Leskaj: Në 8 vite të sektit Rama borxhi publik i barabartë me shumën e marrë në 23 vite!

Nga Bujar LESKAJ

Eurobondi dhe thellimi i borxhit publik

Çdo shqiptar është rënduar me 2,200 euro më shumë borxh!

Gjatë periudhës së viteve 2015-2020, përmes eurobondeve, qeveria Rama ka marrë 1,6 miliardë euro borxh në tregjet e huaja (eurobondi i dytë, viti 2015: 450 mln euro; eurobondi i tretë, viti 2018: 500 mln euro; eurobondi i katërt, viti 2020: 650 mln euro). Me eurobondin e pestë, të cilin qeveria do të dalë këto ditë për ta marrë në tregjet ndërkombëtare, borxhi i jashtëm me kushte tregtare i marrë nga ky sekt do të shkojë në 2.3 miliardë euro!

Eurobondi i pestë: sukses apo thellim borxhi?

Sekti Rama, me të gjitha fanfarat dhe trullosjen 3D, për të cilat investon pa kursyer paratë e taksapaguesve shqiptarë, do ta reklamojë eurobondin e pestë si një sukses të jashtëzakonshëm. Në fakt, marrja e një borxhi të ri për të paguar borxhet e vjetra dhe të reja që po mbledh kapicë qeverisja e papërgjegjshme e liderit global, vetëm shton përtej çdo limiti stokun e borxhit tonë publik, i cili, me pjesën e deklaruar dhe të fshehur të tij ka barazuar prodhimin kombëtar në 12.7 miliardë euro! Nga ana tjetër, ai minon deri në prag-katastrofë, financat tona publike.

Në një interval kohor vetëm 16 muaj(qershor 2020-nëntor 2021), po marrim dy eurobonde me vlerë totale 1 miliardë e 350 milionë euro. Dy borxhe tregtare njeri pas tjetrit kaq të afruar në kohë nuk i ka marrë asnjë vend i krahasueshëm me ne në Ballkan, as Kosova, Mali i Zi apo Maqedonia e Veriut.

Qeveria nuk ka dhënë asnjë shpjegim se për çfarë konkretisht do t’i përdorë këto 700 milionë euro të Eurobondi të pestë, me përjashtim të një përcakimi shumë të mjergullt që i do për mbështetjen e përgjithshme buxhetore. Kjo mbështetje mund të përkthehet edhe në fonde për të përballuar rritjet e premtuara të pagave, çka do ta shndërronte marrjen e eurobondit në një fuçi baruti për qëndrueshmërinë e financave tona publike.

Komisioni Evropian, në Progres Raportin 2021 për Shqipërinë, cilëson se “Rreziqet fiskale vazhdojnë, ndërsa reformat në menaxhimin e investimeve publike kanë ngecur” (Progres Raporti 2021, faqja 53, paragrafi i katërt. file:///C:/Users/user/Downloads/Albania-Report-2021.pdf). Ndërsa Fondi Monetar Ndërkombëtar, në deklaratën e tij përmbyllëse pas misionit të realizuar në gjysmën e parë të tetorit 2021, më 12 tetor theksoi se “Investimet publike të financuara me burime të brendshme dhe që nuk lidhen me tërmetin janë rritur me shpejtësi që nga viti 2020” ”( https://www.imf.org/en/News/Articles/2021/10/12/mcs101221-albania-2021-article-iv-consultation-concluding-statement).

Ndoshta qeveria do ta përdorë një pjesë të mirë të Eurobondit të Pestë për të financuar marrëzinë e rradhës së sektit Rama, ndërtimin e një segmenti rrugor Milot-Fier në Autostradën Adriatiko-Joniane me vlerën 1 miliardë e 459 milionë euro(178 miliardë e 200 milionë lekë)! E ka në shtatë investimet publike-PPP përparësi të projekt-buxhetit për vitin 2022.

Për 6-mujorin e parë 2021, paguam nga paratë e taksapaguesve 6.5 miliardë lekë ose 53 milionë euro interesa për borxhin e jashtëm, me një rritje me 55 përqind, krahasuar me një vit më parë.

