Përfshihet nga flakët spitali i Covid-19 në QSUT

Një godinë e katit të parë në Qendrën Universitare Spitalore u përfshi nga flakët këtë të Shtunë.

Godia ku ra zjarri është një nga zyrat e administratës në repartin e ish-kirurgjisë, që më pas u përdor si pavijon për të mjekuar të prekurit nga koronavirusi – spitali Covid 3. Nga flakët, nuk raportohet për persona të lënduar.

“Te spitali ‘Covid 3’ ka rënë zjarr në një nga zyrat e administratës, ku ka vetëm dëme materiale. Shërbimet zjarrfikëse kanë bërë të mundur fikjen e zjarrit. Grupi Hetimor është në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të rënies së zjarrit”, njoftoi policia.

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu tha në një deklaratë për gazetarët nga spitali QSUT se, zjarri ra në një dhomë ku nuk ofrohej shërbim për pacientët dhe nuk ka asnjë person që ka shfaqur probleme.