Basha-Ramës: 11 vjet kryetar bashkie, s’e mbylle që s’e mbylle gropën, ndërsa Uria Hipi që ke vënë aty do të bëjë dhe aty kulla…

NDËRHYRJA E PARË E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA, NË SEANCËN E KUVENDIT

Sa për sqarim zonja Nikolla, rregullat zbatohen pa asnjë përjashtim, kështu që padiskutim që do e marrë fjalën pas parafolësit, sikundër dhe kërkuesit të interpelancës i lind e drejta për replikë dhe opozita nuk ka ndërmend të dorëzojë asnjë nga ato dy të drejta në këtë foltore.

Se çfarë katastrofe ka qenë keqadministrimi dhe korrupsioni me të ashtuquajturin rindërtim, por dhe me pandeminë, këtë shqiptarët e njohin në lëkurën e tyre. Dhe pavarësisht se janë harxhuar më shumë para dhe kohë televizive për gënjeshtra, për reklamë, për propagandë, prapë se prapë disa fakte nuk shlyhen dot sepse janë aty në mëngjes kur njerëzit çohen akoma në çadra apo në banesat e të afërmve ku jetojnë prej 2 vitesh. Apo në banesa me qira që nuk financohen nga bonusi i premtuar, janë akoma larg pallateve të rrafshuara në Kombinat ku ndërkohë zona që do të shpronësohej për të ndërtuar pallatin akoma nuk është shpronësuar, por sigurisht hajdutët e fatkeqësisë kanë bërë gati planin që aty ku rrafshuan pallatet të ndërtojnë projektin e radhës për të pastruar paratë që zyrtarët e lartë të kësaj qeverie dhe të këtij regjimi ju kanë zhvatur shqiptarëve sigurisht në bashkëpunimin e përhershme bankën tjetër më të madhe të këtij regjimi që janë paratë e drogës dhe të kriminelëve me të cilët ka ardhur dhe mban pushtetin përdhunshëm.

Kështu që në qoftë se ka diçka për të mbajtur duart në hundë është era e kërmës që qelb këtë sallë, e regjimit të instaluar duke blerë vota, duke shkrirë në një shtetin me partinë dhe të parit të këtij regjimi që krekoset mbi këtë pleh që s’ka lidhje as me demokracinë, as me shtetin e së drejtës, as me aspiratat e shqiptarëve për një jetë më të mirë, as me aspiratën kombëtare për të udhëtuar drejt destenit tonë europian, por ka lidhje vetëm, dhe as me pandeminë, por ka lidhje vetëm me babëzinë, babëzinë për pushtet, babëzinë për para që ju ka zënë sytë dhe kjo babëzi nuk ju pengoi që ndërkohë që COVID-i ju paska penguar të ndërtonit shtëpitë, ta ngrini kullën 50 kate në bashkëpronësi me oligarkët dhe krimin e organizuar me gjithë bosët e narkotikës, gjithë bosët e kokainës.

Siç e di ti fare mirë, siç e di dhe unë, nga partnerët tanë, ti duhet ta dije nga policia jote se ndoshta ta thotë drejtori i ri se kush bos kokaine ka rezervuar çfarë kati tek ndërtesa më e lartë në Shqipëri, të cilën COVID-i nuk e ndaloi. Siç nuk ndaloi kullat e tjera që zotrote i kishte planifikuar që kur ishte kryetar i bashkisë , që i vinte erë aq e mirë saqë mund të shpiket edhe ndonjë parfum me emrin Gropa Hajdin Sejdisë.

11 vjet kryetar bashkie, kaq shumë të pëlqente parfumi, ti që na flet ne për etikë, ti dhe na flet ne për të bukurën, për shijen, për aromën Partisë Demokratike, që shkrimtari më i madh bashkëkohor e ka quajtur partia më e bukur e lindjes për idealet, por edhe për gjërat e tjera. Ti mbi të cilin akuzojnë, rendojnë akoma akuza të gjendjes personale-sanitare nga paraardhësi yt, vjen këtu dhe flet të mbajmë hundën me dorë? Po mo e mbajmë ne, e kemi mbajtur 11 vjet kur ke qenë kryetar bashkie, s’e mbylle që s’e mbylle gropën.

S’e mbylle se duhej të bëje kullë apo se mbylle sepse shija jote është pikërisht aroma e asaj grope, këtë s’do e marrim vesh sepse gropën e mbylla unë dhe shndërrova në lulishte, ndërsa paraardhësi yt, Uria Hipi që ke vënë aty do të bëjë dhe aty kulla për të pastruar paratë që vjedhin shqiptarëve dhe paratë e drogës dhe të kriminelëve me të cilët keni ardhur në pushtet dhe mbani dhunshëm pushtetin.

Tani të kthehemi dhe njëherë tek hallexhinjtë e tërmetit, që njësoj si këta që pandemisë i keni bërë mish për top, sepse dhe në kohë pandemie me tendera sekretë vodhët paratë që duhet të shkonin për gjërat më bazike, sollët medikamente të skaduara, shpallët sekret kombëtar tenderët për blerjen e maskave, ndërkohë që nxirrnit autoblindat në rrugë dhe ti dilje nga mikrovala në frigorifer, se në televizor ishe gjithë ditën si gogol për t’ju thënën shqiptarëve rrini brenda rrini brenda. Sa të ka shkuar numri i vdekjeve sot krahasuar me mesataren e para tre viteve? Ke lexuar gjë raportin e FMN kur haje hallvë në Egjipt?