Në 5 vitet e fundit, vëmë re një shtim alarmant të stokut të borxhit të shtrenjtë, të siguruar jashtë vendit me terma tregtarë(kredi tregtare), për të financuar projektet haluçinante të liderit global, në krahasim me kreditë e dhëna nga institucionet ndërkombëtare që na mbështesin. Këto kredi të buta sekti Rama nuk i do as t’i shohë me sy, pse nuk mund t’ua japë klientëve të vet oligarkë. Kurse paratë e eurobondeve i përdor ku ia do qejfi dhe interesi malinj për vendin.

Merkel, kriza greke dhe eurobondi shqiptar

Në shkrimin “Qeveria e arnuar e sektit Rama dhe borxhi i tejfryrë publik” që kam botuar më datën 3 shtator 2021 në gazetat “Panorama”, “Sot” dhe “Rilindja Demokratike”, i jam referuar librit-biografi “Angela Merkel-kancelarja dhe bota e saj” të shkrimtarit Stefan Kornelius, dhe sidomos përpjekjeve të Merkel për të mposhtur kërcënimet ekonomike për Gjermaninë dhe të gjithë Evropën e Bashkuar, nga kriza e borxhit publik grek. Në një pasazh, libri cilëson se :”Gjatë krizës greke, Merkel vazhdimisht u konfrontua me një kërkesë të njëjtë: eurobondet do të ndihmonin për të dalë nga balta. Një bond për të gjithë-kjo do t’ua bënte jetën gjermanëve më pak të shtrenjtë dhe grekëve pak më të durueshme. Logjika e Merkel ishte:Kemi valutën të njëjtë, por jo politikën ekonomike.

Eurobondet kanë kuptim nëse të gjitha qeveritë kujdesen që paratë e marra me çmim të njëjtë t’i përdorin me arësye dhe në mënyrë të kontrolluar”( libri “Angela Merkel-kancelarja dhe bota e saj”, fq. 277, paragrafi i parë). Do të doja që qeveria jonë të merrte mësim nga kriza-tragjedia moderne e shoqërisë dhe ekonomisë greke e viteve 2011-2016. Të nxirrte konkluzione nga qëndrimi i vendosur i Merkel, që shpëtoi jo vetëm ekonominë greke, por të gjithë Eurozonën nga efekti domino i borxhit publik të tejfryrë të Greqisë.

Krahasuar me pesë vjet më parë, borxhi me terma të butë(koncesional) i Shqipërisë është rritur me vetëm 2 përqind, ndërsa borxhi i jashtëm, i siguruar me kushte të zakonshme tregtare është rritur 27 herë më shumë, ose 55 përqind!

Nëse në vitin 2013, borxhi për frymë i vendit ishte 2,200 euro, në qershor të vitit 2021 u dyfishua, në 4,400 euro për frymë.

Fakti që dy firmat kryesore të vlerësimit të kredisë dhe borxheve të shteteve dhe korporatave në botë, “Standard & Poors” dhe “Moody’s” e rendisin borxhin ekzistues të qeverisë shqiptare si “shumë spekulativ” (përkatësisht B+ dhe B1), duhet marrë si një paralajmërim serioz i tyre.

Për borxhin shumë spekulativ, rreziku i mospagimit është thelbësor. Sikurse deklaroi kohët e fundit “Standard & Poors”: “Ne gjithashtu mund të ulim vlerësimet, nëse stoku i borxhit të qeverisë shqiptare vazhdon të rritet”(https://seenews.com/news/sp-affirms-albania-at-bb-stable-outlook-708645).

Les Nemethy, Drejtor Ekzekutiv i kompanisë së konsulencës “Këshilltarët Financiarë të Euro-Phoenix”, në një intervistë të dhënë dje për gazetën “Albania Daily News”, theksonte se “Një eurobond tjetër prej 500 deri në 700 milionë euro do t’i shtojë shanset e ardhshme për një ulje të vlerësimit të “Standard & Poors” dhe “Moody’s”. Kjo ulje, me kalimin e kohës, do të rriste kostot e borxhit për të gjithë stokun e borxhit, jo vetëm për borxhin e marrë rishtazi”. https://albaniandailynews.com/news/albania-beware-of-the-debt-bubble-

Eurobondi i ri dhe rreziqet mbi pozicionin financiar të Shqipërisë

Po cilët janë faktorët që përkeqësojnë pozicionin financiar të ekonomisë sonë me marrjen e eurobondit të ri?
Së pari, fakti që borxhi i ri merret në euro e rrit më tej rrezikun e mospagimit. Në rast krize financiare, ka gjasa që leku të zhvlerësohet kundrejt euros, duke e bërë më të kushtueshëm shlyerjen e borxhit.

