Mesazhet e dhunës si këmbana të dështimit të lëvizjes Berisha

Vehap Kola

Ditët e fundit pas Kuvendit të datës 18 Dhjetor përfaqësues të lëvizjes Berisha kanë lëshuar ultimatume dhe mesazhe kërcënuese ndaj PD dhe Lulzim Bashës. Fraza anarkiste si “anëtarësia do të shndërrohet në përmbarues”, “nëse nuk reflekton, në qafë pastë veten”, “Lulzim Bashën do ta çojmë të bëjë vorbë” etj, nuk kanë asnjë kuptim përveç se sinjale radikaluzuese për mbështetësit dhe demokratët e thjeshtë.

Rruga ku mund ta çojë PD-në kjo frymë thirrjesh për dhunë është e qartë: përçarja e demokratëve dhe përplasja ndërmjet tyre. Në vetvete, kumtet radikale ose kanë shkak mungesën e mbështetjes së gjerë mes demokratëve ose panikun se lëvizja po humbet momentum pas demonstrimit të datës 11 dhjetor. Pjesëmarrja modeste në protestën e thirrur më datë 20 dhjetor përpara PD dhe më pas përpara kryeministrisë ishte një gur kilometrik që shënon njëkohësisht të dyja këto shkaqe të mundshme.

Megjithatë, përqafimi i gjuhës ekstremizuese dhe dhunënxitëse është strategji e gabuar dhe kundërproduktive edhe për vetë lëvizjen Berisha. Berisha e di se një turmë e zemëruar dhe e alarmuar nga paralajmërimet e lëvizjes së tij se dështimi për të larguar Lulzim Bashën i lë ata pa asnjë instrument politik për të përmbushur interesat politike, e ka të vështirë të respektojë kufirin e hollë ndërmjet vendosmërisë dhe dhunës. Por gabimet e njëpasnjëshme që bëri ai gjatë këtyre 3 muajve e gjysëm nuk i kanë lënë rrugë tjetër për të realizuar qëllimin përfundimtar: largimin e Lulzim Bashës dhe marrjen e PD nën kontroll.

Dhe bash në momentin që ky qëllim dukej më afër se kurrë, ai u largua aq shpejt dhe i la në dorë kësaj lëvizjeje vetëm një instrument: mjetet e paarsyeshme. Nëse mbledhja e firmave, verifikimi, thirrja e Kuvendit nuk do të ishte bërë në ilegalitet të plotë, Lulzim Basha nuk do ta kishte këtë qetësi që ka sot dhe shumë gjëra do të kishin shkuar ndryshe në këtë skizmë. Kjo nuk ndodhi dhe nuk ka më asnjë rëndësi që të diskutohet. Tani duket se jemi pikërisht në momentin që Hannah Arendt e ka përkufizuar më mirë se shumëkush:

“Vetë substanca e veprimit të dhunshëm sundohet nga kategoria qëllim-mjet, karakteristika kryesore e të cilës, nëse aplikohet në çështjet njerëzore, ka qenë gjithmonë që qëllimi është në rrezik të mbizotërohet nga mjetet që vetë ai i justifikon dhe që janë të domosdoshme për arritjen e tij.”

E tillë ngjan të jetë situata edhe në lëvizjen Berisha. Adoptimi i metodave të ashpra dhe nxitja e përplasjes mes demokratëve është një përmbysje e hierarkisë së strategjisë së kësaj lëvizjeje. Mjetet me të cilat ajo synon të realizojë qëllimet rrezikojnë të dalin jashtë kontrollit dhe të dëmtojnë vetë përpjekjet e kësaj lëvizjeje.

Demokratët e kanë tashmë të qartë që demokratizimi, reformimi dhe shëndoshja e Partisë Demokratike mund të vijë nga gara, por jo nga përplasja e dy pjesëve të saj, sado e vogël të jetë secila prej tyre. Jo se një parti politike është thjesht produkt statistikor i grupimeve kryesore të tij, por sepse gara dhe përplasja realizojnë qëllime të ndryshme: e para garanton filtrimin e përfaqësuesve më të aftë për të fituar betejën politike me kundërshtarin dhe shërben si shkollë politike për rivalitetin e madh ndërpartiak, ndërsa e dyta garanton dominimin e njërit grupim mbi tjetrin me riskun e humbjes së një pjese të mbështetësve që janë rreshtuar në grupimin humbës.

Ndjekja e rrugëve të dhunshme që prodhojnë përplasje dhe mund të sjellin vetëm zvogëlimin e PD dhe triumfin e interesave të njërit grupim në kurriz të grupimeve të tjera nxjerr në dritë edhe qëllimin lëvizjes që i ka përqafuar këto rrugë. Sloganet për një parti më të bashkuar, më të hapur dhe më të fortë, siç duket, kanë synuar të mjekojnë pikërisht këto plagë që dihej se do të hapte lëvizja Berisha.

Në rrugë e sipër lëvizja e ripërkufizoi vetveten vazhdimisht duke u shndërruar dita-ditës në produkt të zemërimit që vetë frymëzoi me gjuhën e saj. Prandaj, sot ata që frymëzonin lëvizjen janë shndërruar në shërbëtorë të frymës destruktive që ajo prodhon dhe që duket se e ka shkruar tashmë fatin e vetë lëvizjes: një implodim krejt i pashmangshëm.