Ballina Aktualitet Lufta për prishjen e pazareve të drogës, banda e PS arratiset jashtë...

Lufta për prishjen e pazareve të drogës, banda e PS arratiset jashtë shtetit

Ramazan Rraja, Alesio Dobrozi dhe Rohan Brahimi janë 3 të rinjtë e shpallur në kërkim nga Policia e Lezhës për ngjarjen e 13 nëntorit në fshatin Zejman, ku në ambientet e një lokali mësynë disa persona të armatosur. Raportohet se, pas ngjarjes, autorët kanë udhëtuar drejt Dubait.

Mësohet se 3 personat e shpallur në kërkim janë strehuar në këtë shtet me personazhe të botës së krimit të kërkuar nga drejtësia shqiptare.

3 personat kanë shkuar të armatosur në lokal dhe kanë kërkuar shtetasin me iniciale L. M.(K). Pas kontrollit të klientëve, ato dolën lirisht. Burime bëjnë me dije se, një prej tre të shpallurve në kërkim është edhe Ramazan Rraja, 28 vjeç, nga Fushë Kruja, nipi i deputetit të PS-së, Rrahaman Rrajës.

Roan Brahimi 29 vjeç, banues në Pllanë-Lezhë dhe Alesio Dobrozi 31 vjeç, banues në Fushë Krujë, janë dy personat e tjerë të shpallur në kërkim.

“Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se për shkak të një konflikti të ndodhur më parë ndërmjet kushëririt të pronarit të lokalit dhe një shtetasi që është mik i shtetasve Ramazan Rraja,Alesio Dobrozi dhe Roan Brahimi, këta tre të fundit, më datë 13.11.2021, kanë shkuar të armatosur, në lokalin në pronësi të shtetasit Ani Kola, dhe kanë kërkuar kushëririn e tij, shtetasin L. M.(K), (i cili më herët ishte konfliktuar me shtetasin Gj.J., mik i tre autorëve të dyshuar). Shtetasi L.M.(K), në momentet e ngjarjes nuk ka qenë në ambientet e lokalit. Po në vijim të veprimeve, menjëherë pas publikimit të videos në media dhe rrjetet sociale, nga shërbimet e Policisë është bërë i mundur identifikimi i të gjithë shtetasve që ndodheshin në lokal, të cilët në vijim të veprimeve hetimore janë proceduar penalisht për veprën penale ‘Moskallëzim krimi’”, njoftoi policia.

Të tre akuzohen për veprat penale “Vrasja” e mbetur në tentativë, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Kanosja”, e mbetur në tentativë, të kryera në bashkëpunim.

Të shpallurit në kërkim rezultojnë me precedentë të mëparshëm kriminal në fushën e krimeve ndaj personit, armëmbajtjes pa leje dhe narkotikëve. Sipas bluve, menjëherë pas ngjarjes, ata janë larguar jashtë vendit.

Ndërkohë nga hetimet e policisë ka rezultuar se, për shkak të një konflikti të ndodhur më parë ndërmjet kushëririt të pronarit të lokalit dhe një shtetasi që është mik i personave të shpallur në kërkim, këta të fundit, kanë shkuar të armatosur në lokal dhe kanë kërkuar shtetasin me iniciale L. M.(K).

Ky i fundit në momentet e ngjarjes nuk ka qenë në ambientet e lokalit, por hetimet e prokurorisë thonë se, 3 të rinjtë kanë dashur ta vrasin.

Burime për Euronews Albania bëjnë me dije se, shkak i konfliktit kanë qenë pazaret e drogës.

Për ngjarjen në fjalë nga ana e pronarit të lokalit nuk ka pasur denoncim në polici, por fillimisht është denoncuar në media nga vetë ky person.

Exit mobile version