Së dyti, qeveria nuk po e investon borxhin e marrë në aktivitete që sjellin një kthim të shpejtë nga investimi, prej te cilave mund të shlyhet borxhi. Ky është borxh i siguruar për mbështetjen e përgjithshme buxhetore (p.sh. për financimin e defiçiteve). Shlyerja e tij pothuajse pa dyshim do të financohet nga rritja e borxhit të ri, në një mjedis normash interesi që mund të jetë dukshëm më pak i favorshëm se i sotmi.

Së treti, ritmi i rritjes së borxhit kombëtar të Shqipërisë(atij të deklaruar) është shqetësues. Nga 67.3% e PBB-së në vitin 2019 në 77.6% të PBB-së në 2020 dhe në 80% sot. Kjo nuk është një trajektore e qëndrueshme!

Së katërti, Shqipëria ka një bazë të ngushtë eksporti dhe diversifikim të kufizuar në produktet dhe shërbimet që eksporton, duke e bërë më sfidues shërbimin e vazhdueshëm të borxhit të jashtëm.

Së pesti, “Standard & Poors” vë në dukje rrezikun që mund të paraqesin detyrimet e kushtëzuara nga Partneritetet Publik-Privat mbi të ardhurat e Qeverisë. Ato janë mina me sahat në aftësinë paguese të vendit.

Për periudhën 2016-2020, Buxheti i Shtetit ka paguar nga taksat tona mesatarisht 11.6 miliardë lekë, ose 95 milione euro interesa borxhi në vit, në rritje me 40 përqind, krahasuar me periudhën 2011-2015. Jo vetëm shtimi i stokut të borxhit, por edhe zhvendosja më e madhe e tij drejt borxhit tregtar, në vend të borxhit me terma të butë të institucioneve ndërkombëtare, kanë ndikuar në një rritje galopante të shpenzimeve për interesa borxhi në kater vitet e fundit, duke e tendosur ne maksimum aftësinë paguese të vendit dhe e çuar ate në prag-katastrofë.

Ecuria e borxhit publik nga 2005 – 2013 – 2021  

Stoku i borxhit publik në vitin 2005 ishte 468 miliardë e 50 milionë lekë ose 3 miliardë e 827 milionë euro me kursin e atëhershëm euro-lekë.

Stoku i borxhit në vitin 2013 ishte 6 miliardë e 313 milionë euro.

Stoku i borxhit në vitin 2020 ishte 9 miliardë e 899 milionë euro.

Stoku i borxhit në shtator 2021 ishte 10 miliardë e 549 milionë euro.

Nga viti 2013 deri ne shtator 2021 kemi nje rritje prej 67 përqind të borxhit publik. Në rast se shtojmë dhe borxhet e fshehura si detyrimet e papaguara, etj., borxhi shkon në12 miliardë Euro. Nëse shtojmë edhe detyrimet e papasqyruara në bilancin e Buxhetit të Shtetit, të koncesioneve të formës PPP me 1,488,786,723 Euro, si dhe vendimet e Arbitrazhit Ndërkombëtar kundër Shqipërisë në shumën 446 milionë euro, atëhere borxhi arrin në 12 miliardë e 484 milionë euro. Ky është borxhi ynë faktik i shtatorit 2021, i BARABARTË ME PRODHIMIN KOMBËTAR!

Pra, kemi mbi 6 miliardë euro borxh në 8 vitet 2013-2021 të qeverisjes Rama. Ose dyfishi i borxhit publik në krahasim me vitin 2013. Ose, thënë ndryshe, borxhi i qeverisë-sekt Rama në 8 vite është i barabartë me borxhin në  23 vite tranzicion të të gjitha qeverive shqiptare, që nga viti 1991!