Që të thotë që je vendi me numrin më të lartë të vdekjeve. Ato dhjetëra mijëra prindër, nëna baballarë, bijë dhe bija prindërish, gjyshër, gjyshe që sot në vend që të jenë në shtëpitë e tyre, kallen varrezave, sipërfaqet e të cilave janë dyfishuar. Ato të rëndojnë pak në ndërgjegje? Ndërkohë që vazhdon harxhon miliona për oligarkët me PPP-të që kanë kapur rekordin e Europës, ke shkuar në 10%, vendi i dytë të afrohet, është me 3%. Apo është e kotë të të kërkoj ty të të brej ndërgjegjja, kur ndërgjegje s’ke dhe s’ke pas ndonjëherë. Sepse çdo akt nuk është keqmenaxhim, as keqadministrim, është akt i vetëdijshëm.

Ti ke zgjedhur, ti ke vendosur prioritet kullat e korrupsionit dhe të drogës dhe të oligarkisë, sepse janë kullat e tua. Ti ke vendosur prioritet, ke vendosur t’i klasifikosh sekret tenderët e pandemisë. Sepse edhe atëherë kur shqiptarët kishin më shumë nevojë se kurrë për paratë që paguajnë si taksa të rritura të kësaj qeverie, ti vidhje me një grusht njerëzish. Këto janë vendimet e tua, nuk janë aksident.

Nuk janë vepër e Zotit. Nuk është as si COVID-i, as si tërmeti, është më keq se të dyja bashkë, fatkeqësia kombëtare që ti drejton dhe pas të cilës fshihesh për të gjitha dështimet që kanë sjell kaq shumë vuajtje dhe vazhdojnë të sjellin vuajtje tek banorët e Durrësit, të Kavajës, të Lezhës, të Krujës dhe të Tiranës.

Sa i përket tenderëve, dhe meqë kërkon të flasësh me shifra, apo shifrat nuk i di, ose bën sikur nuk i di, të vetmet tendera me procedura korrekte janë ato të zhvilluara me fondet e Bashkimit Europian që ti i urren, sepse aty e di që nuk e përcakton dot, siç përcakton çdo tender mbi 1 milion euro në zyrën tënde, siç e dinë të gjithë biznesmenët dhe tarifën ta dinë. Nuk e di e ke vendosur vet apo me e Engjëllin, po tarifat e tua në çdo tender mbi 1 milion euro, se nën 1 milion euro je bujar, ua ndan këtyre të tjerëve, ato tarifa i di gjithë Tirana. Gjithë Tirana i ka marrë vesh, prandaj fondet e Bashkimit Europian s’të pëlqejnë ty. Se tek fondet e Bashkimit europian ka disa rregulla ndryshe që nuk e bën dot tenderin ti me një ofertues dhe nuk e jep dot në limit 99.99%, apo 99.6%.

Kështu që, merri pak ato letrat kudo ku i ke futur, ndoshta i ke akoma tek zyra e ish-zëvendës kryeministrit, ndoshta “Tigri” i ka djegur, ndoshta ish-zëvendës kryeministri ka ruajtur një kopje dhe merre shikoje pak se si në tenderët e tua nuk ka konkurrencë, sepse i ke përcaktuar ti, ky do marri këtë, ai do marri këtë, ai do marri atë. Pastaj ke përcaktuar jo vetëm ryshfetin, por edhe si do të ndahet ryshfeti. Vëmendje të veçantë ke gjithmonë për pronarët e ekraneve që të bëjnë fresk nga mëngjesi deri në darkë. Ky është sistemi që ke ndërtuar ti dhe këtë sistem do ta mbash në këmbë me çdo kusht. Me patronazhist, me lekët për tërmetin që e mori vesh gjithë bota, që javën e fundit dhe 89 herë më shumë seç kishe dhënë në dy vite. Këto janë faktet! Faktet janë fare të thjeshta, ti bën sikur nuk i sheh, ti bën sikur nuk i lexon, bën sikur nuk i njeh, ja çfarë thonë faktet:
Java zgjedhore, Bashkia Durrës ndanë 6 milion euro për rindërtim. Transferta vetëm për individin 89 herë më shumë seç ka shpërndarë për këtë kategori shpenzimi nga dhjetori 2019-ës, deri 25 mars 2021, për 15 muaj.

E pra, po të krahasojmë pagesat për këtë kategori shpenzimi nga 1 dhjetori 2019-të që është muaji i parë i pasojave të tërmetit, deri në 25 mars 2021 dita e parë e fushatës, vlera e ekzekutimeve ishte vetëm 6 637 194 lekë të reja. Krejt ndryshe një javë para zgjedhjeve. Sepse ti nuk iu gjendesh pranë njerëzve në fatkeqësi. Ti i shikon ata vetëm si votues të cilët duhet t’i shantazhosh, t’i blesh, t’i intimidosh, t’i frikësosh me një qëllim: të mbash me çdo kusht pushtetin.

Tani, kjo është marrë vesh botërisht dhe arsyeja jonë e vetme për të qenë në këtë sallë nuk është për të bërë lojëra fjalësh me ty, se ty ta kanë pirë lëngun të gjithë, të gjithë! Edhe ata që mendon se i ke akoma miq. Qëllimi ynë është që me rrugën më pak të dhimbshme për shqiptarët të të largojmë nga kjo sallë ty dhe gjithë kalorësit e korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe t’ia kthejmë këtë sallë shqiptarëve. Që vendimet që do të merren nga kjo sallë, të merren për shqiptarët, jo për miqtë e tu, as për oligarkët e tu, as për kriminelët e tu, as për xhepat e tu. Dhe që kjo të ndodh, duhet patjetër që ne të ndryshojmë ligjin themelorë të vendit dhe t’i hapim rrugë asaj që ti e ke frikë si djalli temjanin, vettingut të politikanëve.

Ju faleminderit!