të larta, madje më shumë sesa ishte deklaruar fillimisht, teksa INSTAT ka rishikuar me rritje të dhënat për vdekjet për 9 mujorin 2021.

Që nga prilli 2020, kur vala e pandemisë filloi të jepte efektet e para në Shqipëri deri në fund të vitit 2021, në vend janë shënuar rreth 14.6 mijë vdekje shtesë në krahasim me mesataren e periudhave përkatëse 2016-2019.

Të dhënat janë përpunuar nga Monitor, bazuar në treguesit demografikë tremujorë të INSTAT.

foto 1 INSTAT raportoi treguesit demografike për tremujorin e katërt 2021. Për gjithë vitin 2021, në vend u shënuan gjithsej rreth 30.6 mijë (30,580) humbje jete, duke shënuar nivelin më të lartë rekord të arritur ndonjëherë në historinë e vendit. Ky është viti i dytë radhazi, kur fatalitetet në vend po rezultojnë të larta. Në vitin e parë të pandemisë, në 2020-n u regjistruan në total 27.6 mijë fatalitete, nga 21.8 mijë që ishte mesatarja e periudhës 2016-2019.

foto 2

Në krahasim me mesataren e 2016-2019, kur ishte një periudhë normale, vdekjet në vitin 2021 janë rritur me 40%. Edhe në 2020-n, vdekshmëria shtesë në raport me mesataren 2016-2019 u rrit me rreth 26%.

Rishikohen me rritje shifrat për 2021, tragjik tremujori i parë

Në tremujorin e fundit 2021 në vend janë regjistruar 7,837 humbje jete, nga  9,397 në të njëjtën periudhë të një viti më parë, me një rënie prej 16.6%.

foto3

Ndonëse në rënie me të njëjtën periudhë të 2020-s, kur u shënua dhe vala e parë e fortë e pandemisë, sërish humbjet e jetës vijojnë të jenë më të larta se tremujori i katërt i 2019-s, kur ishte një periudhë normale. Në krahasim me mesataren 2016-2019 të së njëjtës periudhë, rritja e vdekjeve është 42% në tremujorin e katërt 2021.

Ndërkohë janë rishikuar me rritje të dhënat për tre tremujorët e parë të 2021, në krahasim me publikimin e mëparshëm të INSTAT.  Në tremujorin e parë 2021 kanë humbur jetën 10.2 mijë persona (nga 9.66 mijë që u deklarua fillimisht).

Ky është numri më i lartë i vdekjeve të deklaruara ndonjëherë në ndonjë tremujor (dhe gati sa gjysma e vdekjeve vjetore në një vit normal) dhe përkon me periudhën e valës së dytë të pandemisë, kur spitalet u mbingarkuan. Në total, për gjithë 9 mujoritn, INSTAT i ka shtuar fatalitetet edhe me 6%, ose rreth 1300 vdekje më shumë, sesa vlerësimi fillestar.

foto 4

Mjekët shpjegojnë se përveç humbjeve të jetës, që janë të lidhura direkt me Covid-19, po konstatohen fatalitete te personat që e kanë kaluar infeksionin dhe ai u ka lënë pasoja të rënda në shëndet, duke u sjellë më pas vdekjen. Mjekët pohojnë se shumë pacientë po vuajnë simptoma të rënda pasi kanë kaluar Covid-19, ku më tipike është trashja e gjakut, që rrit probabilitetin për goditjet e lidhura më sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut.

Një tjetër faktor lidhet me mos marrjen e trajtimit në kohë për sëmundjet e tjera të rënda, apo mosidentifikimin e tyre në kohë, si rrjedhojë e problematikave që u shkaktuan nga karantina, apo frika e njerëzve për të shkuar në spital.

 

Vdekjet shtesë 4.5 herë më të larta se deklarimet zyrtare për humbjet nga Covid-19

Që nga fillimi i pandemisë (në 19 mars 2020 u raportua vdekja e parë)  deri në fund të vitit 2021, Ministria e Shëndetësisë ka raportuar 3,217 humbje jete nga Covid-19, ose 4.5 herë më pak se shtesa e vdekjeve për të njëjtën periudhë.

 

Valët kulmuese të pandemisë

Vala më e rëndë e pandemisë është shënuar në fundin e 2020-s dhe fillimin e 2021-shit.

Sipas tremujorëve, shtesa më e lartë e jetëve të humbura në raport me mesataren e periudhave përkatëse 2016-2019 ishte në tremujorin e katër 2020 (+3,380) dhe të parin 2021 (+3,887). Pandemia filloi të japë pasoja në humbjen e jetëve që në tremujorin e tretë 2020 (+1,684), ndërsa efektet vijuan të ndiheshin dhe në prill-qershor 2021 (+1,067) dhe korrik-shtator 2021 (+1,466). Në tremujorin e katërt 2021, vala e pandemisë u përforcua dhe vdekjet shtesë ishin +2,320.

Të dhëna të tjera krahasuese me Europën, që janë të disponueshme deri në shtator 2021 tregojnë se Shqipëria, së bashku me dy vendet e tjera të rajonit, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut janë tre shtetet që kanë shënuar rritjen më të lartë të vdekshmërisë shtesë që nga marsi i vitit 2020, kur pandemia “pushtoi” gradualisht Europën deri në shtator 2021.

Të dhëna të tjera të Eurostat, për vdekjet javore, ku raporton dhe Shqipëria, tregojnë se për periudhën 2 mars 2020-19 shtator 2021, fatalitetet shtesë u rritën me 34.6%, duke e renditur vendin tonë të tretin në Europë, pas Kosovës me 43.3% dhe Maqedonisë së Veriut (m42.6%).

/Monitor