Rreziku i fondamentalizmit politik të opozitës

Radikalizimi dhe ekstremizimi janë rreziqet më të mëdha që mund t’i kanosen një organizate. Kur mendjet më të nxehta, më joracionale dhe më agresive të saj bëhen burim i vendimeve politike, qoftë si pasojë e presionit të brendshëm, qoftë si pasojë e nevojës për lajkatimin e anëtarësisë në funksion të përplasjeve të brendshme midis grupeve drejtuese, ajo rrezikon të hyjë në një rrugë vetëvrasëse. Në kushte të tilla, organizata fillon të shtyhet drejt sjelljeve ekstreme, duke humbur sensin e realitetit e duke shkuar drejt tkurrjes, izolimit, ngurtësimit, përçarjes, agresivitetit dhe në fund, në mënyrë të pashmangshme, drejt dhunës.

Kur një organizatë mbërrin në këtë gjendje, ajo e humbet mbështetjen e publikut. Ajo fillon të bëhet e papranueshme dhe madje qesharake, duke fituar përçmimin dhe indinjatën e shumicës së njerëzve. Kjo e shtyn edhe më keq në spiralen e vetëshkatërrimit, pasi mendjet radikale nuk reflektojnë, por u përgjigjen problemeve gjithmonë me radikalizëm edhe më të madh, çfarë i shtyn të zhyten gjithmonë e më shumë në ngushticën ku kanë ngecur të përhumbur në iluzionet e botës së tyre virtuale. Organizata rrëshqet kështu drejt vetëshkatërrimit dhe rrezikon, ose të shpërbëhet plotësisht, ose të shndërrohet në një sekt politik ku një grusht anëtarësh qëndrojnë stoikë përballë luftërash imagjinare globale.

PD-ja është përballë një rreziku të tillë dhe treguesit janë të qartë. Gjuha histerike, humbja e arsyes, mosdëgjimi i argumenteve mes palëve apo edhe teoritë konspirative si burim qëndrimesh dhe vendimesh politike, tregon se situata po shkon shumë larg. Prej muajsh tashmë, në PD nuk ka as debat e as argumente, pasi ka një kategori njerëzisht, duke nisur që nga figura të larta të politikës dhe medias së angazhuar, që përpiqen të zhurmojnë opinionin publik, me sulme, akuza, kërcënime, shpifje, lajme të rreme, përfshirë këtu edhe turma histerike që sulmojnë me fjalë e shpifjet më të ndyra çdo njeri që nuk është në kampin e tyre.

Natyrisht, pjesa më radikale, më ekstremiste, më militante dhe më e prirur për dhunë është ajo që rreshtohet me ish-kryetarin Berisha. Nëse ky i fundit ka ndonjë shans të rimarrë partinë, fati tragjik i saj do të ishte i pashmangshëm. Kjo vetëm sa do ta vuloste zhytjen e opozitës në hullinjtë e kësaj rruge pa krye.

Nëse vjen në krye, Berisha do të detyrohet të ndërtojë një organizatë që priret të kënaqë njerëzit që e sollën në pushtet, të cilët i përkasin pikërisht kategorisë më problematike për sa i përket ekstremizmit politik. Nën drejtimin e tij, organizata do të priret të ekzaltojë pjesën më radikale të PD-së, ndërsa do të vendosë në pozicione drejtuese figurat politike që e mbështetën, të cilët gjithashtu përfaqësojnë pjesën më fanatike të saj, përveç kategorinë më të konsumuar e padëshiruar të figurave politike të së djathtës.

Por, nuk mjafton kjo, vetë pozita në të cilën gjendet sot Sali Berisha, i përfshirë në listën e zezë të SHBA-ve, do ta shtyjë edhe më shumë atë drejt një politike fondamentaliste. I gjendur përballë kësaj njolle të rëndë dhe i rrethuar nga një izolim i thellë ndërkombëtar, ai do të jetë i detyruar të qëndrojë në fabulat që artikulon sot, të fabrikuara nga një narrativë fiction, me teori konspirative e përfytyrime paranojake komplotesh botërore kundër tij. Për të mbrojtur e justifikuar veten, ai do të vazhdojë, të akuzojë SHBA-të, e më pas edhe BE-në dhe çdo organizatë ndërkombëtare që do jetë kundër tij, si e kapur nga mafia e Soros-it, i cili po kërkon të destabilizojë Ballkanin për interesat e veta. Ai do të ekspozojë veten si heroi i një rezistence që i kundërvihet gjithë botës, çfarë do ta bëjë opozitën komike.

Në këto kushte, Berishës do t’i duhet të hyjë në një stinë protestash, siç edhe ka premtuar, prej të cilave do të dalë edhe më i dobët, edhe më i pafuqishëm, edhe më i padëshiruar nga publiku. Protestat partiake natyrisht nuk kanë asnjë shans të jenë të suksesshme, siç është provuar tashmë në 30 vjet tranzicion. Ato vetëm sa do ta lodhin opozitën, duke e zhytur edhe më keq në frustracion, çfarë do ta shpjerë edhe më shumë në ekstremizëm, sipas spirales së parashtruar më sipër: Radikalizmi prodhon frustracion, frustracioni edhe më shumë radikalizëm. Në fund, rezultati në zgjedhje do të jetë dramatik dhe do ta zhysë opozitën në depresion, ndërkohë që kauzës së saj do t’i kenë mbetur vetëm një grusht fanatikësh. Kjo do të thotë falimentim i opozitës, pa asnjë shpresë për të pritur forca të reja politike, të afta për të rivalizuar pushtetin, në kushtet kur pushteti ekzistues ka instaluar një regjim autokratik.

PD-ja sot ka nevojë urgjente të çlirohet nga fryma radikale që e ka përfshirë. Ajo duhet t’u kthehet institucioneve, betejave ligjore dhe krijimit të një fabule të re politike kundër establishmentit ekzistues, me një fryme e narrativë racionale. Ajo duhet të arrijë fitoret e saj institucionale, të cilat, në të vërtetë, nuk janë të pamundura. Asaj i duhet të punojë fort për të krijuar një projekt politik bindës, për të prodhuar gjuhën e duhur politike dhe ekipe njerëzish të besueshëm, me të cilët do të garojë për të ardhur në pushtet. Opozita ka nevojë të krijojë një fytyrë të re, të pranueshme dhe bindëse për të çliruar energjitë e duhura kundër qeverisë. Vetëm kështu ajo të mund të krijojë një frymë shprese, e cila do të mund të gravitojë fuqinë opozitare rreth vetes për të bërë të mundur përmbysjen e pushtetit ekzistues.