Ballina Editorial Një thikë pas shpine ndaj Partisë Demokratike

Një thikë pas shpine ndaj Partisë Demokratike

Nga Red Varaku

E vetmja pyetje që personalisht kam ngritur menjëherë pasi Sali Berisha nisi projektin e tij për largimin e Lulzim Bashës dhe rikthimin e tij në krye të PD ka qenë se çfarë do të bëhej me këtë lëvizje nëse kjo lëvizje do të dështonte në realizimin e objektivit të saj.

A do të shkëputej kjo lëvizje nga PD dhe do të krijonte një parti tjetër, apo do vazhdonte të qëndronte brenda saj?

Kjo për faktin se duke njohur natyrën politike të lëvizjeve të tilla rreziku që këto të prodhojnë parti politike është krejt i natyrshëm.

Pergjigjja e shumë miqve që sot ende mbështesin projektin e z. Berisha ka qenë shumë e vendosur që kjo lëvizje do të mbetej strikt brenda PD, pavarësisht se çfarë do të ndodhte dhe se si do të shkonin gjërat.

Madje, disa prej tyre më shkruanin se largimi prej PD as që mendohej dhe vetëm pyetja që unë asokohe ngrija, ishte shumë e pavend dhe kjo në fakt tregonte një farë përgjegjëshmërie ndaj PD.

Edhe vetë z. Berisha sa herë që pyetej e mohonte me vendosmëri shkëputjen e kësaj lëvizje nga PD dhe krijimin e një partie të re politike.

Por ndryshe nga ajo që pretendohej, pavarësisht spërdredhjeve dhe akrobacirave, sot ndodhemi përballë një fakti edhe më të rëndë se sa krijimi i një partie të re.

Sali Berisha vendosi të largohet nga PD dhe t’i bashkojë “zemrat e demokratëve“ të zhgënjyer me Lulzim Bashën jo me vëllezërit e tyre demokratë, por me Lëvizjen Socialiste për Integrim ,duke ia ‘transferuar’ produktin final politik të lëvizjes së tij konservatore një partie të majtë dhe e bëri këtë pa asnjë konsultim dhe asnjë këshillim me bazën , madje në pabesi të plotë të kauzave që u ngritën gjatë foltores.

Pavarësisht justifikimeve, ky akt nuk shënon vetëm fundin e turpshëm të trajektores së lëvizjes së iniciuar prej tij, por njëkohësisht shënon edhe ndarjen përfundimtare të lëvizjes së tij nga PD, sepse është e qartë që ky akt dëmton hapur interesat elektorale të PD.

Natyrisht, sekush ka të drejtë të zgjedhë dhe përmbushë strategjinë e tij politike, qoftë duke u bërë bashkë me PD kundër këtij regjimi, qoftë edhe duke bërë aleanca të tilla politike dhe kjo është krejt normale, por kur bëhesh bashkë kundër interesave elektorale të opozitës njëjtë me Murrizin, Jozefinën apo Patozin, thjesht je bërë një thikë më shumë në duart e piktorit për të egzekutuar opozitën.

Dhe ne gjërave duhet t’i vemë emrin që meritojnë pasi ato marrin këtë formë dhe në rastin konkret akti i bashkimit me LSI duke tradhëtuar interesat e PD nuk është gjë tjetër vetëm se një vetëvrasje politike e kauzave të ngritura nga lëvizja, një tradhëti e pastër ndaj interesave të demokratëve dhe thikë pas shpine ndaj Partisë Demokratike.

Exit mobile version