“Vrasës i Ardit Gjoklajt”, studentët i prishin takimin Veliajt, ai u lëshon truprojat

Një grup studentësh kanë reaguar ashpër ndaj kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në takimin e zhvilluar sot me rastin e Ditës së Rinisë, 8 Dhjetori. Skandali ka ndodhur në ambientet e Pallatit të Kongreseve në Tiranë.

Aktiviteti i planifikuar me regji qendrore nga Erion Veliaj, doli nga skenari dhe turbulloi organizatorët që i kishin garantuar kryebashkiakut një takim pa bezdisës.

Një grup të rinjsh ngritën zërin për problemet me të cilat përballen në Tiranë e gjithë vendin.

Akuzat e forta, për argumente që ndër vite janë kthyer në pikëpyetje të mëdha mbi punën dhe profilin e tij politik, si vrasja e Ardit Gjoklajt apo betonizimi i Tiranës nga kullat shumëkatëshe, nuk morën përgjigje nga Erion Veliaj.

Edhe pse studentët kishin të drejtën e pamohueshme për t’i kërkuar llogari Veliajt pikërisht në ditën kur vlerësohet guximi i rinisë së para 30 viteve, kryetari i Bashkisë iu vërsuli atyre truprojat e tij.

Ata u nxorën forcërisht jashtë nga shoqëruesit e Erion Veliajt.

Kjo nuk është hera e parë që Veliaj kontestohet nga qytetarët e Tiranës dhe të rinjtë, kryesisht studentë.

Ata nuk pajtohen me modelin shkatërrimtar si po e qeveris Tiranën i pari i qytetit. Betonizimi dhe pallatet shumëkatëshe që po ndërtohen në çdo cep po shkatërrojnë urbanizimin e qytetit si dhe po e bëjnë Tiranën të pajetueshme. Sikurse Veliaj nuk ka mbajtur përgjegjësi, madje ka tentuar ta fshehë, vrasjen tragjike të 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj te fusha e mbetjeve në Sharrë.

Megjithatë, situata të tilla do të ketë vazhdimisht për Veliajn me të cilat ai do të duhet të përballet kudo, pavarërisht se ka pas vetes një armatë të tërë truprojash dhe kujdestarësh për të censuruar çdo zë që i trazon rehatinë.