Pastrimi i parave/ Tabaku: Konkurrenca e pandershme po mbyll dhe falimenton qindra mijëra biznese të ndershme

· “Pastrimi i parave, imazhi i turpit të qeverisë shqiptare, është zyrtar. DASH etiketon turizmin, ndërtimin dhe lojërat e fatit”. Jorida Tabaku: Konkurrenca e pandershme po mbyll dhe falimenton qindra mijëra biznese të ndershme.

FJALA E N/KRYETARES SË PARTISË DEMOKRATIKE, JORIDA TABAKU, NË PARLAMENT

Që ne jetojmë në dy realitete të ndryshme, kjo nuk ka asnjë diskutim.

Realiteti ku sot jetojnë bizneset kryesisht në Tiranë, ato të ndërtimit dhe shumë biznese të tjera në të gjitha qytetet e Shqipërisë, është ai i përgjimeve të antimafias.

“Atëherë kam folur me mikun tim Nik, që më ka thënë se ky tipi mori 3 liçenca ndërtimi në Tiranë dhe duhet 180 milionë euro. Kërkojnë financierë, më tha, e gjejnë sipërmarrësin shumë thjesht”.

Ky është realiteti në fakt që përballen bizneset këtu në Tiranë. Ky është realiteti që përballen sa herë shkojnë dhe trokasin në një derë shteti.

E dëgjova me shumë interes Ministren e Financave kur bëri prezantimin dhe replikën. Kanë filluar të gjithë të përdorin të njëjtën morfologji fjalimi.

Mu duk sikur foli Edi Rama këtu. Po me të njëjtat fjalë, me të njëjtën retorikë, me të njëjtën nënvlerësim për këdo që flet ndryshe.

Është e vërtetë që jetojmë në realitet të ndryshme sepse në fakt ne jetojmë në atë realitetin ku 500 mijë shqiptarë janë larguar. Ku të paktën gjysma e atyre që sot regjistrohen si azilkërkues janë shqiptarë nën 19 vjeç.

Ku sot mbi 30% e shqiptarëve janë në fakt në pragun e varfërisë dhe ky është një realitet që ka nevojë për vëmendje.

Qeveria jeton në atë realitetin e estetikës. Hajde bëjmë dy ligje shumë të mira, shumë të bukura, i përafrojmë edhe me BE-në sepse do zgjidhim çdo problem që sot ekziston për pastrimin e parave.

Pastrimi i parave si shumë terma të tjerë është futur në fjalorin e përditshëm të politikës pas 2013-ës ashtu siç u përfshi edhe dekriminalizimi.

Nuk kishim diskutuar deri atëherë për kriminelë. Edhe për grushta nëpër cepa korridoresh, po nga ana e kolegëve socialistë, nuk kishim diskutuar ndonjëherë.

Edhe për shqiptarë që masivisht largohet, për shkolla që mbyllen, për investime publike që mungojnë, për koncesione, borxhin 100% të PPB-së nuk kishim diskutuar ndonjëherë.

Pas 2013-ës erdhën që të gjitha, u ulën këmbëkryq këtu në këtë parlament.

Sot kemi të bëjmë me një realitet të ri. Duhet të flasim për këtë realitet të ri.

Pastrimi i parave sot është njolla e zezë e turpit që ka vendosur qeveria mbi imazhin e Shqipërisë.

E përfshiu Shqipërinë në listën gri të pastrimit të parave, e përfshin atë në çdo renditje ndërkombëtare nga Instituti i Basel-it deri tek raporti i DASH dhe që ka etiketuar tre sektorë;

Ø Turizmi
Ø Ndërtimi
Ø Lojërat e fatit

Pastrimi i parave është zyrtar.

DASH shkon edhe më larg. Thotë se edhe me fonde publike, me koncesione, me PPP, pastrohen para’. Pjesa e investimit e atyre që janë persona jopublikë, investitorët privatë e kanë të gjithën pjesën e tyre për të pastruar para’.

