Vritet biznesmeni në Fier, autorët qëlluan me breshëri plumbash nga një makinë

Një biznesmen u vra me armë mbrëmjen e sotme në një atentat me në Fier. Sipas burimeve të policisë, viktima Demir Backa, 57 vjeç, u qëllua me breshëri kallashnikovi, teksa ndodhej në automjetin e tij tip Audi.

Ndaj viktimës është qëlluar të paktën 15 herë, nga një tjetër automjet, ndërsa dyshohet se në atentat kanë marrë pjesë dy persona.

Fillimisht viktima u dërgua për në spital në gjendje të rëndë, ndërsa mësohet se nuk u ka mbijetuar dot plagëve të marra.

Sipas të dhënave të para mësohet se viktima është një biznesmen, pronar i një lokali, por edhe një hoteli në jug të vendit.

Ngjarja ka ndodhur pranë një qendre tregtare, një zonë mjaft e populluar. Nga raportimet e para mësohet se autorët e dyshuar lëviznin me një automjet tip Benz, prej të cilit në lëvizje është qëlluar me breshëri kallashnikovi.

Raportohet se disa momente pas ngjarjes, Policia ka gjetur një automjet të djegur, por nuk dihet nëse ai mund të jetë përdorur ose jo nga autorët e mundshëm të atentatit.

“Sot rreth orës 20:40, në vendin e quajtur “Rrethrrotullim i QTU_së”, dyshohet se nga një automjet tip “Benz” është qëlluar me armë zjarri shtetasi D. B. 57 vjeç, i cili ishte brenda automjetit të tij tip “Audi” dhe si pasojë e plagëve të mara ka ndërruar jetë në spitalin e Fierit.

Menjëherë shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, Forca e Posacme “Shqiponja” dhe 2 grupe te FNSH kanë shkuar në vendngjarje dhe po krehin zonën për kapjen e autorit.

Ndërkohë janë ngritur disa pika kontrolli në hyrje dhe dalje të qytetit të Fierit.

Në fshatin Daullas është gjetur e djegur një makinë tip “Benz” e cila dyshohet se është e autorëve të ngjarjes.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë ndodhet në vendngjarje dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve”, njoftoi Policia.