Shpërthejnë revoltat në burgje! Pas grevës së Burrelit, të burgosurit në Peqin futen në grevë urie

Të burgosurit kanë shpërthyer në revolta e protesta ndërsa drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Agim Ismaili është zhdukur në drejtim të paditur. Prej disa ditësh Ismaili nuk paraqitet në punë, ndërsa zyrtarët e afërt të tij thonë se, “është i sëmurë”, ndërsa situata në burgje ka dalë jashtë kontrollit.

Të burgosurit në burgun e Peqinit kanë hyrë në grevë urie një ditë më parë. Bëhet me dije se ata kanë refuzuar ushqimin dhe kanë hyrë në grevë urie në shenjë proteste, pasi kërkojnë që të lejohen takimet me familjarët.

Mësohet se janë rreth 150 të burgosur që kanë hyrë në grevë urie, duke kërkuar që të plotësohet kërkesa e tyre.

Takimet me familjarët janë ndaluar për shkak të situatës nga pandemia e Covid-19 për të parandaluar përhapjen  e virusit brenda ambienteve të burgut.

Greva e të burgosurve në Burrel

Të burgosurit e burgut të sigurisë së lartë në Burrel refuzuan të hënën ushqimin e institucionit, pasi kërkonin rritjen e numrit të takimeve mujore dhe zgjerimin e rrethit familjar në takime.

Këto kërkesa tashmë ata i kanë dërguar në rrugë zyrtare pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Të burgosurit kanë formalizuar këkesat e tyre pas bisedimeve me drejtues të Institucionit të  Ekzekutimit të Vendimeve Penale.

Burime pranë këtij institucioni thanë se pas negociatave të burgosurit i kanë kanalizuar kërkesat e tyre në rrugë zyrtare, duke jua dërguar disa institucioneve përgjegjëse.