Opozita do ta kishte mirëpritur këtë ligj nëse në vazhdën e diskutimeve do të kishte një paketë të plotë që e trajtonte këtë çështje.

Unë që lexova ligjin, diskutuam në komision, nuk arrij dot të kuptoj. Personat e ekspozuar politikisht që i përcakton ligji, që shumë mirë bën që i përcakton, a përfshin këtu edhe Klodian Zoton e inceneratorëve që ka pasur një biznes me një ministër sot në qeveri?

A i japin zgjidhje një herë e përgjithmonë atyre që nuk kanë asnjë biznes por bëjnë para’ vetëm me fonde publike?

A japin përgjigje me këtë ligj 140 lejeve të ndërtimit në Tiranë me bilanc zero, me kompani që nuk kanë bërë asgjë në jetën e tyre përveçse ndërtojnë. Ose kompanive që nuk bëjnë asgjë përveçse marrin tendera dhe koncesione?

A i japim zgjidhje me këtë ligj.

A i dhamë zgjidhje kompanive off-shore me ligjin që u miratua në Parlament?

Çfarë i intereson kompanisë off-shore malteze që mori terminalin në Portin e Durrësit që paguan një gjobë 500 mijë lek të reja dhe merr një koncesion?

Se çfarë i ndodhi kompanive të OST-të të cilët kanë marrë fonde publike dhe i kanë çuar në off-shore.

E kemi ligjin shumë të mirë dhe të përafruar. A i jep kjo zgjidhje çështjes së vullnetit politik. Sepse për çështje të vullnetit politik ne kemi arritur deri këtu sot.

Pastrimi parave unë mendoj se duhej të trajtohej me një paketë të plotë që merrte parasysh dëmin që po i shkaktohet sot ekonomisë.

Qindra mijëra biznese janë duke u mbyllur si rezultat i pastrimit të parave. Po dalin nga tregu si rezultat i konkurencës së pandershme. Ky ligj megjithëse do të jetë shumë bukur në listën e atyre gjërave që ne plotësojmë dhe do të vendoset një shenjë që është plotësuar edhe ky detyrim përsëri në praktikë nuk do të ndodhë asgjë, si me korrupsionin ashtu edhe me pastrimin e parave.

Sepse ka një tendencë këtu në Shqipëri, sa më shumë ligje që ne bëjmë, aq më shumë ndodh tendenca për të mos luftuar fenomenin, si në rastin e pastrimit të parave.
Sa më shumë institucione bëjnë për korrupsionin, aq më shumë rritet korrupsioni.
Sa më shumë e luftojmë vjedhjen e zgjedhjeve, aq më shumë vidhen zgjedhjet.
Dëgjova ministrin që tha për ndërtimin, kemi një rritje ekonomike, tha që e parashikon edhe FMN-ja 7.8%.
Po përse ndodh kjo?!

Prej ndërtimit, prej sektorit të ndërtimit. Nuk ka asnjë sektor tjetër që ka rritjen që ka sektori i ndërtimit. Prej sektorit të ndërtimit dhe prej ditës së zgjedhjeve që u paguan rreth 120 milionë euro vetëm për rindërtimin. E gjitha është një rritje që rrotullohet rreth një tremujori dhe sektorit të ndërtimit në Tiranë, jo efektive, që nuk shoqërohet me nxitje dhe me zhvillim ekonomik dhe që nuk ka asnjë lidhje me realitetin dhe nuk ka asnjë lidhje me realitetin që përjetojnë qytetarët shqiptarë jashtë kësaj salle. Dhe e them qytetarët shqiptarë jashtë kësaj salle pavarësisht nëse janë të majtë apo të djathtë.

Sot ekonomia shqiptare ka një problem real. Sot ekonomia shqiptare është kthyer në një ekonomi të centralizuar është kthyer në një ekonomi që nuk prodhon, që nuk ka një model dhe është kthyer në një ekonomi që fatkeqësisht pastron para dhe me këtë ligj fatkeqësisht ne nuk zgjidhim asgjë.

