Basha: Merrni borxh për të larë borxhin. Punësimet elektorale, 117 milionë euro më shumë për pagat e patronazhistëve

“700 milionë Eurobond”

Me borxhin më të lartë në historinë e tranzicionit, ju po e asfiksoni ekonominë. Sepse edhe pse keni marrë më shumë borxh se çdo qeveri tjetër nga ‘91 e këtej, nuk keni qenë të aftë ta ktheni këtë borxh në rritje ekonomike të ndjeshme për familjet shqiptare, por vetëm në përfitim për klientët tuaj që i çojnë paratë e shqiptarëve nëpër parajsa fiskale.

Dhe sot, vini me një tjetër Eurobond prej 700 milionë eurosh, dhe ofendoni edhe inteligjencën e qytetarëve, duke i rënë gjoksit se jeni të aftë të merrni borxh, për të fshehur pas kësaj krenarie idiote, dështimin e modelit tuaj ekonomik.

Sepse po merrni borxh për të larë borxhin. Prandaj edhe kur thoni që Eurobondi merret “për mbulim të përgjithshëm të shpenzimeve buxhetore”, pa shpjeguar praktikisht asgjë, tregoni pikërisht që e keni për të mbyllur gropat që keni hapur këto vite, e sidomos me zgjedhjet e fundit, ku bashkë me shpenzimet buxhetore që partia-shtet bëri në kurriz të demokracisë, punësuat edhe 12 mijë patronazhistë në sektorin publik, vetëm si qokë elektorale, që sot u kushtojnë qytetarëve shqiptarë 117 milionë euro më shumë.

117 milionë euro. Juve ju duken pak, por më besoni, në duart e konsumatorëve shqiptarë janë shumë.