Me gjithë dashamirësinë, me gjithë sugjerimet që ne dhamë në komision, me të gjithë elementët që ne propozuam në komision, sigurisht që ne nuk u dëgjuam.
Dhe pastaj vijnë dhe bëjnë thirrje patetike: Hajde ta miratojmë bashkërisht!
Ne kartonin për çdo gjë që ju sillni këtu në Parlament nuk kemi për ta ngritur. Por në qoftë se doni të dëgjoni se si mund të luftohen fenomenet, se si mund ta marrim seriozisht luftën ndaj pastrimit të parave, ndaj korrupsionit jemi të gatshëm edhe ne të bëjmë propozimet tona, por këto duhet të jenë jënë të shoqëruara me vullnetin politikë, që unë kam humbur shpresat që ekziston.
Kam humbur shpresën që ndoshta pas 9 vitesh qeveria do të kthehet në rrugën e drejtë të cilën nuk e mori as në 2013-ën kur filloi.

Gjatë këtyre viteve kemi denoncuar një aferë shumë të rëndësishme të cilën unë e përmenda pak më përpara e cila është afera e inceneratorëve.
Afera që besoj iu ka mbyllur gojën shumë mediave dhe shumë politikanëve këtu në Shqipëri, por fatmirësisht jo një pjesë të madhe të opozitës.

Me këtë ligj përsëri ne nuk i japim zgjidhje çështjes së pastrimit të parave në sektorin publik. Ashtu sikurse nuk i japim zgjidhje një sërë kompanish të cilat me bilanc zero marrin një koncesion, nga sot nesër, pa pasur asnjë eksperiencë, asnjë ditë eksperiencë në këtë fushë.
Pse?!

Sepse ka mbështetje politike. Sepse ka mbrojtje politike. Sepse sot parlamenti po kthehet në një mburojë për të krijuar këtë botën që nuk ekziston; jo të shqiptarëve që jetojnë atje në varfëri, të shqiptarëve që largohen, të rinjve që iu mbyllën shkollat e të atyre shqiptarëve që sot fatkeqësisht nuk shohin asnjë shpresë.

Sot ky parlament po miraton ligje për estetikë, po miraton ligje që nuk e kapin dhe nuk e trajtojnë thelbin e çështjes dhe nuk zgjidhin problemet më të mëdhaja; nuk zgjidhin korrupsionin, krimin e organizuar dhe vjedhjen e parave të buxhetit të shtetit.
Në qoftë se do të kishte një paketë të plotë për pastrimin e parave me ligje që trajtojnë duke filluar nga burimi deri në ndjekjen e parave, si nga fondet publike ashtu edhe të parave që janë duke u paguar në offshore me fonde publike, unë besoj që opozita do të ishte e gatshme ta votonte.

Nuk e di se çfarë do të bëjnë kolegët e mi, por vota për këtë ligj për mua duhet të jetë kundër.
Unë do të votoj kundër, për çështjen e thjeshtë se ky ligj është vetëm estetik dhe nuk e prek thelbin e problemit, nuk e prek çështjen për të cilën shqiptarët sot kanë nevojë.
Ka disa kolegë që sigurisht, ndoshta edhe mund ta votojnë z.Balla! Ka disa kolegë që edhe mund ta votojnë! Por përderisa mua ky ligj nuk më sqaron nëse Klodian Zoto quhet person i ekspozuar politikisht, i lidhur me qeverinë, nuk e votoj dot. Sepse jam duke drejtuar një komision hetimor dhe nuk kam asnjë informacion se ku kanë shkuar paratë.
E zgjidhim me këtë ligj se ku kanë shkuar paratë dhe fondet publike?!
Atëherë do ta votoj.

Kolegë të tjerë mund ta votojnë. Në këtë moment unë do ta deklaroj votën kundër deri kur çështjes së pastrimit të parave t’i vendosim atë emër që meriton dhe ta trajtojmë ashtu siç meriton.

Sot Shqipëria është etiketuar si vend në listën gri dhe lista përfshin vende pastrimit të parave, dhe kjo vetëm prej veprimeve dhe vullnetit politikë të qeverisë.